Skandali "Rikallo" godet kupolën e VV-së

  • 20 September 2017 - 07:52
Skandali

ZBARDHJA E LIDHJEVE TË AKTIVISTËVE SHQIPTARË E SERBË TË KAN-it

Sahitaj: Deputetët e Kuvendit të kërkojnë që Albin Kurti të deklarojë për lidhjet e tij me të dyshuarin për krime lufte

"Me heshtjen e tyre, Albin Kurti e Shpend Ahmeti ndoshta ende shpresojnë se vërtet populli do të harrojë faktin që treshja: Kurti, Ahmeti dhe Rikallo ishin shokë të ngushtë dhe themeltarë të KAN-it, asociacion që kishte për mision jo vetëm kthimin e serbëve, por edhe rivendosjen e bashkimvëllazërimit dhe futjen e proletariatit në jetën e qytetarëve të Kosovës, financuar nga Serbia dhe kapitalistët serbë të Austrisë", tha analisti Gani Qarri 

Pavarësisht faktit që një grup qytetarësh prishtinas të lagjes 'Dardania' po vazhdojnë të denoncojnë hapur ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikallo, për tortura dhe maltretime në kohën e luftës dhe reagimeve të disa partive politike, mbetet akoma një enigmë e madhe pse në këtë rast po heshtin aq shumë Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti për lidhjet e tyre të hershme të partneritetit bashkëveprues të pasluftës me ministrin Rikallo. Tani ministri Rikallo deklaroi se në vitin 2003 së bashku me Albin Kurtin ka marrë pjesë në themelimin e organizatës joqeveritare KAN, e njohur edhe për skandale financiare. Ndërkohë, po shihet që Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti kanë shpresuar se populli do të harrojë këtë fakt, që të tre paskan qenë pjesë e KAN-it, derisa dyshohet që KAN-i i Albin Kurtit dhe Shpend Ahmetit ishte një asociacion me vizionin për kthimin e bashkimvëllazërimit e proletariatit në jetën e qytetarëve në Kosovë, të financuar nga Serbia dhe kapitalistët serbë të Austrisë. Analistët po e shohin heshtjen e dyshes kryesore në VV se do t`iu dalin edhe të tjera të palara në shesh, deri te shitja masive e lejeve ndërtimore, përmes së cilave para po i blejnë votat e popullit, të vetëdijshëm se populli ata nuk i do dhe as nuk i vlerëson, prandaj Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti nuk po deklarohen rreth financimit nga kapitalistët serbë-austriakë.

Heshtja e qëllimshme

Analisti Reshat Sahitaj konsideron se Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti po heshtin qëllimisht, duke shpresuar së informatat për lidhjet e tyre të harrohen në mënyrë që mos të marrin përmasa masovike. "Heshtjes së Albin Kurtit dhe Shpend Ahmetit po i ndihmojnë edhe televizionet tona, sepse lajmi për këto lidhje sekrete të Albinit dhe Shpendit me Nenadin dhe serbë të tjerë nuk u përmend në asnjë lajm qendror të mjeteve të informimit në Kosovë. Atë mbrëmje u lexua letra e Nenad Rikallos gati e tëra, mirëpo nuk u tha në lajme një fjali e vetme lidhur me Albinin e Shpendin. Këta të VV-së janë të çuditshëm kur u zbulohen faktet në dëm të tyre, i heshtin, e kur vetëm një dobësi të kundërshtarit ta dinë, ngrihen në demonstrata. Unë mendoj se është obligim moral i Albinit dhe Shpendit që të dalin para elektoratit të tyre dhe ta thonë të vërtetën lidhur me relacionet e tyre me Nenad Rikallon", u shpreh ai."VVja nuk duhet t'i sulmojë e ofendojë ata që shkruajnë realitetin e hidhur mbi relacionet sekrete të Albinit e Shpendit, sepse tanimë ato u bënë publike dhe ne kemi plotësisht të drejtë morale dhe ligjore të kërkojmë sqarime urgjentisht. Mirëpo, militantët e tyre e sulmojnë çdo individ që guxon të postojë në faqen e tyre të 'Facebook'-ut, duke e quajtur gjoja i paguar nga Serbia. Si është e mundur kur një lexues, një qytetar i thjeshtë e madje edhe publik të etiketohet spiun i Serbisë nga këta militantë, ndërsa nuk akuzohen Albini e Shpendi?!", thotë Reshat Sahitaj. Sipas tij, Albini dhe Shpendi do të heshtin edhe më tutje, me qëllim që mos t'u zbulohen gjëra edhe më komprometuese, për të cilat ne nuk dimë asgjë. "Unë personalisht, si qytetar i thjeshtë i këtij shteti, i bëj thirrje publike Albin Kurtit që ai të deklarohet publikisht mbi relacionet e tij me Nenad Rikallon dhe jo vetëm kaq, por çka e ka shtyrë Albin Kurtin të nënshkruajë formimin e një asociacioni me një serb të dyshuar për krime lufte e nuk e ka nënshkruar votën për Ramushin që të bëhet kryeministër i Kosovës pa votën e serbëve?! Sqarimi publik i Albin Kurtit dhe Shpend Ahmetit mbi lidhjet me të dyshuarin për krime lufte do t'i ndihmonte elektoratit të tij dhe partisë, VV-së, e në anën tjetër do të qetësoheshin shpirtrat e trazuar të mbarë popullit tonë. Është tepër shqetësuese që Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti të jenë në krye të pushtetit, qoftë komunal ose qendror, sepse lidhjet e tyre sekrete me serbë janë antikombëtare dhe për këtë duhet sqarim publik. Nëse Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti nuk japin sqarime publike, atëherë deputetët e Kuvendit duhet të kërkojnë në seancën e parë që Albin Kurti të deklarojë për lidhjet e tij më të dyshuarin për krime lufte", vijoi më tutje ai. 

