Demokracia kosovare rrëshqiti në anarki

  • 22 September 2017 - 07:59
Demokracia kosovare rrëshqiti në anarki

VITET E PASLUFTËS DËSHMUAN ABUZIMIN ME PUSHTETIN

\Standardet po shkelen, vendi po pëson regres

"Në të vërtetë udhëheqjet, pra pushtetet e njëpasnjëshme, që nga paslufta e deri më sot, nuk kanë qenë pushtete të mirëfillta demokratike, por secila nga partitë në pushtet sistemin demokratik e kanë parë si mekanizëm për të abuzuar pafundësisht me pushtetin dhe kështu pa asnjëfarë përgjegjësish para ligjit, të drejtës dhe normave demokratike, çka në të vërtetë pa respektimin e këtyre normave dhe përgjegjësive shteti priret të rrëshqasë kah anarkia", tha Naim Kelmendi

Një javë më parë, edhe në Kosovë u shënua Dita Ndërkombëtare e Demokracisë. Sado që ishte një lloj ceremonie improvizuese e institucioneve të shtetit për proklamim të zhvillimit avangardë të shtetit demokratik dhe të hapur për qytetarët, analistët politikë, duke parë vetë realistin ekzistues, theksojnë se ky realitet në Kosovë, fatkeqë- sisht, po anon më tepër nga anarkia sesa nga fryma demokratike. Sipas analistëve, kjo klasë politike, duke përfshirë të gjitha partitë, pra edhe VV-në, që u sprovua me qeverisjen e inkriminuar dhe jahteve të Shpend Ahmetit në Prishtinë, sistemin demokratik e sheh si një mekanizëm të përshtatshëm për të abuzuar pafundësisht, në secilën zyrë shtetërore e për të mbushur kontot personale bankare dhe xhepat e pushtetarëve, familjarëve e miqve të tyre, partiakëve e zhvatësve të tjerë. Analisti politik Ymret Reshiti thotë se parimet e një shteti demokratik janë të garantuara dhe njëherësh janë pjesë përmbajtjesore e sanksionuar edhe në Kushtetutën e shtetit, por në jetën e përditshme nuk sendërtohen si duhet dhe nuk zbatohen."Shikuar aspektin e sanksionimit kushtetues dhe ligjor, që Kushtetuta si akti më i lartë juridik e politik i shtetit të Kosovës përmban një mori parimesh të demokracisë. E njëjta gjë është edhe te një mori ligjesh, të cilat sanksionojnë një mori parimesh që rregullojnë demokracinë e vërtet në aktet ligjore. Bazuar në aktin e Kushtetutës dhe aktet e tjera ligjore dhe nënligjore, mund të themi se Kosova është një 'kultivuese në letër' e një demokracie, e cila në praktikë nuk gjen zbatim", u shpreh ai.

