"Të fortët" e sundojnë Kosovën

  • 20 September 2017 - 08:04

KUR MBRETËRON LIGJI I XHUNGLËS

Demokracia kosovare, në letra, në praktikë, diktaturë kriminale

"Nëse nuk largohen të gjithë ata, të cilët i kanë monopolizuar pozitat e larta pushtetare , nuk ka perspektivë ne këtë vend. Hajnitë, pasurimi në kurriz të qytetarëve, pasiguria dhe frika kanë bërë që Kosova të bëhet vend i pashpresë, një vend ku po sundon ligji i më të fortit", tha Skënder Mulliqi
E dhe pse Kosova si shtet i ri, me një logjistikë të fuqishme ndërkombëtare në procesin e shtetndërtimit, me një monitorim të fuqishëm dhe "këshillim" të vazhdueshëm ndërkombëtar, po përmbyll dekadën e parë të funksionimit si shtet i pavarur, akoma nuk ka arritur të instalojë e të funksionalizojë si duhet në sistem të shtetit të mirëfilltë ligjor. Sipas analistëve politikë, në Kosovë, realisht çdo gjë po funksionon ashtu siç dëshirojnë "të fortët" e nëntokës dhe në vend të sundimit të ligjit, çdo gjë është e lidhur ngushtë me nëntokën, politikën, me partitë, me liderin, dhe Kosova vazhdon të vuajë nga mungesa e sundimit të ligjit, gjë që ka bërë që nëntoka të dirigjoj çdo gjë, ndërsa klientela vjel frytet, duke mbushur xhirollogaritë e njohura dhe të panjohura. Kjo situatë është kështu edhe për faktin se akoma nuk kemi prokurorë që guxojnë t'i hetojnë politikanët e kamur, nuk kemi as gjyqtarë të guximshëm që t'i dënojnë të korruptuarit me pozita të larta shtetërore nga mafio-oligarkët e bizneseve të pista e monopoliste e kriminale! Tani, bazuar në një gjendje të tillë të mosfunksionimit të shtetit, del konstatimi sipas të cilit Kosova po rrezikon të rrëshqet skajshmërisht në një në vend tepër i frikshëm për të jetuar, sepse nuk ka siguri për asgjë! Askush nuk i jep llogari askujt, ndërsa ata që kane instaluar krimin dhe dirigjojnë skemat mafio-kriminale, që në fakt qarkullojnë dhe zhvatin jashtëligjshëm miliardat, nuk lejojnë t'u preket biznesi i tyre i pistë, i kundërligjshëm e kriminal.

Votuesit e mashtruar

Analisti politik Florim Zeqa pohon se është fakt që në Kosovën e pasluftës, në vend të funksionimit të ligjit dhe drejtësisë, funksionon nëntoka kriminale e partive politike, sepse të fortët e politikës kontrollojnë çdo institucion dhe segment të jetës shoqërore në vend. "Partitë politike dhe liderët partiakë janë bërë vetë ligji dhe drejtësia në Kosovë. Individët dhe grupet e kriminalizuara me aderimin e tyre në partitë me ndikim në skenën politike, pushtojnë majat e pushtetit dhe bëhen të paprekshëm nga ligjet dhe drejtësia kosovare. Sot në Kosovë nuk ka prokuror që guxon t'i hetojë politikanët e korruptuar, sikurse që nuk ka gjyqtar që guxon t'i gjykojë bizneset e inkriminuara të lidhura me oligarkët politikë. Thënë edhe më qartë, krimi i organizuar dhe korrupsioni janë të instaluara në të gjitha institucionet e shtetit. Mafio-oligarkët politikë, në bashkëpunim me biznesmenët e inkriminuar në majat e pushtetit, në mënyrë të jashtëligjshme i zhvatin miliardat e shtetit, duke mos lejuar nga askush që t'u preken bizneset e pista dhe kriminale", tha Florim Zeqa. Ai po ashtu pohon se e keqja më e madhe është, se maskarenjtë në pushtet po vijnë me votën e popullit dhe duke u thirrur në legjitimitetin e cunguar qytetar, duke ia kthyer më pastaj shpinën elektoratit të mashtruar kosovar. "Pa përjashtuar liderët partiakë dhe klientelat e tyre kriminale, që e bëjnë vetë-ligjin, për qytetarët e zakontë, që nuk janë pjesë e strukturave kriminale dhe mafioze, Kosova është bërë vend i pasigurt dhe i frikshëm për të jetuar, ngase nuk ka siguri për asgjë në këtë vend", tha Zeqa.