Bomba plasi në oborrin e VV-së

Analisti Reshat Badallaj thotë se pikërisht me rastin Rikallo plasi bomba në oborrin e klubit të inkriminuar të VVsë. "Rikallo, që tani për tani po dyshohet për kriminel lufte, ndërkaq nuk po dyshohet fare, por shumë dëshmitarë të gjallë po e njohin që shqiptarët i ka shkokërdhuar dajak dhe i ka bërë sakat", u shpreh ai. "Pa e shtyrë askush këtë kapadai shqiptar urrejtës, foli nga goja e tij se kishte miq të kahershëm ortakët e tij të ngushtë: Shpendin e Ali Ahmetit, djalin e një titisti, Albin Kurtin dhe shumë të tjerë. Nenadi ka akoma shumë për të treguar se kush është ai biznesmeni serb që jeton në Austri, se nga sa para i ka paguar, do të flasë edhe nga sa para kanë marrë nga 'George SORROSI'. Nga kjo po del se lidhja e tyre është e kamotshme, që u vërtetua nga miku i tij i vjetër me tradita të moçme antishqiptare që kishte maltretuar shqiptarët si kafshët në kohë lufte. Se vërtet është kështu e vërtetoi edhe Fisnik Ismaili, djali i atij që kishte mik të ngushtë kryekriminelin serb, Slobodan Milosheviqin", theksoi Reshat Badallaj. 

Të panjohura të tjera mund të dalin në dritë

Analisti politik, Faton Mehmeti, pohon se vetë fakti se Albini dhe Shpendi po heshtin ndaj rastit 'Rikallo' shpreh më së miri njohjen që kanë këta mes tyre dhe rrezikun nga ai që t'u nxjerrë në shesh të gjitha të palarat. "Kanë frikë se Rikallo do t'u zbulojë edhe të tjera të panjohura, prandaj edhe po heshtin. Gjithsesi do të duhej të prononcoheshin të dy, pasi janë të cituar nga Rikallo dhe një shpjegim është i domosdoshëm dhe krejt normal. Nuk besoj se Albini dhe Shpendi kanë pritur që Rikallo të flasë për njohjen e tyre, bashkëpunimin që kanë pasur, si dhe gjëra të tjera që momentalisht janë të panjohura. Është mungesë guximi të heshtësh, derisa dikush të etiketon, ose citon për një çështje të caktuar. Pavarësisht se deri ku ka rezultuar bashkëpunimi mes tyre, Albini dhe Shpendi duhet të flasin", potencoi ai. "Heshtja është pranim i fajit, i pamundësisë për ta mohuar të vërtetën. KAN-i ishte lëvizje e aktivistëve të rinj, që për mision proklamonin se kanë ndryshimet shoqërore dhe krijimin e qytetarisë aktive. Albin Kurti ishte pjesë e saj së bashku me Shpendin, aty ishte edhe Rikallo, i cili tani e zbuloi të vërtetën. Albini duhet të shpjegojë cili ishte roli i Rikallos aty dhe çfarë kërkonte ai aty. Këtyre dhe shumë të tjerave Albini dhe Shpendi duhet t'u përgjigjen. 'Vetëvendosje' është pasardhëse e KAN-it, si ka tash mundësi VV-ja të thirret në patriotizëm, derisa KAN-i kishte për qëllim bashkimin shqiptaro-serb", tha Faton Mehmeti. 

