Qeverisë "Haradinaj" i mbeti NË DORË PATATJA TEPËR E NXEHTË

  • 25 September 2017 - 08:33
Qeverisë

Mesazhi i qartë, i cili i erdhi në fund të javës së kaluar, Qeverisë së koalicionit PANA dhe kryeministrit Haradinaj lidhur me çështjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, sipas analistëve politikë, mund të jetë një shuplakë e fortë e radhës e BE-së për qeverinë "Haradinaj", pasi mesazhi kushtëzon Demarkacionin me Malin e Zi me liberalizimin e vizave. Nga një pozicionim i tillë, shumë i fuqishëm dhe domethënës i BE-së për këtë temë, analistët politikë theksojnë se ka rrezik që përsëri ta dominojë edhe qeverinë e koalicionit PANA çështja e Demarkacionit, pasi do të jetë e vështirë që Mali i Zi pas forcimit të rolit të saj në botë me hyrjen në NATO të ndërrojë qëndrimin e vet, aq më tepër kur parlamenti i këtij shtet e ka ratifikuar marrëveshjen përkatëse, kurse Republika e Kosovës ka dështuar që ta adresojë atë dhe t'i japë epilogun, qoftë pozitiv apo negativ nga ana e Kuvendit. Analisti politik dhe njohës i fushës së të drejtës, Blerim Burjani, thotë se tani më Mali i Zi e ka përfunduar këtë temë, madje këtë e kanë bërë me dije shumë zëshëm edhe zyrtarët e këtij shteti, por janë kosovarët ata që po mbyllin sy e vesh para këtij fakti. "Të gjithë e kemi ditë se kjo tema është përfunduar në Vjenë me nënshkrimin e marrëveshjes për Demarkacion. Lufta politike në Kosovë e pengoi ratifikimin në Kuvend të kësaj marrëveshjeje. Tash Mali i Zi nuk ka asnjë arsye të bisedojë me Kosovën në këtë temë apo për rifillim të ri të një marrëveshjeje të re për Demarkacion", theksoi Blerim Burjani. Ai thotë se tani Haradinaj e ka në dorë një patate tepër të nxehtë që do ia përvëlon dorën, kurse në realitet do të shihet se kjo temë e bllokuar ishte vetëm pjesë luftë për pushtet në Kosovë pa ndonjë arsye tjetër dhe vetëm sa do të mundë të prolongohet kjo me kontestime të reja. "Mali i Zi nuk e pranon as vendosjen e temës në Arbitrazh, pra mund të mos ketë pajtim dhe tema mbetet kështu si është. Absurdet politike të Kosovës dhe të kësaj klase politike të papërgjegjshme do t'i lënë qytetarët të ngujuar dhe të izoluar plotësisht nga bota dhe BE-ja. Qytetari i Kosovës po pengohet nga vetë klasa politike, që të mos mund të lëvizë lirshëm. Kjo është e çuditshme se si qytetarët e Kosovës votojnë për këtë pozitë dhe opozitë. Ky është absurdi që bëjnë dhe rezultati po shihet, izolimi i shtetit plotë- sisht", është shprehur analisti Burjani për "Kosova Sot". "Përkrahja e një subjekti tjetër në zgjedhjet e fundit, që u dyfishua, është tregues se qytetarët do të mbeten plotësisht të izoluar dhe të ngujuar në kufijtë e shtetit të pazhvilluar të Kosovës edhe për një kohë të gjatë", theksoi Burjani.

Image

 

