Pazaret e pista me UÇK-në do t'i kushtojnë shtrenjtë Thaçit

  • 11 October 2017 - 08:11
Pazaret e pista me UÇK-në do t'i kushtojnë shtrenjtë Thaçit

Presidenti kujtohet me vonesë për gabimin me Gjykatën Speciale

Kompromiset në dëm të Kosovës, të pafalshme

NT: “A keni dëgjuar kur thonë të moshuarit ‘çdo gjë ka me u la në këtë dynja – botë’. Binduni pra. Por, nuk mund t´i ikën përgjegjësisë për të gjallë e për të vdekur, që ndërseu edhe deputetë të tjerë të votojnë këtë Gjykatë Speciale”, ka vlerësuar analisti Reshat Badallaj

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka befasuar gjithë opinionin publik dhe analistët me qëndrimin e tij të hapur para dy ditësh kundër Gjykatës Speciale, kur gjatë një diskutimi me shoqërinë civile e luajti krejtësisht një rol tjetër  nga ai i kohës së debatit për Specialen, qëndrimet politike pro dhe kundër votimit të kësaj gjykate në Parlament. Asokohe ish-kryeministri shitej dikur si “luftëtari” më i zëshëm, që këmbëngulte dhe shantazhonte deputetët e partisë së tij e të tjerët për ta votuar Ligjin e Gjykatës Speciale, ndërkaq tash po luan rol nga pozicioni i një të zhgënjyeri nga mosrealizimi i pazarit korporativ, politiko-diplomatik. Për njohësit e këtyre rrethanave të shkuara e të tanishme politike në vend, kjo është një lojë e rrezikshme dhe kërcënuese për Kosovën, nga një politikan si Hashim Thaçi, pasi që vetëm një njeri i tillë, që si qëllim jetësor ka pushtetin e tij me çdo kusht dhe me çdo çmim e mjet, mund të bjerë në nivele kaq të ulëta, duke nxjerrë në ankandin e turpit edhe vetë kauzën sublime për lirinë, demokracinë dhe drejtësinë e vendit. Derisa për krimet e luftës ishte një tribunal, ai i Hagës, dhe asnjë vend nuk bashkëpunoi në mënyrë më korrekte se Kosova, atëherë vërtet shtrohet pyetja se çfarë nevoje kishim për Gjykatën Speciale, ku duhet të gjykohen vetëm një grusht shqiptarësh të dyshuar për krime lufte në raportin e Dik Martit, të sponsorizuar nga vetë Serbia fashiste e gjenocidale?! Presidenti i zgjedhur në tymin e gazit lotsjellës, në rrethana të një shtetrrethimi, së fundi  na e dha një përgjigje që pak kush e dinte, e cila hap një kapitull të ri politik për shtetin tonë. Hashim Thaçi e pranoi vetë se kjo gjykatë nuk ishte nevojë e drejtësisë së vërtetë, por një pazar i ndyrë politiko-korruptiv! Ky është një skandal i madh, që do të rëndojë mbi breza të tërë të Republikës sonë, e cila brenda pak muajsh mund të jetë në titujt kryesorë të medieve të botës për arrestimet që mund të kryhen pas ngritjes së aktakuzave të para.

