Neziraj: Institucionet të jenë shumë vigjilente

  • 19 September 2017 - 13:34
Neziraj: Institucionet të jenë shumë vigjilente

Eksperti i ekonomisë dhe ish-deputeti Xhevdet Neziraj tha për "Kosova Sot" se sa i përket kësaj çështje duhet të kenë përgjegjësi kryesore institucionet e Republikës së Kosovës, sepse këto janë përgjegjëse edhe për shëndetin e qytetarëve të vendit. "Kompania 'Devolli' ka demantuar shumë herë këtë lajm, por duhet institucionet, si AUVK-u, Dogana, Prokuroria dhe institucionet e tjera që të dalin me analiza dhe me një raport të detajuar se në të vërtetë me çfarë mielli janë duke u ushqyer qytetarët e vendit, e nëse në këtë drejtim ka shkelje atëherë duhet pa marrë parasysh se kush qëndron pas kësaj të japë përgjegjësi para organeve kompetente dhe të marrin dënimin e merituar", u shpreh ai. "Në kohën kur edhe në shumë vende të BE-së po ka skandale të ndryshme rreth produkteve ushqimore, si bie fjala rasti i fundit me vezë, që po thuhet se janë shitur në tregun e gjithë Evropës, të cilat janë të dëmshme për njeriun atëherë institucionet e vendit duhen që të jenë syhapur se çfarë produktesh kemi në tregun tonë", potencoi ai. Neziraj tha se AVUK-u, si një prej agjencive të shtetit detyrë primare e ka edhe këtë çështje të miellit, por edhe të produkteve të tjera. "Siç dihet, kemi pasur nga kjo agjenci kohën e fundit një aksion ku në bashkëpunim me Doganën dhe Policinë e Kosovës kanë asgjësuar mish me afat të skaduar, prandaj këto institucione duhen të jenë në krye të detyrës, sepse fundja për atë qëllim edhe janë themeluar dhe duhet të veprojnë, por edhe të bëjnë transparente se cilat ndërmarrje janë duke bërë veprime të tilla që po dëshirojnë të helmojnë qytetarin e vendit për interesa personale", u shpreh Neziraj. "Ndaj këtyre kompanive për veprime të tilla duhet që të gjithë mekanizmat e shtetit të bëjnë punën e tyre, në mënyrë që të mbrohet jeta e qytetarëve dhe për veprime të tilla të dënohen sa më ashpër, sepse kemi të bëjmë me jetën e qytetarit të vendit tonë", potencoi ai.

(Kosova Sot)