Lista Serbe shantazhon qeverinë

  • 15 September 2017 - 07:46
Lista Serbe shantazhon qeverinë

PARTIA E PUTINIT MBËSHTET POLITIKANËT SERBË TË KOSOVËS

Moska mirëpret fuqizimin e faktorit serb në ekzekutivin kosovar

"Në rrethanat e krijuara, të futjes së Qeverisë së Kosovës në varësi të kësaj liste, përveç rritjes së formave të shantazhit dhe presionit politik nga Beogradi, do të varet edhe fati i jetëgjatësisë së Qeverisë 'Haradinaj'. Kësisoj, disiplinimi i zyrtarëve të Listës Serbe nga ana e qeveritarëve tanë është pothuajse i pamundur. Megjithatë, është Parlamenti, organi më i lartë ligjvënës në vend, i cili mundet dhe duhet të reagojë me urgjencë ndaj veprimeve të hapura destruktive të Listës Serbe ndaj shtetit tonë", tha Florim Zeqa

Ndonëse Lista Serbe ishte dhe po vazhdon të jetë një nga partnerët kryesorë në krijimin dhe mbijetesën e qeverisë së re të Kosovës, ky subjekt politik, i krijuar para tre vjetësh nga Beogradi, që si i tillë vazhdon të kontrollohet e të dirigjohet, ka nisur që tani në fillim të punës me provokimet e hapura kundër shtetit të Kosovës, ku kryetari i saj, Goran Rakiq, menjëherë pas formimit të Qeverisë së re të vendit shkon e takohet me parti ruse dhe flet kundër Kosovës. Sipas analistëve politikë, kjo do të jetë një sfidë serioze për kryeministrin Haradinaj, pasi që Qeveria e Kosovës dhe Parlamenti do ta kenë të vështirë, mbase edhe të pamundur që t'i disiplinojë zyrtarët e Listës Serbe, ku marrëdhëniet e Kosovës me shtetet e tjera janë ekskluzivisht të diplomacisë kosovare e jo të një partie që është në kundërshtim të hapur me interesat e Kosovës, sikur që është tani ky takim i serbëve lokalë të Kosovës me rusët, kundërshtarë të shtetit të Kosovës. Partia politike "Rusia e Bashkuar", parti kjo e presidentit rus, Vladimir Putin, u ka dhënë mbështetje Listës Serbe dhe serbëve të Kosovës, kanë deklaruar përfaqësuesit e kësaj liste dhe zyrtarët e Qeverisë së Serbisë. Deklaratën e tillë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, e ka publikuar përmes një komunikate për medie, pas takimit që ai dhe Marko Gjuriq, shef i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, kanë pasur të enjten në Moskë me delegacionin e partisë "Rusia e Bashkuar", të cilit i ka prirë zëvendëssekretari i Këshillit të përgjithshëm të kësaj partie, Sergej Zheljeznjak. Në komunikatë thuhet se Zheljeznjak ka thënë se uniteti politik i popullit serb në Kosovë duhet të vërtetohet edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale të Kosovës. "Rusia sillet me respekt ndaj politikës së Serbisë për Kosovën. Më vjen mirë që Lista Serbe i ka përforcuar pozicionet e veta dhe se të gjitha çështjet në Kosovë tash do të zgjidhen me mendimin e popullit serb. Për këtë shkak edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale Rusia e Bashkuar i jep mbështetje të plotë Listës Serbe që këtë luftë ta vazhdojë me kapacitet të plotë", ka thënë Zheljeznjak. Rakiq ka thënë se lidhjet e forta me Federatën Ruse janë trimëruese dhe stimuluese për popullin serb në Kosovë.