Berisha: Hashimit i doli gjumi vonë

Një nga deputetët e zëshëm në opozitën e mandatit të kaluar, që pati kundërshtuar Gjykatës Speciale, Zafir Berisha, nga “Nisma për Kosovën”, thotë se është tepër e turpshme sjellja e tanishme e Hashim Thaçit në raport me këtë gjykatë, derisa që në fillim  është thënë se ajo është e padrejtë dhe akuzat pretendohet të ngrihen në baza etnike, madje kundër atyre që ishin luftëtarë të lirisë dhe kundër viktimave të krimit serb. “Kjo tash po shihet qartë se Hashimit shumë vonë i paska dalë gjumi. Gjykata Speciale është produkt i pazareve të tij personale, tash me gjasë llogaritë e bëra nuk po i dalin "tamam"... Gjërat që i ka thënë rreth pasojave të Gjykatën Speciale, me dhjetëra herë ia kemi kujtuar në Kuvendin e Kosovës, por nuk ka dashur as me na dëgjuar. Me të vërtetë tash nuk e di çfarë e ka gjetur atë që iu paskan kujtuar të gjitha ato për të cilat me kohë e kemi ditur dhe  i kemi thënë publikisht”, u shpreh ai.“Besoj se tani Hashimi e ka kuptuar se pazaret e bëra me vlerën më sublime të këtij vendi, UÇK-në, për llogari të politikës ditore, kanë qenë gabim i pafalshëm, pasojat e të cilit do të jenë të pariparueshme”, tha Berisha për “Kosova Sot”.

20 dështimet e presidentit

Eksperti i së drejtës, Muhamet Kelmendi, njëherësh edhe veprimtar i çështjes kombëtare, tha se është ndier shumë keq dhe shumë i befasuar kur e ka dëgjuar dy ditë më parë Hashim Thaçin duke u ankuar e duke thënë se e kanë ‘mashtruar’ për Gjykatën Speciale, me ç’rast ka thënë se fajtorët kryesorë për ndërtimin e Gjykatës Speciale për Kosovën dhe shqiptarët vijnë nga faktorët ndërkombëtarë, e që sipas tij na mashtruan ndërkombëtarët."Konsideroj se me deklaratën e tillë z. Thaçi po mundohet të heqë përgjegjësinë për dëmet e mëdha që ky i ka sjellë UÇK-së dhe Kosovës që nga viti 1998, kur doli si drejtor i Drejtorisë së UÇK-së. Po me këtë kuptohet se bashkëpërgjegjës është edhe faktori i jashtëm. Po kjo nuk jep asnjë arsyetim për punën e z. Thaçi në dëm të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai. Për ta dokumentuar këtë më saktë, ai ka sjell një listë prej 20 pikësh të veprimeve për të cilat është përgjegjës Hashim Thaçi. “1. Hashim Thaçi shkatërroi UÇK-në; 2. Keqpërdori mjetet financiare të UÇK-së; 3. Likuidoi UÇK-në dhe atë e shndërroi në organizatë humanitare; 4. Ndau dhe përçau skenën politike që doli nga LPK dhe UÇK; 5. Pranoi pa kritere ndërtimin e komunave tipike shoviniste serbe; 6. Krijoi Kosovën Veriore në bashkëpunim me Francën; 7. Bëri amnistimin e kriminelëve serbë në veri; 8. Kurrë nuk e akuzoi shtetin serb për gjenocide;  9. Bëri barazimin e gjenocidit serb me luftën çlirimtare të UÇK-së; 10. La nën mëshirën e fatit njerëzit, ushtarakët dhe kuadrin e UÇK-së;  11. Me dhjetëra ushtarakë të UÇK-së u dënuan pa bazë juridike;  12. Detyroi deputetët me shantazhe dhe presion të formojnë në Kuvendin e Kosovës Gjykatën Speciale, vetëm për ushtarët dhe luftëtarët e lirisë; 13. Kurrë nuk u angazhua në ndjekjen e kriminelëve serbë për dhunën dhe gjenocidin serbomadh; 14. Bëri Marrëveshje për  formimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë; 15. Pa kritere dhe me nënshtrim të ashpër filloi dhe vazhdoi bisedimet gjoja me shtetin serb; 16. U takua dhe komunikoi me kriminelët e kalibrit të Vuçiqit dhe të Daçiqit;17. Tash po vazhdon marifetet e veta herë me akuza e herë me bashkëpunim me shtetin serb, madje edhe me ndërkombëtare, pa mbajtur qëndrime; 18. Ndërtoi sistem politiko-shoqëror të krimit dhe të korrupsionit; 19. Nënshkroi marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi dhe 20. Bëri rehabilitimin e të gjithë elementeve dhe të shërbyesve të regjimit serbo-jugosllav dhe ata i vendosi në udhëheqje, si në polici, në gjykata e në prokurori; nëpër agjenci shtetërore etj.”, përfundon listën Kelmendi.

