Qeveria e pazareve nuk mund t'i ndalë monopolet dhe kontrabandën

  • 20 September 2017 - 08:17
Qeveria e pazareve nuk mund t'i ndalë monopolet dhe kontrabandën

Buxheti i shtetit po humb qindra miliona euro nga mafio-bizneset dhe mafio-politikanët

Përfaqësues të bizneseve, shoqërisë civile dhe ekspertë të ekonomisë, shumica sish, janë të mendimit se Qeveria 'Haradinaj' mund t'u japë fund abuzimeve që janë bërë nga paslufta e deri më sot me derivatet jocilësore të naftës, për shkak të së cilave, sipas njohësve të kësaj fushe, po shkatërrohen çdo ditë veturat e qytetarëve. Analistët janë të bindur se me Qeverinë 'Haradinaj', nëse ka vullnet nuk do të lejohet që të vazhdojë avazi i vjetër i tolerimeve të nëntokës, që kontrollon tregun e naftës dhe të derivateve të naftës, "bosët" e të cilave kompani po sillen ndaj qytetarëve dhe konsumatorëve sikur të mos kishte fare shtet. Por, në mesin e analistëve të ekonomisë ka edhe të atillë, që janë të mendimit se jo vetëm në sektorin e derivateve të naftës, por edhe në sektorë të tjerë, nëntoka dhe mafia vendore do të vazhdojnë që ta kontrollojnë çdo sektor fitimprurës në ekonominë e brishtë kosovare. Kjo, ngase, si kanë theksuar analistët, të gjitha qeveritë e deritanishme të Kosovës janë bërë aleate me nëntokën dhe asnjëra nga këto qeveri për fatin e keq të qytetarëve tanë deri më sot nuk denjoi që t'i luftojnë parregullsitë e shumta në numër, që janë në këtë sektor, por edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë vendore.

Shoqata shpreson në partneritet me qeverinë

Nënkryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Ramadan Maloku, tha për "Kosova Sot" se shoqata beson shumë në punën e kryeministrit Ramush Haradinaj, dhe se më në fund nga ana e kësaj qeverie edhe ky sektor i çrregulluar me vite që nga paslufta do të arrijë, që të vendoset në binarët e duhur, ku do të ketë rend dhe rregull disiplinë dhe cilësi. "Shoqata e Naftëtarëve ia ka dërguar me shkrim disa herë kërkesat tona në adresë të MTI-së, por zyrtarët e tyre dhe ish-ministrja Hykmete Bajrami asnjëherë nuk janë përgjigjur. Andaj, kemi besim të plotë se kjo nuk do të ndodhë me Qeverinë 'Haradinaj' dhe kemi besim të plotë se të gjitha kërkesat e Shoqatës së Naftëtarëve do të realizohen nga kjo qeveri", tha ai. "Me Qeverinë 'Haradinaj', në këtë sektor më në fund do të ketë rregull dhe kontrollime të cilësisë se derivateve, që po importohen dhe kjo do të mundësojë që edhe në Kosovë të mbërrijmë nivelin e duhur të cilësisë së derivateve e jo siç ka qenë në mandatin e ish-ministres së MTI-së, Hykmete Bajrami, kur nga ana e trupave inspektuese vetëm lexoheshin letrat dhe pa bërë asnjë lloj kontrollimi të cilësisë së derivateve lëshohej certifikata e konformitetit pa u kontrolluar fare cilësia", potencoi Maloku. "Shoqata e Naftëtarëve e ka ngritur zërin për tenderin 15 milionësh që iu ka ndarë vetëm një kompanie, por pas reagimit ky tender tashmë është ndarë në 6 lote apo pjesë dhe implementimi i këtij tenderi duhet që sa më parë të përfundojë", u shpreh ai. "Veç saj Projektligji i derivateve të naftës duhet që sa më parë të dërgohet për debatim dhe miratim në Kuvendin e Kosovës, ngase pas vërejtjeve dhe kërkesave tona, ky ligj tashmë i plotë- son të gjitha kushtet dhe i njëjti ligj është shumë transparent dhe në përputhje me standardet e BE-së", vijoi më tej ai.

Monopolet e kanë prishur tregun 

Lideri i AKB-së, Agim Shahini, për "Kosova Sot" tha se tregu i derivateve të naftës në Kosovë është një treg, që për çdo ditë ballafaqohet me sfida të ndryshme, qoftë ato të informalitetit, kontrabandimit, por edhe të kualitetit joadekuat të derivateve, i cili nuk është i deklaruar realisht në dokumente zyrtare. "Shumë nga ne jemi dëshmitarë që një numër i madh i pikave të karburanteve të shitjes së derivateve nuk janë të fiskalizuara, dhe kjo paraqet një vështirësi dhe pabarazi për konsumatorët, por edhe për tregtarët që afarojnë me këtë produkt, kurse në këtë mënyrë po bëhet evazion i madhe fiskal në dëm të buxhetit të institucioneve dhe arkës shtetërore të Kosovës", u shpreh ai. "Qeveria 'Haradinaj' i di këto probleme, dhe se i tërë ky problem me derivatet e naftës është një hallkë zinxhirore, që është e kyçur në mes të tregtarëve të fuqishëm, që kanë krijuar monopole, por shpresoj se me Qeverinë 'Haradinaj' do të liberalizohet tregu i derivateve, duke u ofruar atyre barazi në treg çdonjërit që dëshiron të investojë në këtë sektorë", ka thënë Shahini. "Derivatet e naftës janë produkti kryesor, që në Kosovë e siguron buxhetin e shtetit dhe si një degë fitimprurëse duhet që të jetë shumë më tepër e kontrolluar sesa deri më tani, në mënyrë për të siguruar një përfitim sa më të madh financiar, por edhe për të siguruar importe sa më cilësore të derivateve të naftës sesa që kanë qenë deri më tani", ka thënë i pari i AKB-së Agim Shahini.