Rusia e Serbia, armike të pavarësisë së Kosovës

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, konsideron se përpjekjet për ta disiplinuar këtë subjekt politik, Listën Serbe, dhe për ta integruar e bindur që ta pranojë plotësisht realitetin dhe shtetin e Kosovës, duhet të bëhen bashkërisht si nga pozita edhe nga opozita, por se sa do të ketë sukses në këtë betejë klasa politike e Kosovës mbetet të shihet, sepse angazhimi serb kundër Kosovës do të jetë maksimal edhe për shumë kohë. Mirëpo, ai beson që personaliteti i Haradinajt, i dëshmuar në ditët e vështira të luftës në mbrojtje të interesit nacional, do të vjen më lehtë në shprehje në kushtet paqësore të ndërtimit të tij, tani duke qenë në qeveri dhe duke mos lejuar shkatërrimin nga brenda. "Sa do të arrijë koalicioni i udhëhequr nga kryeministri, z. Ramush Haradinaj, mbetet të shikohet në zhvillimet politike që do të realizohen. Por, pavarësisht nga kjo, Lista Serbe është një subjekt politik i krijuar nga Beogradi dhe Moska dhe, në këtë anë, si subjekt ka për qëllim dëmtimin e shtetit të Kosovës, duke kryer veprimtari që e ndalojnë ndërtimin e shtetit", u shpreh ai. "Lista Serbe është deklaruar kundër Ushtrisë së Kosovës dhe nga ana tjetër është angazhuar deklaruar dhe për asociacionin e komunave serbe në Kosovë. Realizimi i këtyre dy qëllimeve, njërin kundër dhe tjetrin pro interesit që synojnë serbët, e dëmton rëndë shtetin dhe krijon gjendje që e copëton Kosovën si shtet. Ajo shkon ndeshur edhe me parimet e Kushtetutës për një shtet sovran dhe të integruar e të pa ndarë, të shtetit unik të Kosovës. Kjo është një sfidë shumë e madhe për Qeverinë dhe kryesisht për kryeministrin, ku unë mendoj se kryeministri nuk do të pranojë ndarjen dhe copëtimin e tillë. Kryeministri si individ dhe familje ka dhënë shumë për këtë vend. Ai ishte motori lëvizës i çlirimit të vendit tonë nga okupatori serbomadh. Dhe, mbi këtë bazë, kurrë z. Ramush Haradinaj nuk do të lejojë gjërat e tilla", theksoi Kelmendi.

Marrëveshjet jofunksionale të shmangen

Po aq besim ka në fuqinë e kryeministrit për ta menaxhuar çdo provokim të Listës Serbe edhe politologu Gurakuq Kuçi, sipas të cilit Lista Serbe me veprimet e saj të dirigjuara nga Beogradi vetëm po mundohet që tani të zbutë opozitarizmin e saj në Serbi dhe Vuçiq të arsyetohet se përkundër që e përkrahën z. Haradinaj, u mbesin besnik interesave të Serbisë dhe ndjekin vijën e Moskës, pasi sipas tij takimet me subjektet politike ruse janë të karakterit privat dhe jozyrtar. "Këto takime nuk janë zyrtare dhe nuk kanë asnjë të drejtë për marrëveshje shtetërore. Kosova është çështje e kryer për shtetësinë e saj, këtë e garantojnë SHBA-të dhe BE-ja", tha Kuçi. Ai konsideron se shumë më tepër mund ta dëmtojnë shtetësinë e Kosovës marrëveshjet që mund t'i arrijë qeveria jonë me i analizuar dhe diskutuar mirë ato, kur bëhet fjalë për raportet me Serbinë, se sa ndonjë sjellje individuale e përfaqësuesve të Listës Serbe. "Megjithatë, ne duhet të kemi kujdes nga marrëveshjet të cilat mund ta bëjnë Kosovën jofunksionale dhe z. Haradinaj edhe me qeverisjen 100- ditore ka pas treguar efektivitet me të drejta ndaj serbëve. Pra ekziston mundësia që ne tani serbët e Kosovës t'i rikthejmë pro shtetit, të cilët pastaj do e shohin Kosovën dhe partitë liberale serbe në Kosovë si zgjidhje adekuate ku një zhvillim i tillë vetëm sa do ta minojë Beogradin me politikën e tij destruktive dhe vetë Listën Serbe. Serbët duhet të ndihen të lirë në shtetin e Kosovës dhe një punë e mirë e qeveris që dua ta besoj se do e bëj z. Haradinaj është një e mirë edhe për qytetarët serbë në Kosovë", ka potencuar Kuçi.