Klasa politike dështoi në shtetndërtim

Analisti politik Skënder Mulliqi thotë se pikërisht ky fakt që e pranoi Thaçi tregon akoma më qartë dhe e forcon konstatimin se kjo klasë politike ka dështuar në formimin e shtetit ligjor dhe funksional. “Organet  tona të drejtësisë kurrë nuk funksionuan ashtu si duhet kur dihet për nivelin e lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit që kemi. Ky mosfunksionim i organeve tona i kontribuoi shumë edhe formimit të Gjykatës Speciale nga bashkësia ndërkombëtare. Po të kishte funksionuar shteti ashtu si duhet, sigurisht së faktori ndërkombëtar besimin do t’ua kishte  dhënë organeve tona të shtetit edhe kur bëhet fjalë për dyshime për krime të luftës. Këta vetë e prunë gjykatën të dera dhe tash përballja me Gjykatën Speciale është e pashmangshme. Tek e fundit ai që është i pastër në këtë drejtim nuk ka çka t’i frikësohet Gjykatës Speciale, siç e shprehu këtë frikë presidenti Thaçi në një tryezë të organizuar nga shoqëria civile ”, theksoi Mulliqi. Ai potencoi se është shumë e padrejtë të akuzohet dikush nga shqiptarët së në kohë lufte ka bërë  krime të atille monstruoze për të cilat edhe  do të ndiqen të akuzuarit nga kjo gjykatë, kryesisht  për transplantim të organeve, diçka që kanë mundur ta bëjnë vetëm serbët dhe pastaj t’ua veshin shqiptarëve. “Transplantim të organeve e kanë bërë serbët, të cilët i kanë pasur të gjitha mundësitë dhe mekanizmat për një punë të tillë  humanizuese. Serbët kanë bërë çdo marri në fytyrë të kësaj toke mbi shqiptarët e pambrojtur historikisht jo vetëm në luftën e fundit. Kurrë organet tona të shtetit nuk u interesuan që të bëjnë padi për gjenocid të Serbisë në Kosovë, ta ngrehin zërin së ka pasur edhe transplantim të organeve nga pala serbe ,të atyre të gjallëve ose të vdekurve, të cilët, i kanë bartë diku në Serbi dhe të cilët ende rezultojnë si të pagjetur”, vijoi më tutje ai.“Tani për gabimet e mëdha apo të vogla të Hashim Thaçit nuk bën të vuajnë të gjithë shqiptarët. Deklarata e tij ishte kërcënim për destabilizim të vendit! Thirrja për protesta është e vonë, se ky njeri më shumë u interesua për realizmin e qëllimeve të veta karrieriste për pushtet, sesa u interesua për zhvillim të gjithmbarshëm .Thaçi për t’i ikur disi Gjykatës disa herë bëri deklarata kontradiktore, se ka qenë udhëheqës politik dhe kurrë nuk ka qenë në frontet e luftës . Bëri lëshime të mëdha dhe firmosi marrëveshje gjatë bisedimeve me palën serbe më shumë në dobi të Serbisë. Demarkimi ishte lëshim i madh i radhës bashkë me fusnotën e famoze etj. Ai opinionit publik i ka borxh që tua tregoi arsyet e këtyre lëshimeve në dëm të Kosovës”, tha Mulliqi për “Kosova Sot”.