Politika, shumë e papërgjegjshme

Analisti Arsim Haziri thotë se është fat i keq që Kosova qeveriset në këtë mënyrë. "Këtu në pyetje është vullneti individual për materialistët, jo edhe vullnet qytetar për ekonomi dhe mirëqenie qytetare. Tashmë kur janë në konsideratë këto objektiva, s'ka sesi të jetë ndryshe pushteti, pos pushteti në shërbim të rrjeteve të tyre përfituese, pushtet që merr përsipër jo edhe gjendjen e rëndë qytetare. Problem qendror në çorientimin e sistemit ligjor është instalimi i klientelës negative, klientelë, e cila është instaluar qëllimisht vetëm për të prodhuar situata, të cilat shkojnë në favor të eksponentëve politikë", theksoi ai. Analisti dhe publicisti Naim Kelmendi thotë se, ndonëse është pritur që në vitet e para të qeverisjes së pasluftës do të vihet në binarë të mirëfilltë shteti ligjor, kjo nuk po ndodh as sot e kësaj dite. "Për fat të keq, Kosova gjithë këto vite të pasluftës është udhëhequr nga 'të fortët',dhe kështu nga 'të fortët' e nëntokës së krimit që kanë shtrirë strukturat e krimit edhe në të gjitha poret e jetës së shtetit. Kështu që mund të themi se kjo klasë pushtetarësh e tejinkriminuar edhe skajshmërisht ka qenë shumë e papërgjegjshme, duke e kapur shtetin në të gjithë sektorët e jetës së tij, dhe në vend se të sundoje rendi dhe ligji në këtë shtet të ri, Kosovën e kanë shndërruar në një vend ku de fakto nuk ka rend dhe sundim të ligjit, por që fatkeqësisht çdo gjë këtu lidhet ngushtë me nëntokën e inkriminuar", tha Kelmendi për "Kosova Sot".

Mungesa e sundimit të ligjit, njollë e zezë

Njohësi i kësaj fushe, Albrim Badallaj thotë se tani është një kërkesë imediate që Kosova të mos vazhdojë të identifikohet si vend i krimit dhe i korrupsionit, për arsye se, përveç kushtëzimit për liberalizim të vizave, po del të jetë një faktor që pengon edhe investimet e huaja. "Vlerësoj që, mungesa e sundimit të ligjit, përmes trinomit politikë-biznese-drejtësi ka bërë që Kosova të vazhdojë të ketë njollë të zezë dhe të konsiderohet si vend i pasigurt për jetesë dhe për investime të huaja kapitale. Mentaliteti provincial, i instaluar në shumë dikastere të vendit, nën petkun e drejtësisë dhe barazisë, ka bërë që prokurorët dhe gjykatësit të jenë personat që më së shumti akuzohen, por që edhe janë fajtorët kyçë, ndoshta të të gjitha trazirave të brendshme që kanë prodhuar dhe po prodhojnë standarde të dyfishta për persona të caktuar, krim të organizuar dhe abuzime të ndryshme, në dëm të shtetit të Kosovës", tha Albrim Badallaj. Sipas tij, mosllogaridhënia ndaj eprorit dhe moskërkimi i përgjegjë- sisë ndaj vartësit është kultura më e keqe që është instaluar në institucione, meqë të gjithë tani pothuajse janë graduar me titullin "shef", që nga portieri e lartë. 

Testi i rëndë për Qeverinë e re

Sipas analistit politik Skënder Mulliqi, është tani koha që pikërisht Qeveria "Haradinaj" të provohet në këtë test të ri dhe premtimet e tij, angazhimin për shtet ligjor që i ka bërë për vite të tëra sa ishte në opozitë. "Është koha që më në fund të fillohet të punohet për së mbari në këtë vend, i cili është mbërthyer në krim dhe korrupsion nga njerëzit e fuqishëm të pushteteve të pasluftës, parapolitika dhe nga mafiozët e të gjitha ngjyrave. Që të zbriten këto dy fenomene në nivele normale, e të cilat po i kushtojnë shumë Kosovës, dhe shumë dukuri të tjera negative, së pari kërkohet të reformohen partitë politike, të cilat më shumë po ngjajnë në korporata. Të reformohen organet e drejtësisë, të cilat janë duke punuar me defekte të mëdha, janë duke u ndikuar nga njerëzit e fuqishëm të politikë dhe të biznesit", tha ai. "Oligarkët kanë futur nën kontroll çdo gjë, kanë futur ndikimin edhe në organe të drejtësisë. Pa reformim në mbarë sistemet, kurrë nuk do të kemi shtet ligjor dhe funksional. Nëse nuk largohen të gjithë ata, të cilët i kanë monopolizuar pozitat e larta pushtetare, nuk ka perspektivë ne këtë vend. Hajnitë, pasurimi në kurriz të qytetarëve, pasiguria dhe frika kanë bërë që Kosova të bëhet vend i pashpresë, një vend ku po sundon ligji i më të fortit. Është bërë vend i paperspektivë për të jetuar, se shumica janë të papune", theksoi Mulliqi për "Kosova Sot". Ndërsa analisti politik, Ali Hertica pohon se kjo situatë i përcjell kryesisht vendet e reja demokratike në tranzicion, të cilat kanë brishtësi të madhe në zbatimin e ligjit. "Por, te shoqëria kosovare ende gjithçka po funksionon mbi ligjin, politika është ajo që e bën dhe e mban pastaj peng zbatimin e ligjit, sepse në pushtet vazhdojnë të qëndrojnë për shumë kohë, dhe kjo ka bërë që të ashtuquajturit "të fortët" e politikës të mbeten gjithnjë të paprekshëm, edhe pse ata janë të parët që e shkelin ligjin", u shpreh Hertica për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)