Shahini: Monopolet e kanë prishur tregun

  • 20 September 2017 - 22:52
Shahini: Monopolet e kanë prishur tregun

Lideri i AKB-së, Agim Shahini, për "Kosova Sot" tha se tregu i derivateve të naftës në Kosovë është një treg, që për çdo ditë ballafaqohet me sfida të ndryshme, qoftë ato të informalitetit, kontrabandimit, por edhe të kualitetit joadekuat të derivateve, i cili nuk është i deklaruar realisht në dokumente zyrtare. "Shumë nga ne jemi dëshmitarë që një numër i madh i pikave të karburanteve të shitjes së derivateve nuk janë të fiskalizuara, dhe kjo paraqet një vështirësi dhe pabarazi për konsumatorët, por edhe për tregtarët që afarojnë me këtë produkt, kurse në këtë mënyrë po bëhet evazion i madhe fiskal në dëm të buxhetit të institucioneve dhe arkës shtetërore të Kosovës", u shpreh ai. "Qeveria 'Haradinaj' i di këto probleme, dhe se i tërë ky problem me derivatet e naftës është një hallkë zinxhirore, që është e kyçur në mes të tregtarëve të fuqishëm, që kanë krijuar monopole, por shpresoj se me Qeverinë 'Haradinaj' do të liberalizohet tregu i derivateve, duke u ofruar atyre barazi në treg çdonjërit që dëshiron të investojë në këtë sektorë", ka thënë Shahini. "Derivatet e naftës janë produkti kryesor, që në Kosovë e siguron buxhetin e shtetit dhe si një degë fitimprurëse duhet që të jetë shumë më tepër e kontrolluar sesa deri më tani, në mënyrë për të siguruar një përfitim sa më të madh financiar, por edhe për të siguruar importe sa më cilësore të derivateve të naftës sesa që kanë qenë deri më tani", ka thënë i pari i AKB-së Agim Shahini.

(Kosova Sot)