Demarkacioni në rrugë të drejtë, ASOCIACIONI "DARDHË ME BISHT"

  • 14 September 2017 - 07:56
Demarkacioni në rrugë të drejtë, ASOCIACIONI

MARRËVESHJET QË MBAJNË PENG KOSOVËN

Kërkohet guxim në vendimmarrje dhe unitet politik

"Haradinaj në këtë drejtim do ta testojë bashkësinë ndërkombëtare e nuk besoj që çështja e demarkimit do ta përplasë atë me ndërkombëtarët. Më parë do të dominojë tema e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e cila edhe po kërkohet të implementohet nga Lista Serbe, me instruksione të Beogradit zyrtar", tha analisti Skënder Mulliqi

Hapja e shpejtë të temës së Demarkacionit nga Qeveria e re e Kosovës, madje duke u renditur si temë që në mbledhjen e parë të Qeverisë, me shkarkimin e komisionit të mëparshëm dhe emërimin e kryetarit të ri të komisionit për demarkim dhe reagimet e mëvonshme ndërkombëtare, atyre amerikane rreth këtij veprimi, nga analistët politikë po shihet si një veprim i nxituar, i pamatur mirë, i kryeministrit Haradinaj, epilogu i të cilit mund të jetë edhe një përplasje e re e tij me ndërkombëtarët. Madje besohet shumë që Demarkacioni si temë do të vazhdojë të dominojë edhe për shumë kohë, edhe në agjendën e qeverisë aktuale, së bashku me Asociacionin, pasi Lista Serbe nuk do të heqë kurrë dorë nga Asociacioni. Analisti Florim Zeqa nuk sheh efekt tjetër të këtij veprimi të Haradinajt përveç çmimit për marketing politik."Hapja e shpejtë e temës së Demarkacionit, që në ditën e parë të punës si kryeministër nga ana Ramush Haradinajt, më tepër ka të bëjë me marketing politik sesa me zgjidhje të shpejtë të këtij problemi. Këtë e dëshmon shkarkimi i komisionit të deritanishëm qeveritar për demarkimin, gjegjësisht kryetarit Mehaj, gjë e cila nuk e nënkupton zgjidhjen kaq të lehtë të këtij problemi të trashëguar nga qeveria paraprake", u shpreh ai. 

Nën hijen e Listës Serbe

Edhe analisti Hidajet Ahmeti konsideron se euforia e zotit Haradinaj po krijon një mjegull në opinionin publik. "Më këto veprime mundohet të mbuloj gjithë ato lojërat e ndyta politike në raport me partinë shtet, PDK-në, e posaçërisht me Listën Serbe, e cila do të jetë determinuese e shumë proceseve të rëndësishme për Republikën e Kosovës. Deklaratat dhe veprimet populiste pa një strategji afatgjate për zhvillimin dhe përfundimin e proceseve të rëndësishme për vendin janë veprime boshe e pa përmbajtje substanciale. Çështjes së Demarkacionit nuk mund t'i shmanget Qeveria 'Haradinaj', pasi që Demarkacioni është krucial për Liberalizimin e vizave, si kusht në Raportin e Komisionit Evropian. Është faktike se është një kusht diskriminues nga Komisioni Evropian, pasi që është i vetmi shtet Kosova që deri më tani e ka pasur si kusht çështjen e demarkimit", tha Ahmeti. Ai thotë se nuk ka dyshim që edhe Lista Serbe do të veprojë e do të punojë brenda kornizës së interesave nacionaliste serbe, duke vepruar me strategjinë e Beogradit zyrtar për Asociacionin."Gjykoj se në momentin kur Qeveria 'Haradinaj' nuk do të punojë brenda agjendës së Listës Serbe dhe interesave kruciale të Beogradit zyrtar, Qeveria 'Haradinaj' potencialisht do të rrëzohet", tha Hidajet Ahmeti. 'Arrë' e fortë për Qeverinë 'Haradinaj' mbeten Demarkacioni dhe Asociacioni edhe sipas analistit Jeton Kelmendit. Ai thotë se shkarkimi i kryetarit të komisionit për demarkim me Malin e Zi, z. Murat Meha, është dashur të bëhej para dy vjetësh nga Isa Mustafa, por problemi qëndronte se nuk guxonte ta bënte, sepse pastaj Thaçi do dilte tradhtar, prandaj kjo nuk ndodhi. Këtë guxim që do të jetë sfidues, sipas tij, e mori tash Haradinaj, edhe pse nuk është menduar si veprim i mirë, por mbetet të shihen veprimet e tjera."Së pari është dashur të ftohej ky ekip dhe të jepte llogari para qeverisë, pastaj të bëhej një takim me palën malazeze dhe t'u sqarohej pakënaqësia dhe pastaj në përputhje me ligjet e vendit të shkarkohej ky ekip që Kosovës i solli dëme të mëdha në shumë aspekte", tha Kelmendi. 