Drejtësia të hetojë rastin

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, konsideron se drejtësia duhet të merret thellësisht me këtë çështje. "Akuzat e bëra ndaj ministrit Rikallo janë të domosdoshme të shqyrtohen nga ana e organeve kompetente dhe mbi atë bazë të merret vendimi. Jam shumë dakord se asnjë kriminel serb, si dhe asnjë gjenocidist i Serbisë nuk duhet të jetë i lirë, e ku më në qeveri. Ajo që më prek jashtëzakonisht shumë është heshtja e politikanëve të Kosovës në raport gjoja me këtë person të akuzuar për kriminalitet. Është detyrë e domosdoshme që të gjithë të apostrofuarit të deklarohen, s'është me rëndësi kush dhe subjekti politik të tregojë raportet me Rikallon. U takon edhe Albinit dhe edhe Shpendit të tregojnë se ku kanë qenë me të, në cilin subjekt kanë punuar dhe çka kanë punuar", u shpreh ai. "Nuk mundet kjo çështje thjesht të kalojë dhe të harrohet. Krimi është krim dhe çdokush që nuk deklarohet për të bartë përgjegjësi. Kuptohet nëse jo penale, morale domosdo", tha prof . Muhamet Kelmendi. Ai edhe në këtë rast ka rikujtuar vuajtjet e rënda, për 20 mijë femra të dhunuara, që askush nuk është përgjigjur dhe 1 milion shqiptarë të dëbuar me dhunë dhe asnjë kriminel nuk gjendet në burg.

Të formohet një komision hetimor parlamentar

Profesor Riza Smaka nuk dëshiron të mos u besojë denoncimeve të bëra nga qytetarët, por ai thekson se derisa nuk vërtetohet gjendja e mundshme e fajë- sisë që i ngarkohet atij, ai duhet të konsiderohet si person i pafajshëm. "Në këtë etapë të theksimeve, referuar keqtrajtimeve të civilëve shqiptarë nga ministri Rikallo, si dhe involvimeve eventuale të Albin Kurtit dhe Shpend Ahmetit në afera dhe kombinatorika politike dhe financiare inkonsistente, duhet përcaktuar një qëndrim parimor të paparagjykuar. Në radhë të parë, aktualisht, nuk argumentohet asnjë farë teze e tillë pos që apostrofohet nga individë të caktuar. Ndaj, sipas hipotezës së pafajësisë, përderisa fajësia të mos verifikohet në procedurë legale, nuk duhet të paragjykohet asgjë", u shpreh ai. "Ndërkaq, ka vend dhe nevojë imediate për t'u ngritur një komision hetimor parlamentar 'ad hoc' për temat në fjalë dhe pas konstatimeve të miratuara nga ai komision do të duhej debatuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Varësisht nga konkluzionet e Kuvendit, institucionet publike përkatëse do të duhej proceduar rastet konkrete, konform me ligjin e aplikuar", tha Smaka për "Kosova Sot".

Përpjekja për bashkim-vëllazërim

Analisti Gani Qarri ka thënë se rasti më i ri i sapoaktualizuar i bashkëpunimit me njerëz e organizata të përfolura, jo vetëm për keqpërdorime financiare, por edhe ndërkëmbëza shtetërore e kombëtare nga udhëheqësit kryesorë të VV-së, në emër të të ashtuquajturave OJQ, i bërë publik këto ditë nga Nenad Rikallo, mund të jetë vetëm një gur i vogël në grumbullin e madh të prapë- sive të vetë ish-kryetarit të 'Vetëvendosjes', Albin Kurti, dhe kryetarit aktual të Prishtinës, Shpend Ahmeti. "Përkundër faktit se Rikallo qysh moti përflitej nga jo pak banorë të lagjes 'Dardania' në Prishtinë për torturat, që ai u bënte fqinjëve të tij shqiptarë gjatë kohës së luftës në Kosovë, Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti derisa bashkëpunonin me të nuk e akuzuan atë kurrë, por u përpoqën bashkë me këtë zyrtar të lartë të Listës Serbe vite me radhë për sjelljen e serbëve nga Serbia në Kosovë, duke e akuzuar vetëm tani për krime ndaj shqiptarëve, sikur ato të kishin ndodhur dje dhe pas përfundimit të bashkëpunimit të tyre me të. Për aq më keq, si shoku Kurti ashtu edhe shoku Shpend Ahmeti, vazhdojnë të heshtin pa fije turpi edhe pas dëshmisë së Nenad Rikallos, se ai në të kaluarën jo fort të largët shokët dhe bashkëpunëtorë më të ngushtë i kishte pikërisht Albin Kurtin dhe Shpend Ahmetin, me të cilët në vitin 2003 ata kishin krijuar edhe OJQ-në e ashtuquajtur KAN, (Kosovo Asociacion Network), të njohur jo vetëm për skandale financiare, të cilën Rikallo e konsideron edhe si paraardhëse të 'Vetëvendosjes' ", potencoi ai. "Me heshtjen e tyre, Albin Kurti e Shpend Ahmeti ndoshta ende shpresojnë se vërtet populli do të harrojë faktin që treshja: Kurti, Ahmeti dhe Rikallo ishin shokë të ngushtë dhe themeltarë të KAN-it, asociacion që kishte për mision jo vetëm kthimin e serbëve, por edhe rivendosjen e bashkim-vëllazërimit dhe futjen e proletariatit në jetën e qytetarëve të Kosovës, financuar nga Serbia dhe kapitalistët serbë të Austrisë?", vijoi më tutje analisti Qarri. 

(Kosova Sot)