Negociatorët kosovarë injoruan kolonizimin e Kosovës

  • 22 September 2017 - 08:08
Negociatorët kosovarë injoruan kolonizimin e Kosovës

Historia u la mënjanë nga liderët e shantazhuar

Ndonëse zgjidhja e problemit shqiptaro- serb, nga shumë njohës të rrethanave historike dhe politike në Ballkan, shihet në formulën e shpërbërjes së ishJugosllavisë dhe pavarësimit të Kosovës nga okupimi serb, në rrafshin e deritanishëm diplomatik të bisedimeve me Serbinë, 1989-2017, liderët politikë shqiptarë të Kosovës dhe të Shqipërisë çështjen e Kosovës asnjëherë nuk e kanë shtruar për zgjidhje si "problem kolonial". Nga njohësit e zhvillimeve politike në vend, kjo qasje e gabuar po shihet si një pasojë e pasjes në ballë të procesit të zgjidhjes së problemit shqiptaroserb të një garde politikanësh servilë, të korruptuar e të shantazhuar, me hipoteka serioze dhe shumë të rënda të së kaluarës, por edhe të tanishmes. Sipas analistëve politikë, nga liderët e tillë, andej e këndej kufirit ndërshqiptar, nuk është aspak e pritshme që t'i thonë qeverisë së Serbisë se të gjitha trojet shqiptare jashtë kufijve të deritanishëm të shtetit amë Shqipërisë, Kosova, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë recidiva të politikës kolonialiste dhe imperialiste të Serbisë. Madje, po këta liderë shtetërorë nuk do të guxojnë që para se të vazhdojë dialogu i Brukselit, dialogu 2011-2017, as t'ia rikujtojnë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se Kosova dikur, që nga viti 1912-1999, sepse arsyeja është pikërisht pse këta liderë shtetërorë janë të korruptuar deri në fyt nga krimi i organizuar dhe nga aferat e ndryshme korruptive, nepotiste, oligarkike dhe despotike.

Pretendimet territoriale u shtuan

Analisti Arsim Haziri ka thënë se çështja e zgjerimit të Serbisë në mënyrë imperialiste, asnjëherë nuk është iniciuar si prej lidershipit politik të Shqipërisë, ashtu edhe të Kosovës, si çështje mjaft e ndjeshme dhe nuk është parë e arsyeshme të trajtohet, pasi politika jonë asnjëherë s'ka qenë vigjilente që t'i kundërvihet si duhet politikës negative të Serbisë. "Pra, pretendimet territoriale të armiqve janë intensifikuar, në kohën kur në shoqëritë tona fatkeqësisht janë vendosur klika, të cilat brenda projekteve të tyre nuk e kanë pasur si objektiv çështjen e trojeve shqiptare. Pra, kjo ka qenë pasojë e përçarjes së brendshme dhe pasojë e mosdakordimit të udhëheqëseve të të dyja vendeve, prandaj është edhe kjo rrudhja e vazhdueshme e hapësirave territoriale shqiptare", theksoi ai. "Kjo frymë, fatkeqësisht, është prezentë edhe në kohën e sotme, pasi çështja e Kosovës në diskutimet e vazhdueshme ndërkombëtare asnjëherë nuk është trajtuar për t'u zgjidhur. Pretendimet, edhe tashmë janë evidente, por kjo gjithnjë më shumë është kur mungon elita, e cila organizohet dhe jetësohet për konceptin nacional dhe tejkalim prej atij individual, tejkalim i cili mëton të mos zhvillojë si lirinë individuale, kolektive, ashtu edhe atë ekonomike", potencoi Haziri për "Kosova Sot".

Shantazhimi i politikanëve

Analisti Hidajet Ahmeti e konsideron këtë heshtje dhe harresë të madhe të një teme me peshë të jashtëzakonshme historike, një servilizëm të skajshëm të lidershipit politik shqiptar në rrafshin kombëtar, të cilët madje nuk flasin dhe nuk kërkojnë tani të ngritët as tema e dëmeve të luftës së fundit, sepse janë njerëz kryekëput të inkriminuar, të shantazhuar dhe të korruptuar. " Puna e heshtjes, nënshtrimit e servilizimit të politikanëve në kontekst të mbrojtjes së interesave qytetare, shtetërore e kombëtare në raport me ndërkombëtarët lidhet me amnistimin e veprave kriminale që kanë kryer për më shumë se një dekadë. Kjo heshtje e pasinqertë për të amnistuar vetën nga krimet e pasluftës ndërton një frymë, e cila nuk përkthehet në interes të trupit publik", potencoi ai. "Politikanët e shantazhuar të pasluftës, e posaçërisht ata që kanë shijuar pushtetin sadopak, nuk kanë guximin, vullnetin, por as dijen e mjaftueshme për të ngritur çështje të niveleve të larta, të cilat u janë mohuar shqiptarëve për shekuj", vlerëson Ahmeti. "Është fakt i pamohueshëm që e ka dëshmuar koha, se politikanët e sojit Thaçi,Veseli, Mustafa e Haradinaj nuk kanë guximin, e as vullnetin për t'i hapur temat, të cilat kanë një të vërtetë historike në anën e shqiptarëve. Politikanët e sojit të tillë nuk kanë guximin të deklarohen për fakte historike të pamohueshme, kurse politikanët serbë sajojnë fakte historike fiktive për mbrojtjen, fuqizimin dhe promovimin e rrejshëm të vlerave të tyre kombëtare", tha Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)