MARRËVESHJA MUND TË PËRFUNDOJË NË ARBITRAZH

Edhe Skënder Mulliqi jep një vlerësim të balancuar rreth kësaj teme. Ai thotë se finalja e këtij procesi do të zgjidhet vetëm në Arbitrazh ndërkombëtar, derisa problem më të madh e sheh çështjen e Asociacionit. "Që Demarkacioni të jetë kusht për liberalizim të vizave kanë ndikuar shumë Thaçi dhe Mustafa, së për këtë çështje duket shumë më herët janë marrë vesh me Gjukanoviqin në Podgoricë. Edhe Kroacia dhe Sllovenia një kohë të gjatë e kishin një kontest me territor me Gjirin e Piranit, por jo edhe si kusht për inkuadrim në BE. Kjo çështje kontestuese u zgjidh midis këtyre shteteve me Arbitrazh ndërkombëtar. Mendoj së të njëjtin qëllim do ta këtë edhe Haradinaj si kryeministër, që çështja e shënjimit të vijës kufitare me Mal të Zi të dërgohet në arbitrazh", u shpreh ai."Dihet së sipas ekspertëve dhe njohësve të kufirit në terren Kosova humb mbi 8000 mijë hektarë tokë, gjë që nuk ishte dashur të lejohej. Rol ndoshta vendimtar rreth kësaj teme do të këtë faktori ndërkombëtar. Haradinaj në këtë drejtim do ta testojë bashkësinë ndërkombëtare, e nuk besoj që çështja e demarkimit do ta përplasë atë me ndërkombëtarët. Më parë do të dominojë tema e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e cila edhe po kërkohet të implementohet nga Lista Serbe, me instruksione të Beogradit zyrtar", tha Skënder Mulliqi. Edhe sipas Analistit Albrim Badallaj procesi i Demarkacionit duhet të jetë në listën e prioriteteve, jo vetëm të Qeverisë, por edhe të Kuvendit, për shkak se po del të jetë një barrierë për procesin e liberalizimit të vizave, por mund të jetë barrierë edhe e proceseve të tjera integruese, euroatlantike."Kosova assesi në këtë pikë nuk guxon t'i prish marrëdhëniet me SHBA-në, mirëpo nëse ka fakte në atë që po aludon Bulliqi me komisionin e tij atëherë besoj që edhe miqtë tanë do të pajtohen me një vendim të tillë, por që duhet angazhim i madh për të bindur me fakte", tha Badallaj për "Kosova Sot".

DY TË TRETAT NË KUVEND, PENGESË E MADHE

Sipas Zeqës, edhe pse në dukje të parë komisioni i ri ngjall shpresa për riparim të gabimeve në demarkimin e kufirit me Malin e Zi, një gjë e tillë do të jetë vështirë e realizueshme, për faktin se nuk është aspak punë e lehtë anulimi ndërkombëtar i marrëveshjeve (të nënshkruar nga presidenti Thaçi). "Për të mos thënë e pamundur, do të jetë punë e vështirë për kryeministrin Haradinaj sigurimi i 2/3 të votave në Kuvend për çështjen e Demarkacionit pa e përmbushur premtimin e tij për kthimin e kufirit në Çakorr, ashtu siç e kishte kërkuar gjatë kohës sa ishte në opozitë. Ky është kushti i vetëm, i cili mund ta bëjë për vete votën e opozitës, në këtë rast shumicës shqiptare në Kuvendin e Kosovës", theksoi ai. "Demarkacioni me Malin e Zi dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në veri të vendit do të jenë "arrë" e fortë për Haradinajn, për të cilën lista serbe thotë se është edhe kjo pjesë e marrëveshjes për koalicion, gjë të cilën vazhdon të heshtë akoma kryeministri i ri i vendit. Krahas këtyre dy barrierave, me të cilat do të përballet Haradinaj, përplasja me ndërkombëtarët mund t'i kushtojë me përfundim shumë të shpejtë të mandatit politik, madje edhe para 100-ditëshit të parë të qeverisjes 'Haradinaj'", tha analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot".

KUFIRIN NË ÇAKORR E VOTOJNË SHUMICA

Sipas analistit Gani Qarri,mospajtimi për kufij i shteteve të dala nga ish-Federata jugosllave pothuajse ekziston tek çdo ish-njësi e saj dhe rasti i kontestit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi nuk është i pari dhe as i vetmi,sepse probleme kufitare kanë edhe Kroacia me Slloveninë,Mali i Zi me Kroacinë,Serbia me Kroacinë,Kroacia me Bosnjën etj.Sidoqoftë,ai thotë se vendimi i Ramush Haradinajt për shkarkimin e Murat Mehës dhe komplet ish-komisionit shtetëror të Demarkacionit me Malin e Zi,si dhe propozimi i qeverisë aktuale që komisionin e ri për Demarkacion,ta formojë dhe ta udhëheqë eksperti më i mirë në vend për gjeografi,Shpejtim Bulliqi,është vendim shumë i drejtë."E për t'i shkuar punës deri në fund duhen ndërmarrë edhe hapa të tjerë shtesë,sepse versioni i kaluar i Demarkacionit jo vetëm se është proces i një komisioni plotësisht të dështuar,që duhet të rishikohet në tërësi,por edhe ish-kryetari dhe grupi rreth tij duhet sa më parë të thirren para përgjegjësisë penale,për t'u qartësuar çdo gjë dhe gjithçka rreth veprimeve të tyre edhe juridikisht",potencoi ai.Rishikimi i Demarkacionit bëhet dhe duhet të bëhet edhe për heqjen e të gjitha dyshimeve dhe vendosjen e kufijve me argumente e drejtësi,ndërmjet Kosovës e Malit të Zi.Ndaj nuk ka pse të ketë kurrfarë përplasje të brendshme,as të shprehen mospajtime ndërkombëtare,qoftë edhe nga Ambasada e SHBA-së,në mënyrë që të mënjanohen problemet edhe në të ardhmen,kur kemi parasysh kontestet që vazhdojnë edhe sot ndërmjet Kroacisë dhe Sllovenisë,të cilat përkundër vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit nuk po arrijnë të pajtohen për vijën kufitare,që do të përcaktonte ndarjen e një sipërfaqe aq të vogël të ujërave detare ndërmjet këtyre dy vendeve", tha Gani Qarri.Ndërsa,sa i takon temës së Asociacionit,Qarri thotë se kjo as që duhet të hapet pa u bërë Ushtria e Shtetit të Kosovës.

(Kosova Sot)