“Komandantët e Rognerit” pasuroheshin me luftën për liri

Gjykimin e tij për këtë “pendesë” të tanishme të Hashim Thaçit dhe kritikat drejtuar në adresë të Gjykatës Speciale analisti politik Reshat Badallaj e fillon me një thënie nga anët e Rajonit të Zhurit, të Krahinës së Lumës, ku thuhet:"Qeni i keq ta bjen ujkun n’torishtë". “Pra, është shumë qesharake që Hashimi i Brojës mundohet t´ua hedhë fajin ndërkombëtarëve. Pas shumë kohësh kam ardhur në përfundim dhe se kjo po shihet ashiqare se shumë "komandantë të Rognerit dhe hoteleve të tjera" nuk kishin luftuar në frontin e luftës... Pra, doli në ditën me diell se këta zagarë, ose langonj, po i quaj ashtu, kishin bërë plane se si të pasurohen hajnisht, si të uzurpojnë toka në zemër të qyteteve, të bëhen haraçexhinj dhe të luftojnë për pushtet dhe për kolltukë. Dhe, në qoftë se nuk është kështu le të dalë ndonjëri prej tyre dhe të thotë jo e do të shohin kur t´ia nxjerrë lakrat sheshit dhe t´i zbardhë një nga një. Keni parë ju deri më tani të bëjë dikush ndonjë reagim kundër shkrimit tim... Jo, jo sepse nuk guxojnë, se e dinë se shumë e shumë gjëra kam për të thënë akoma. Këtë e kishin debatuar shumë ish-deputetë që i kam njohur, e mos i njohsha më këta dilenxhinj”, u shpreh Badallaj. Ai ka theksuar se nuk dëshiron të mendojë se tash Hashimi ka nuhatur mirë se ndoshta duhet të bëjë gati torbën për të nisur drejt hoteleve-burgjeve, prandaj ka filluar të qetë shkelm dhe të vjellë vrer lart, e që po i bie në fytyrën e vet. “A keni dëgjuar kur thonë të moshuarit ‘çdo gjë ka me u la në këtë dynja – botë’. Binduni pra. Por, nuk mund t´i ikën përgjegjësisë për të gjallë e për të vdekur, që ndërseu edhe deputetë të tjerë të votojnë këtë Gjykatë Speciale”, ka vlerësuar Badallaj

“Personalisht, jam kundër kësaj gjykate për të njollosur UÇK-në dhe të krahasoj xhelatin me viktimën, por nuk jam kundër kësaj gjykate në qoftë se i trazon hajnat, banditët,  kriminelët, vagabondët që ka me bollëk dhe që vodhën e tradhtuan gjakun e dëshmorëve, u pasuruan me vjedhje këta qen e lëngoj dhe në anën tjetër bënin vetëvrasje ushtarët e UÇK-së”, tha analisti Reshat Badallaj

 “I përmenda këto 20 pika që janë vetëm disa fakte qenësore që e bëjnë Hashim Thaçin përgjegjës për gjendjen që e kemi. Ne mund të akuzojmë të tjerët, por kurrë nuk duhet të ikim nga auto-përgjegjësia. Pse? Sepse këtu konsiston përgjegjësia më e madhe për çështjen”, tha profesor Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”

“Të gjitha këto lëshime të Thaçit dhe të kësaj klase politike në pushtetet e pasluftës kanë bërë që Kosova të bjerë në një situatë të palakmueshme politike, ekonomike e sociale... Këto lëshime  e kanë goditur më së shumti gjeneratën e re, e cila po kërkon shpëtim jashtë atdheut”, tha Skënder Mulliqi

Analistët dhe njohësit e tjerë të politikës në vend theksojnë se nuk ka asnjë argument që mund të mbulojë dyshimin e bazuar dhe faktet që flasin se të gjitha marrëveshjet e dëmshme për Kosovën e mbajnë në fakt vulën e Hashim Thaçit, madje edhe  marrëveshja e keqe dhe e dëmshme e prillit, kur edhe kishte filluar pazari politiko-diplomatik i tij, mandej Asociacioni special serb, Demarkacioni, e shume të tjera

(Kosova Sot)