A do ta sulmojë Kim Jong Un Amerikën? Lexojeni intervistën imagjinare të gazetarit Fareed Zakaria

  • 19 September 2017 - 13:30
A do ta sulmojë Kim Jong Un Amerikën? Lexojeni intervistën imagjinare të gazetarit Fareed Zakaria

Ndonjëherë më pyesin se çfarë figura botërore dëshiroj më shumë që të intervistoj. Për mua, përgjigja është e qartë: Kim Jong Un. Përshtypja e përgjithshme rreth globit vazhdon të jetë se udhëheqësi i Koresë së Veriut është i çmendur, provokues dhe i paparashikueshëm, por mendoj se ai mund të jetë strateg, i mençur dhe krejtësisht racional. Sepse unë nuk kam gjasa që ta marr atë në intervistë, kam vendosur ta imagjinoj një të tillë.

Pyetje: Marshall Kim, përse vazhdoni të ndërtoni dhe testoni armë bërthamore dhe raketa, edhe pse ato rezultojnë me sanksione masive dëmtuese ekonomike?

Përgjigje: Kombi im përballet me një sfidë themelore – mbijetesën. Regjimi është më i kërcënuar se kurrë më parë. Paraardhësit e mi e kishin të lehtë. Udhëheqësi i Madh, gjyshi im, udhëhoqi me mbështetjen e superfuqisë tjetër në botë në atë kohë, Bashkimin Sovjetik, si dhe fqinjin tonë gjigant, Kinën. Udhëheqësi i dashur, babai im, akoma kishte ndihmën e Pekinit për pjesën më të madhe të udhëheqjes. Por sot, Bashkimi Sovjetik është histori dhe Kina është bërë më e integruar me sistemin perëndimor. Dhe superfuqia e vetme, Shtetet e Bashkuara, e ka bërë të qartë se ajo kërkon ndryshimin e regjimit në vendin tim. E megjithatë, ne kemi mbijetuar me ideologjinë dhe sistemin tonë të paprekur. Si? Sepse ne kemi ndërtuar një mbrojtje për veten tonë në formën e armëve bërthamore.

Pyetje: Por Kina ende ju siguron furnizime të rëndësishme të ushqimit dhe karburantit. A nuk e sheh si aleat?

Përgjigje: Kina është një shtet pragmatist pa mëshirë. Na mbështet për interesat e saj egoiste. Nuk dëshiron miliona refugjatë – ose një Kore të bashkuar në kufirin e saj, që është një version më i madh i asaj që Koreja e Jugut është tani, me trupa amerikane dhe një aleancë traktati. Por unë besoj se Kina nuk na konsideron një aleat. Ajo ka votuar për të na sanksionuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Presidenti i tanishëm, Xi Jinping, kultivon marrëdhënie të ngushta me Korenë e Jugut. Ai kurrë nuk është takuar me mua, udhëheqësin e Koresë së Veriut, diçka që udhëheqësitë e Kinës kanë bërë gjithmonë. Ndërkohë, ai ka pasur rreth 10 takime me dy presidentët e fundit të Koresë së Jugut. Në festimet madhështore në Pekin dy vjet më parë në përkujtim të 70 vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ai vendosi në krahun e tij presidentin e Rusisë dhe presidentin e Koresë së Jugut. Në Korenë e Veriut, ne i kushtojmë shumë vëmendje ceremonive dhe asaj që ata sinjalizojnë.

Pyetje: A është kjo arsyeja pse ju duket se po vazhdoni në rrugën tuaj për të vënë në siklet Kinën dhe Xi-në në veçanti?

Përgjigje: Ne nuk do të stepemi prapa. Kemi dëgjuar se zyrtarë të lartë në Kinë dhe Shtetet e Bashkuara po diskutonin nëse do të inkurajonin një grusht shteti në Korenë e Veriut për të vendosur një sundimtar më të butë. Kështu që unë kam marrë hapa për të siguruar që kjo të mos ndodhë. Njeriu në qeverinë tonë, i afërt me kinezët, të cilët mund të kishin organizuar një përpjekje të tillë grusht shteti, ishte xhaxhai im. Njeriu që do të ishte zëvendësuesi im i natyrshëm ishte gjysëm vëllai im. Të dy janë likuiduar, ashtu si dhe më shumë se 100 zyrtarë jobesnik të nivelit të lartë.

Pyetje: Pra do të vinit në tryezën e negociatave? A do të pranoni de-nuklearizimin në këmbim për heqjen e sanksioneve?

Përgjigje: Po dhe jo. Ne do të ishim të gatshëm të vinim në tryezë. Por ne kurrë nuk do të heqim dorë nga arsenali ynë. Ne nuk jemi budallenj. Ajo është e vetmja gjë që na mban të gjallë. Shikoni Saddam Hussein – dhe kurrë nuk e harrojmë që Koreja e Veriut u emërua si pjesë e “boshtit të së keqes” një vit para se Shtetet e Bashkuara të pushtonin Irakun. Shikoni çfarë ka ndodhur me Moammar Gaddafin në Libi, pasi ai pranoi të heqë dorë nga programi i armëve bërthamore. Shikoni se çfarë po ndodh tani me Iranin. Pasi Uashingtoni nënshkroi një marrëveshje dhe iranianët janë certifikuar se po i përmbahen kësaj, Presidenti Trump tani thotë se do ta anullojë atë gjithsesi. A mendoni se ne do të ishim aq budallenj sa të besonim premtimet amerikane pas gjithë kësaj? Ne jemi një fuqi bërthamore. Kjo nuk është e negociueshme. Ne jemi të gatshëm të flasim për kufizime, ndalime provash, ngrirje – por neve duhet të na jepet diçka në këmbim, dhe jo vetëm para. Ne kemi nevojë për siguri, në formën e njohjes diplomatike nga Uashingtoni dhe garancive për mosndërhyrje nga Kina, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara.

Pyetje: Shumë amerikanë shqetësohen që së shpejti do të keni kapacitetin dhe qëllimin për të nisur raketa drejt Shteteve të Bashkuara.

Përgjigje: Do të kemi kapacitetin. Dhe shërben qëllimet e mia për t’ju mbajtur jashtë punëve të mia. Por pse do ta godisja Amerikën dhe të inicioja një kundërsulm që do t’i jepte fund regjimit tim? Mbaheni këtë në mend, i gjithë synimi i kësaj – e gjitha strategjia ime, të gjitha përpjekjet tona dhe vështirësitë që kemi përballuar – është të sigurojmë që regjimi im dhe unë të mbijetojmë. Pse do ta rrezikoja këtë? Unë besoj në vrasjen, jo në vetëvrasje.

The Washington Post

(Kosova Sot)