Mungon transparenca

Sipas Reshitit, edhe pse demokracia nuk specifikon numrat se sa duhet të jenë ata, që të konsiderohet një sjellje politike-qeverisje si demokratike, shikuar në aspektin pozitiv, demokracia ka lindur si nevojë njerëzore për të mundë- suar gjithë përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe për ta eliminuar vendimmarrjen e pakicës-autokracisë. "Kosova në realitet ka demokraci formale dhe joreale. Pra, në dokumente politike dhe juridike e parasheh demokracinë si regjim politik, ndërsa në praktikë nuk e zbaton ose ngulfatet nga mafia politike dhe oligarkia kriminale, që janë sinonim i autokracisë- sundimit të pakicës", tha Ymret Reshiti për "Kosova Sot". Sipas tij, në një vend ku nuk ka demokraci nuk ka perspektivë, zhvillim dhe sundim të shtetit të së drejtës, por aty lulëzojnë të gjitha të këqijat e tjera që dëmtojnë shtetin. "Ka korrupsion, krim të organizuar, shkelje të të drejtave të njeriut dhe mjerim social, migrim, sikurse po ndodh edhe me Kosovën. Mungesa e transparencës në Kosovë është indikatori i parë dhe i paanashkalueshëm i mungesës së demokracisë. Të gjitha punët e rëndë- sishme shtetërore në Kosovë po kryhen në terr të plotë informativ, larg medieve dhe vëmendjes së qytetarëve, ani pse kemi edhe ligje për transparencën", vijoi më tutje ai."Demokracia në Kosovë është frazë që e dëgjojmë njëzet e katër orë nga mafia politike dhe oligarkët e Kosovës para publikut. Kosova ka nevojë për demokraci të vërtetë që i përshtatet nevojave dhe rrethanave të saja. Ajo duhet të kultivohet bashkë me qytetarët dhe duhet të rritet me ta, ndryshe do të degradojë", potencoi Ymret Reshiti. Ai ka rikujtuar se edhe profesor Ukshin Hoti, si vizionar që ishte, qysh në vitet 90-ta e ka ngrit çështjen e demokracisë në Kosovë, duke qortuar elitën politike që të mosmashtrohen të importojnë modele të demokracive të shteteve të tjera se do të dështojnë. 

Vota e manipuluar

Njohësi i mirë i mentalitetit politik në këto hapësira, Mustafë Kadrijaj, thotë se së pari anarkia po fillon me votën që partitë e manipulojnë qytetarin në vlerë të një mbushje apo për pak mjete që blihet vota e qytetarit të varfër, e më pas askush nuk merret me hallet e këtyre qytetarëve të mashtruar e të plaçkitur. "Mbasi te marrin votën nuk kanë përgjegjësi morale ndaj votës së qytetarit. Pra, partitë politike e kanë varfëruar qytetarin që me qenë gjithnjë i varur nga forcat politike. Iniciativat dhe kandidatët e rinj u treguan në disa zgjedhje që nuk mund të marrin votën e qytetarit, kështu që kjo elitë politike ka siguruar terren që për fatin jo të mirë ende ka me qenë në pozita udhëheqëse", tha Mustafë Kadrijaj. Ai thotë se pavarë- sisht këtij konstatimi zhgënjyes nga të gjitha partitë ka edhe njerëz të mirë dhe kompetentë, por zëri i tyre është i vogël, e nuk kanë ndikim, por edhe nëse e ngrenë zërin e përballen me përjashtim nga subjekti i caktuar, kështu që zëri i brendshëm "opozitar" faktikisht pak ekziston. "Aq sa abuzojnë partitë në pushtet po aq abuzojnë edhe partitë opozitare, duke luajtur ende me kartën kombëtare që qytetari lehtë po manipulohet. Shpresoj në vetëdijshmin e qytetarit dhe të mos të mashtrohen aq lehtë, mos të bien pre e platformave me kartë nacionaliste që me ato lëvizje e bllokojnë perspektivën e Kosovës", theksoi Kadrijaj. Ai thotë se në një shtet ligjor, pasurimi i paligjshëm fare lehtë mund të zbulohet dhe të eliminohet. "Pasurimi i paligjshëm i pushtetarëve ka zgjidhje, vetëm duhet vullnet politik dhe kryerja e detyrave të veta nga institucionet përkatëse, si policia, prokuroria dhe gjykata", u shpreh Mustafë Kadrijaj për 'Kosova Sot".

