"Sheikët" e politikës të tregojnë si i paluan milionat

  • 19 September 2017 - 08:00

Lidhja e fortë e piramidave të politikës kosovare me krimin dhe korrupsionin, që nga ditët e para të luftës e deri më sot, dhe mungesa e një pastrimi të plotë të kësaj skene politike, sipas analistëve politikë, paraqet një domosdo urgjente të fillimit, mbase të detyrueshëm, nën presion edhe nga faktori ndërkombëtar, që ta nisin vetëpastrimin përmes VETTING-ut, duke filluar nga vetja e tyre , të gjithë ata të cilët mbajnë pozita të larta në majat e institucioneve të shtetit, pozitë e opozitë, e që shumica e tyre janë aktivë politikisht qysh prej luftës e pas luftës, e edhe më herët përmes fondeve të famshme '3%' dhe 'Vendlindja Thërret'. Ata duhet detyrimisht ta arsyetojnë se si i bënë dhjetëra vila të shtrenjta në lagjet luksoze, si i mbushën xhepat dhe kontot e veta bankare për vete dhe të familjarëve e të afërmve, e që u bënë pasanikë sa ishin këta në pushtet. Analisti politik, Florim Zeqa, thotë se do duhej që liderët politikë kosovarë të fillojnë pa vonesë vetë- pastrimin përmes VETTING-ut, por një gjë e tillë ka pak gjasa të ndodhë. "Në fakt, pa zbardhjen e dy fondeve të famshme të '3%' dhe "Vendlindja Thërret" do të jetë i vështirë të ndodhë 'vetëpastrimi' i liderëve politikë kosovarë, të ngritur në karrierë politike para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë", ka theksuar ai.

Image

 

Fondet u zhvatën

Sipas Zeqës, pasuritë marramendëse të klasës politike, pa dallim pushtet dhe opozitë janë të pajustifikueshme. "Nga i siguruan për një kohë relativisht të shkurtër me nga dhjetëra vila luksoze, nga i mbushën thasët dhe kontot bankare për vete dhe të familjarëve e të afërmve të tyre, duke u bërë pasanikët më të mëdhenj në rajon!?", pyet analisti Zeqa. Ai është shumë i sigurt që të njëjtët njerëz që pasuruan nga fondet e '3%'-it dhe "Vendlindja Thërret", nga përfundimi i luftës e deri më sot mbajnë pozita të larta në institucionet shtetërore, të paprekshëm nga ligjet dhe drejtësia vendore. "Qëndrojnë ashtu të lirë dhe të relaksuar në majat e pushtetit, pasi pasuritë e tyre i kanë shpërndarë në emrin e familjarëve të tyre, në emrin e kompanive fantome...e përtej kësaj edhe në parajsat fiskale jashtë shtetit dhe përtej kontinentit evropian. Për shifrat marramendëse të grumbullimit nga ana e fondit të '3%'-it dhe atij "Vendlindja Thërret", më së miri mund të dëshmojnë bashkatdhetarët në Diasporë, me bërjen publike të donacioneve të tyre në llogari të këtyre dy fondeve. Njëherësh, kjo do të ishte mundësia më e mirë e përcaktimit të shumës së të "vjelave" nga bartësit e fondeve të sipërpërmendura, përderisa për të "korrurat" nga fondet dhe shpërndarjen e tyre, do duhej të merrej Prokuroria Speciale e Shtetit në bashkëpunim me shërbimet e zbulimit në shtetet euro-perëndimore, ku kanë qenë të hapura xhirollogaritë e këtyre fondeve famoze '3%'-i për Republikën e Kosovës" dhe 'Vendlindja Thërret' ", ka potencuar Zeqa.

Image

 

Bandat janë në krye të shtetit

Analisti politik, Reshat Badallaj, pohon se ky proces duhet të jetë aq i thellë sa të sanksionon edhe shpifjet qëllimkëqija, që janë bërë ndaj rivalëve të ndryshëm, e për të shkuar deri në majë të krimit e të korrupsionit. "Shpifja është krim që vjen menjëherë pas vrasjes dhe në qoftë se shpifi unë, bëj një krim që duhet të përgjigjem para drejtësisë. Pse e them këtë, sepse jam i sigurt se VETTING-u duhet të fillojë dhe të trokasë në dyert e hajnisë dhe krimit të organizuar nga kriminelët që shkatërruan shtetin e Kosovës", vlerë- son ai. "Pra, pa pasur frikë fare nga etiketimet, shpifjet dhe ofendimet e them me gojën plot se hajnat, banditët, kriminelët shkatërrimtarë të vendit duhet kërkuar në majat e larta të shtetit, në Qeverinë në theqafje dhe në Qeverinë e posaformuar që edhe kjo nuk e ka të gjatën...mbajeni mend, me banditët dhe kryebanditët e bandave politike dhe në sistemin e kalbur gjyqësor", tha Reshat Badallaj. Sipas tij, hajnat, banditët dhe kriminelët kanë marrë hov nga tri fonde të luftës, Fondin '3%', 'Vendlindja Thërret' dhe fondin e 'Ahenit', nga të cilat kanë vjedhur para me thasë dhe duke depërtuar edhe në bankat e huaja. "Fondi i 'Ahenit' ka lindur pas fondit të Bukoshit (3%). Në këto fonde thonë mërgimtarët se kanë shtruar batanije dhe kanë hedhur para që më vonë këta kriminelë me djersën e bashkatdhetarëve janë bërë të kamur si sheikët e Dubait...", tha Reshat Badallaj.