Kuvendi të marrë qëndrim politik ndaj Listës

Sipas analistit Florim Zeqa, ashiqare po shihet tani roli destruktriv i Listës Serbe, e cila me fillimin e punës së Qeverisë së Kosovës ka nisur edhe provokimet e para të kundër shtetit të Kosovës, por qeveria duhet të veprojë pa u vonuar, për aq sa mund të veprojë. "Kryetari i kësaj nisme famëkeqe, Goran Rakiq, në takimet me partitë ruse ka ngritur zërin kundër ekzistencës së Republikës së Kosovës, duke e trajtuar si gjithnjë Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë. Në fakt, kjo nuk paraqet ndonjë risi as befasi për ne, kur dihen botërisht qëllimet antishqiptare dhe antishtetërore të Listës Serbe dhe liderit të saj Rakiq", theksoi ai. "Në rrethanat e krijuara, të futjes së Qeverisë së Kosovës në varësi të kësaj liste, përveç rritjes së formave të shantazhit dhe presionit politik nga Beogradi, do të varet edhe fati i jetëgjatësisë së Qeverisë Haradinaj. Kësisoj, displinimi i zyrtarëve të Listës Serbe nga ana e qeveritarëve tanë është pothuajse i pamundur. Megjithatë, është Parlamenti, organi më i lartë ligjvënës në vend, i cili mund dhe duhet të reagojë me urgjencë ndaj veprimeve të hapura destruktive të Listës Serbe ndaj shtetit tonë", vijoi më tutje ai. "Parlamenti i Kosovës, gjegjësisht të zgjedhurit e popullit, në rastet kur atakohet sovraniteti politik dhe juridik i vendit, e kanë për obligim që bashkërisht t'u dalin në mbrojtje interesave shtetërore, duke lënë mënjanë interesat partiake dhe ato personale. Pra, Kuvendi i Kosovës, në çdo rast dhe rrethanë ku cenohet rendi kushtetues i vendit nga Lista Serbe, ka të drejtën të iniciojë shkarkimin e ministrit nga radhët e saj. Madje Parlamenti i Kosovës, për veprimet destruktive të Listës Serbe, mund të nxjerrë rezolutë të veçantë për t'iu drejtuar instancave të caktuara ndërkombëtare për disiplinimin e Listës Serbe, si Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Parlamentit Evropian etj.", tha Zeqa për "Kosova Sot".

Varshmëri e madhe nga serbët

Mirëpo, këtë problematikë më me rrezik serioz e sheh analisti Faton Mehmeti. Ai thotë se Lista Serbe është enklavë brenda Qeverisë së Kosovës dhe si e tillë ajo ka strukturat e veta dhe ka kryeministër të saj që i bindet nga distanca e ai është Aleksandër Vuçiqi. "Vuçiqi për ta është kryeministër, president dhe çdo gjë, ndërsa Ramushi kryeministër për pjesën shqiptare. Ky është një fakt, që dëshmon për mosunifikimin e qeverisë nga të gjitha partitë. Vetë Goran Rakiq është një rusofil i përbetuar, një çetnik kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Urrejtjen e tij ndaj shqiptarëve e ka shprehur vazhdimisht, e kjo nuk është ndonjë risi", tha Mehmeti. Sipas tij, edhe takimet e Goran Rakiqit me parti ruse për qëllime ndaj Kosovës janë të dëmshme dhe të rrezikshme, mirëpo qeveria 'Haradinaj', sipas Faton Mehmetit, tash nuk guxon ta disiplinojë. "Ramushi nuk mundet të shkarkojë asnjë ministër nga Lista Serbe, ndërsa Lista Serbe mund ta shkarkojë Ramushin kur të dojë, mjafton një sms nga Vuciqi dhe Ramushi nuk është më kryeministër", u shpreh ai."Enklava serbe brenda qeverisë vetëm sa i saboton përpjekjet e Ramushit edhe në arenën ndërkombëtare, për ta penguar Kosovën të futet në organizmat ndërkombëtarë. Përpjekjet e fundit të Listës Serbe kanë të bëjnë me votimin për ta pranuar - mospranuar Kosovën në UNESCO dhe Interpol, një lobim anti-Kosovë. Ramushi i ka duart e lidhura në këtë aspekt dhe s'mundet të bëjë asgjë, pasi fati i tij politik është i lidhur nga vullneti i Vuçiqit. Kjo është tronditëse për figurën e Ramushit dhe mbarë Kosovën. Ky është veç fillimi, priten edhe veprimet të tjera të Listës Serbe ndaj Kosovës, sepse faktikisht Lista Serbe është 'Kali i Trojës' brenda Qeverisë së Republikës së Kosovës. Duke pritur momentin për të dëmtuar Kosovën, kjo është strategjia që ka hartuar Vuçiqi, me ndihmë edhe të rusëve dhe të atyre që nuk e dëshirojnë Kosovën shtet normal dhe të përparuar", potencoi Mehmeti. 

(Kosova Sot)