Dominojnë klanet

Analisti Reshat Sahitaj thotë se defakto Kosovës i mungon vetëdija shtetformuese, ndërsa forcat politike, pa dallim pozitë opozitë, e kanë të zhvilluar sensin natyral të vetëdijes mafioze dhe shtetrrënuese."Në Kosovë demokracia nuk vjen në shprehje, por grupet e klaneve të interesave materiale dhe pa asnjë rezervë do të them se në vendin tonë ekzistojnë dy klane, klani 'Pronto' dhe klani 'Jugo'. Këto dy klane janë të ndërlidhura mes veti përmes bizneseve të tyre dhe nuk është e rastësishme se kur emrat e personaliteteve të një klani do t'i gjejmë në klanin tjetër, duke zhvilluar bizneset e tyre. Andaj, kushdo që flet për demokracinë ngulfatet fjala e tij, izolohet e mundësisht eliminohet", theksoi ai. "Duke i gërshetuar interesat e tyre materiale përmes bizneseve të përbashkëta, tërë energjia orientohet drejt pasurisë private e jo në ruajtjen e pasurisë shoqërore. Një gjë që dihet, tjetërsim i pronave shoqërore nuk ka ndodhur as në kohen e kriminelit Millosheviq, ku serbët kanë pasur mundësi të shumëfishta për tjetërsim, por është dashur të vinin disa komandantë të luftë, si Azem Syla e tjerë, që t'i tjetërsonin gjer në fund", tha Reshat Sahitaj. Sipas tij, demokracia përfundon aty ku tjetrit ia kufizon të drejtat, qoftë të drejta të shprehjes qoftë të punësimit apo të ndërtimit. "Domokracia nuk është nëse një forcë e ka fituar shumicën që pastaj të veprojë sipas dëshirës në emër të shumicës, sepse automatikisht shkelen të drejtat e gjysmës së popullsisë", deklaroi Reshat Sahitaj. 

Abuzimi me paranë publike

Analisti Florim Zeqa konstaton se pushtetarët kosovarë qëllimshëm e kanë harruar kuptimin e demokracisë, derisa demokracia nënkupton qeverisjen e vendit nga shumica, e cila është në shërbim të të gjithëve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, partiake apo fetare, pa e diskriminuar askënd pse është rival politik apo pse ka bindje të kundërta me pushtetarët. "Mirëpo, një koncept i tillë qeverisës ka vite që nuk funksionon në Kosovë, si pasojë e sundimit të pakicës ndaj shumicës, si pasojë e sundimit të antivlerave ndaj vlerave të mirëfillta njerëzore dhe kombëtare. Pushtetarët gjithnjë e më shumë janë duke u vënë në shërbim të mafio-oligarkëve dhe vasalëve të tyre, në shërbim të klientelave korruptive dhe zhvatëse të parasë së popullit dhe buxhetit të shtetit", theksoi ai."Kështu, të gjitha partitë politike, pa dallim pushtet dhe opozitë, sistemin demokratik e shohin si mundësi dhe mekanizëm të përshtatshëm për të abuzuar me paranë publike, për të mbushur xhepat dhe kontot personale, si dhe kontot e familjarëve të tyre, militantëve dhe sekserëve partiakë. Si pasojë e degradimit të rendit demokratik dhe mungesës së zhvillimit ekonomik, vendi ynë ka rrëshqitur drejt anarkisë dhe bankrotit financiar", vijoi më tej Zeqa. "Në Kosovën e pasluftës dhe paspavarësisë, fjala demokraci është bërë e neveritshme për qytetarët, ngase përdoret vetëm si slogan politik nga liderët partiakë", tha Florim Zeqa.

Qeverisje e pakicës

Sipas analistit Naim Kelmendi, në parim demokracia është qeverisja e shumicës, pra qeverisja e popullit, apo në kuptimin më të drejtë të kësaj fjale: liria e popullit, por që në Kosovën e pasluftës, duke qenë Kosova de-jure një shtet demokratik, de- fakto po dëshmohet e kundërta, Kosova si shtet i ri është udhëhequr dhe po vazhdon të udhëhiqet nga mafio-oligarkia e pasluftës pa asnjë ndryshim, qoftë në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror, pa shpresa për ndryshim pozitiv. "E kjo fatkeqësisht mund të metastazojë tutje, më shumë sesa të shkojë kah qeverisja e mirë e demokratike. Mbase pritjet janë nga klasa e re politike në pushtet që të tregojë përgjegjshmëritë e saja në këtë drejtim të shtetit dhe qeverisjes, duke treguar standarde të tjera të qeverisjes demokratike", theksoi ai. "Në të vërtetë udhëheqjet, pra pushtetet e njëpasnjëshme që nga paslufta e deri më sot, nuk kanë qenë pushtet të mirëfillta demokratike, por secila nga partitë në pushtet, sistemin demokratik e kanë parë si mekanizëm për të abuzuar pafundësisht me pushtetin dhe kështu pa asnjë farë përgjegjësish para ligjit, të drejtës dhe normave demokratike, çka në të vërtetë pa respektimin e këtyre normave dhe përgjegjësive, shteti prirët të rrëshqas kah anarkia", tha Naim Kelmendi.