Zeqa: Goditje e rëndë nga ndërkombëtarët

Nyje të fortë e sheh këtë problem edhe analisti Ali Hertica. "Shumë kritere për liberalizim të vizave për qytetarët që Komisioni Evropian i ka parashtruar janë përmbyllur, por temë e hapur, shumë serioze dhe që s'do të jetë kulmi i të gjitha kritereve po mbetet Demarkacioni me Malin e Zi. Do të jetë një sfidë shumë provokative për qeverinë "Haradinaj" dhe koalicionin PANA, që tani t'i japë zgjidhje këtij kushti, nga i cili varet liria e lëvizjes për qytetarët e Kosovës në BE. Tani këtë e tha qartë politika e jashtme të BE-së. Çështja kryesore mbetet Demarkacioni i Kufirit me Malin e Zi për të garantuar lirinë e lëvizjes pa viza për qytetarët e Kosovës. Mirëpo, shtojcë në këtë rrafsh gjithsesi mbetet edhe luftimi i krimit dhe korrupsionit, ku ky është një lloj kushti tjetër i vënë kaherë nga Komisioni Evropian, i cili kërkon rezultate të prekshme nga institucionet e Kosovës, që të dëshmojnë luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo do të thotë që askush, as në Bruksel dhe as në Prishtinë, nuk mund të paragjykojë vendimin final për liberalizimin e vizave dhe çështjeve të tjera, që kanë të bëjnë me Kosovën, pasi që kemi të bëjmë me qëndrime të ngurta të shteteve, e qëndrimi i shteteve nuk mund të paragjykohet dhe rasti që këto pesë shtete nuk e kanë njohur Kosovën e dekompozon atë që unë e quaj raport normal me Kosovës dhe BE-së", theksoi analist Ali Hertica për "Kosova Sot". Analisti Florim Zeqa thotë se për rreziqet dhe sfidat, me të cilat do të përballet qeveria "Haradinaj" ka paralajmëruar edhe ditë më parë, përmes një shkrimi autorial në gazetën "Kosova Sot" me titull "Haradinaj në teh të shpatës", ku ka tërhequr vërejtjen për kryeministrin e ri rreth rrezikut të rrugëtimit të tij politik, jo në një, por në tre "teha të shpatës", atë të ndërkombë- tarëve, Listës Serbe dhe opozitës shqiptare në kuvend, duke mos harruar as Demarkacionin, që mund ta sjell edhe fundin fatal të kësaj qeverie. "Demarkacioni me Malin e Zi, si kusht i domosdoshëm për liberalizim të vizave, përveçse goditje e rëndë nga ndërkombëtarët, është "tehu i parë i shpatës", nëpër të cilin do të kalojë Ramush Haradinaj. Është kjo sfida më e mundimshme, të cilën Haradinaj do të përpiqet me çdo ta prolongojë sa më gjatë që të jetë e mundur, shkaku i pamundësisë së ratifikimit në Kuvend të variantit aktual. Në anën tjetër, sipas tij, Haradinaj do ta ketë të pamundur për të bindur palën malaziase që të ndërrojë qëndrim për rishikimin e marrëveshjes së nënshkruar për Demarkacionin, në veçanti pas forcimit të pozicionit ushtarak të Malit të Zi pas hyrjes në NATO dhe fuqizimit të rolit politik në botë. "Mbetet të shihet në ditët dhe javët në vazhdim, se a do të jetë 'tehu i parë i shpatës' caku final i rënies së kësaj qeverie", theksoi analisti Zeqa.

Image

 

Haziri: Demarkacioni do ta sfidojë rëndë qeverinë e 'Ramush Haradinajt'

Edhe politologu Arsim Haziri e vlerë- son temën e Demarkacionit si ndër sfidat kryesore të qeverisë "Haradinaj", sepse nga përmbyllja e saj varet edhe perspektiva evropiane e Kosovës, pasi që është po ashtu e ndërlidhur ngushtë edhe me sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit. "Çështja e integrimeve kategorikisht ndërlidhet me çështjen e demarkimit dhe atë të luftimit të dukurive negative, me theks të veçantë luftimin e kriminalitetit që fatkeqë- sisht përbën problem bazik për konsolidimin e të ardhmes. Qeveria e re, pavarë- sisht se udhëhiqet nga njeriu, i cili kundërshtonte versionin gabim të demarkimit, prapë vështirë do e ketë të përmbyllë atë çështje, gjithnjë duke e ditur aktorët, të cilët janë të involvuar në qeverisjen Haradinaj. PDK-ja jo edhe rastësisht ka pranuar të lëshojë rrugë në drejtim të koalicionit politik. Kjo konsideroj se është bërë në drejtim të dëmtimit edhe më të madh të AAK-së në rast të mospërmbylljes së kësaj çështjeje në mënyrë të mirëfilltë dhe shtetërore", është shprehur Haziri. Qeveria 'Haradinaj', sipas tij, jo edhe lehtësisht do të mund t'i përmbyllë në mënyrë të drejtë dhe vitale tri nga çështjet mjaftë të rënda, të cilat janë të trashëguara nga qeverisja e kaluar. "Duke pasur në konsideratë pafuqinë e kësaj qeverisjeje, tri nga proceset e transferuara nga qeverisja e kaluar do të jenë sfidë mjaftë testuese për qeverisjen e re. Ndërsa në kontekst të marrëveshjes me Malin e Zi për çështjen e demarkimit, theksoi se sipas të drejtës ndërkombëtare publike, nëse eventualisht një marrëveshje me një shtet është arritur mbi të dhëna jo edhe të qëndrueshme, mund edhe të rishikohet për t'i prirë më pastaj kredibilitetit faktik. Qeveria "Haradinaj" mbi bazën që funksionon, është e pamundshme t'u rezistojë besueshëm çështjeve, të cilat edhe e orientuan vendin drejt zgjedhjeve nacionale. Ato çështje, sipas të gjitha gjasave, do të luhatin jashtëzakonisht shumë dhe sfidojnë madje duke rrezikuar edhe qeverinë "Haradinaj", theksoi analisti Arsim Haziri.

Image

 

(Kosova Sot)