Cilësia e derivateve, shumë e dyshimtë

Ekonomisti Dardan Grapci tha për "Kosova Sot" se me Qeverinë 'Haradinaj' presim, që nëntoka do të largohet nga skena e kontrollimit të derivateve të naftës, ashtu siç kanë bërë deri sot, ngase nëse vërtet Haradinaj e ka vendosur që t'i japë fund këtij fenomeni shkatërrues për buxhetin e shtetit. "Jam optimist se ekonomia kosovare do të rregullohet dhe shpresoj dhe besoj që kjo qeveri e re do bëjnë me gisht tek kompanitë e naftëtarëve të Kosovës. Kjo, ngase ata fillimisht duhet që të pajisen me arka fiskale, që si proces i fiskalizimit ka mbetur në gjysmë të rrugës e më pastaj qeveria 'Haradinaj' duhet që të fokusohet në importimin e derivateve cilësore e jo sikurse që ka qenë deri më tani, dhe se botërisht ka qenë e ditur se në Kosovë janë importuar derivatet më jocilësore në tërë rajonin tonë", potencoi ai.

Nëntoka do të fuqizohet edhe më shumë

Analisti Florim Rudhani tha për "Kosova Sot" se qeveria 'Haradinaj' është e pafuqishme të ndalë diçka, jo sepse nuk dëshiron, por nga pafuqia politike. "Figura më e pafuqishme politike është për momentin, për shkak të rezultatit zgjedhur dhe numrat si kryeministër". Ai është i mendimit se është e pamundur që të ndalen derivatet ilegale dhe jocilësore, që po përfundojnë në Kosovë, që nga Rusia përmes Serbisë. "Avazi i vjetër veç ka për t'u fuqizuar nga nëntoka, sepse nëntoka e krijoi këtë qeveri me dy ministra, që janë në hetime, pra që tregon se ne kemi edhe një qeveri të papastër dhe kjo është edhe arsyeja që nuk duhet të presim që nuk do të ketë tolerime për veprimet e paligjshme nga nëntoka", u shpreh më tutje Rrudhani. 

Konsumatorët nuk u përfillën as tash

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku ('Konsumatori'), tha për "Kosova Sot" se si qeveritë paraprake, kuvendet e ministritë, as kjo qeveri akoma me asnjë emër ose rresht nuk i është drejtuar qytetarit konsumator taksapagues. "Nëse nga institucionet, përveç 'fasadës' ( përbërjes së re me kuadro menaxhuese) nuk ka ndryshime, atëherë çfarë mund të presim. Ai tha se çdo Kuvend, Qeveri, Ministri ja Agjencion/ Mekanizëm...i deritanishëm këtë sektor dhe sektorët e tjerë problematikë i rregullonte me trajtime kozmetike, me shou medial, me fjalime të mëdha. Por, jo me zgjidhje reale të problemit. Asnjë prej tyre nuk merrej me obligimet juridiko-ligjorekushtetuese, mandatore, obligimet që dalin nga kompetencat e autorizimet e marra me votën e lirë demokratike nga qytetari konsumator taksapagues, as me premtimet elektorale, as me standardet, as me kënaqëshmërinë e qytetarit konsumator taksapagues - të drejtat themelore socio-ekonomike, të cilat garantohen e mbrohen me Kushtetutë", potencoi ai. Sipas Kaçanikut, as kjo qeveri nuk ka Strategji të Zhvillimit Ekonomik - që është bazikja dhe kryesorja për menaxhimin e shtetit. "Përveç 'fasadës' në institucionet, Administratën Publike (edhe komunale) të Kosovës stafi është i njëjtë. As Ramush Haradinaj kryeministër, as Kuvendi i Kosovës, as Presidenca, as kabineti qeveritar nuk janë magjistarë ndaj nuk është reale as e pritshme, që të ndodhin ndryshime të mëdha, aq më pak të menjëhershme. Ndaj, as premtimet nuk kanë qenë reale", theksoi Kaçaniku. "Qeveria 'Haradinaj' duhet të ndikojë që partitë të shkurorëzohen nga bizneset donatore subvencionuese, kapëse të shtetit, sepse Kuvendi, Qeveria e ministritë duhet të kuptojnë e vetëdijesohen se donatori, subvencionuesi më i madh e kryesor i tyre, themeluesi, sovrani i shtetit, financuesi është qytetari konsumator taksapagues", ka thënë ai.

(Kosova Sot)