Haziri: Pretendimet territoriale u shtuan

  • 22 September 2017 - 19:47
Haziri: Pretendimet territoriale u shtuan

Analisti Arsim Haziri ka thënë se çështja e zgjerimit të Serbisë në mënyrë imperialiste, asnjëherë nuk është iniciuar si prej lidershipit politik të Shqipërisë, ashtu edhe të Kosovës, si çështje mjaft e ndjeshme dhe nuk është parë e arsyeshme të trajtohet, pasi politika jonë asnjëherë s'ka qenë vigjilente që t'i kundërvihet si duhet politikës negative të Serbisë. "Pra, pretendimet territoriale të armiqve janë intensifikuar, në kohën kur në shoqëritë tona fatkeqësisht janë vendosur klika, të cilat brenda projekteve të tyre nuk e kanë pasur si objektiv çështjen e trojeve shqiptare. Pra, kjo ka qenë pasojë e përçarjes së brendshme dhe pasojë e mosdakordimit të udhëheqëseve të të dyja vendeve, prandaj është edhe kjo rrudhja e vazhdueshme e hapësirave territoriale shqiptare", theksoi ai. "Kjo frymë, fatkeqësisht, është prezentë edhe në kohën e sotme, pasi çështja e Kosovës në diskutimet e vazhdueshme ndërkombëtare asnjëherë nuk është trajtuar për t'u zgjidhur. Pretendimet, edhe tashmë janë evidente, por kjo gjithnjë më shumë është kur mungon elita, e cila organizohet dhe jetësohet për konceptin nacional dhe tejkalim prej atij individual, tejkalim i cili mëton të mos zhvillojë si lirinë individuale, kolektive, ashtu edhe atë ekonomike", potencoi Haziri për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)