Image

 

Partitë e manipuluan popullin

Këtë lloj vetëpastrimi të skenës politike, por në mënyrë vullnetare me qëllim të demokratizimit të shtetit dhe spektrit brenda partiak, e sheh nevojë edhe analisti politik Blerim Burjani. "Po, do të ishte mirë që këto parti të bashkëpunojnë ngushtë me organet e rendit dhe të drejtësisë për të denoncuar të gjithë bashkëpartiakët e tyre për vepra të bëra, pastaj që edhe të mos i kandidojnë fare për zgjedhje, mos t'u japin poste publike njerëzve të korruptuar, të ndalin nepotizmin dhe shkatërrimin e bordeve profesionale, duke i bërë ato politike, duke ndikuar në zgjedhje edhe të Ombudspersonit. Pra, duhet të ndalen të gjitha gjërat, të cilat janë të natyrës manipulative", u shpreh ai. "Partitë nuk kanë pasur fare interes të demokratizohen deri më tani, por më tepër janë marr me përfitime. E vërteta është se Kosova ka pasur liderë të papunë edhe sot këta liderë të papunë vazhdojnë të pasurohen përmes djersës së qytetarit. Këta njerëz së pari duhet të gjejnë një punë normale të përditshme dhe jo mandatorë, pra jo me mandat me vjet, sepse këta e keqpërdorin pushtetin pikërisht aq sa të munden për të marrë para nga buxheti i shtetit", tha Burjani për "Kosova Sot"

Image

 

Vetëm presioni ndërkombëtar kryen punë

Analisti Faton Mehmeti pohon se duke u nisur nga vetë fakti që ka një garniturë liderësh politikë, që thirren në emër të luftës, dhe pa asnjë fije turpi mbushen xhepat e tyre me miliona euro, të cilat ishin destinuar për luftën çlirimtare, dhe po me atë ego krimi e korrupsioni vazhduan edhe në periudhën e mëvonshme të ndërtimit të shtetit, gjithsesi që pastrimi i tyre me një VETING të ashpër është domosdo e kohës. "Në njërën anë me Fondin '3 %' dhe në anën tjetër me 'Vendlindja Thërret', kamufluan qëllimet e tyre të errëta në emër të luftës çlirimtare për të gllabëruar djersën e shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Pasi mbushën xhepat me miliona, arritën të krijonin rrjetin e mafiozëve dhe bandave, me të cilat e kanë kapur shtetin, i cili shtet po jep frymën e fundit. Isa Mustafa dhe Bujar Bukoshi në njërën anë me Fondin '3%' dhe Xhavit Haliti dhe banda e tij me 'Vendlindja Thërret', i kanë bërë dëme të mëdha atdheut, në ditët kur më së shumti kishte nevojë. Është e pabesueshme se si ende këta njerëz udhëheqin me shtetin, gjoja për të bërë drejtësi dhe shtet ligjor, gjoja për të zhvilluar ekonominë dhe për të ndalur korrupsionin", theksoi ai. "Asnjë njeri më, për asnjë fije mend nuk beson se Isa Mustafa dhe Xhavit Haliti bëjnë drejtësi, kur vetë janë kokat e krimit dhe hajnisë. Prandaj, është i domosdoshëm procesi i Vetting-ut, i cili do të zhveshë edhe politikën edhe drejtësinë nga petku i krimit dhe hajnisë", tha Mehmeti për "Kosova Sot". Ai nuk beson që vullnetarisht kjo klasë politike do ta bëjë një hap të tillë, nëse nuk ka presion nga jashtë. "Vetëm me presion të SHBAsë dhe BE-së do të mund të bëhej një gjë e tillë, ndryshe jam pesimistë se do të bëhet një gjë e tillë nga vetë vullneti i kësaj klase politike, edhe pse është shumë emergjente një gjë e tillë. Duhet të dalë në dritë e kaluara dhe e tashmja e gjithë secilit, ndryshe rrezikohemi, që hajni të bëhet ministër, i korruptuari të bëhet prokuror etj", u shpreh Mehmeti.

(Kosova Sot)