Sfida e humbur antikorrupsion

Sipas Gani Qarrit, pavarësisht që një javë më parë edhe në Kosovë u shënua Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, shija që po u lë qytetarëve politika vendore anon më tepër nga anarkia. "Përkundër të gjithave, ngado ende kërkohet fort dhe pareshtur, luftë e vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë. Madje një porosi e tillë përsëritet pa ndarë edhe nga vetë shtetet më të fuqishme të Bashkësisë Evropiane. Me këtë rast nuk duhet harruar të ceket se në urimin e kancelares gjermane, z. Angela Merkel, drejtuar kryeministrit të sapozgjedhur, në këtë pozitë, z. Ramush Haradinaj, bashkë me fjalët uruese, i bëhen të ditura edhe pritjet që ka BE-ja dhe Gjermania, për luftën e pakompromis të qeverisë së tij, kundër krimit të organizuar në vend", u shpreh ai. "Betime se lufta e panisur kurrë seriozisht, kundër krimit dhe korrupsionit, do të vazhdojë edhe tani, si premtim i radhës, u dëgjuan edhe në fjalimin e parë të kreut të Qeverisë aktuale, të cilat në raste të tilla është bërë rregull të përsëriten, si për të marrë besimin e deputetëve, ashtu edhe për të shpërndarë mjegull para ndërkombëtarëve. Por, se a do të realizohen vërtetë premtimet e propaguara me aq pompozitet, unë personalisht - secilit do t'i preferoja miqësisht, që së pari, në vend të përgjigjes, të lexojë sado shkurtdeklarimet e fundit të Natali Veliajt, mbi zinxhirin e emrave të implikuar në krim të organizuar dhe metodat e përsosura të zhvatjes së pasurisë dhe parave në Kosovën e pasluftës", tha Gani Qarri për "Kosova Sot".

Vlerat e nëpërkëmbura

Publicisti Skënder Mulliqi thotë se nuk mund të mbahet demokracia në këmbë duke i futur në Kuvend në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë fëmijët sa për sy e faqe, por mbahet në këmbë më veprime konkrete. "E dihet së çfarë ndodhish antidemokratike kishim gjatë këtyre viteve në hapësirat e Kuvendit të Kosovës. Kjo do të kishte logjikë vetëm kur respektohen rregullat demokratike të lojës dhe sistemi pluralist shumëpartiak. Kjo në Kosovë po funksionon më shumë verbalisht sesa faktikisht", potencoi ai. "Në vend që të shënohen avancime të proceseve demokratike, gjithnjë e më shumë po kemi procese regresive nga e kaluara njëpartiake komuniste. Zaten edhe ata që erdhën në pushtetet e pasluftës e kanë një logjikë të tillë retrograde. Demokracia është në shërbim të shumicës e jo të pakicës siç po ndodhë të ne. Vlerat demokratike të sjelljes dhe të veprimit janë duke u fashitur nga kastat politike në pushtet. Demokracia nuk ka lidhje me dukuritë e shumta negative të cilat e kanë vërshuar Kosovën dhe të cilat nuk ka kush t'i ndalojë", tha Skënder Mulliqi. 

(Kosova Sot)