OAEK: Në Kosovë ekziston hendek i madh në mes të ofertës dhe kërkesës në tregun e punës

  • 11 October 2017 - 11:21
OAEK: Në Kosovë ekziston hendek i madh në mes të ofertës dhe kërkesës në tregun e punës

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) në bashkëpunim me Programin për Rritjen e Punësimit të Rinjve ka organizuar konferencën “Shkathtësitë, punësimi dhe rritja”, me ç’rast ka prezantuar  të gjeturat e studimit të kryer me 200 kompani në Kosovë, rreth shkathtësive deficitare me të cilat përballen bizneset, dhe cilët janë sektorët ku ka boshllëqe më të mëdha.

Sipas studimit nga Oda ekonomike Amerikane boshllëku i shkathtësive në sektorin privat është në masë të madhe tek bizneset e prodhimit të cilat raportojnë vështirësi në gjetjen e punëtorëve me shkathtësi të nevojshme krahasuar me sektorin e tregtisë.

Sipas ndarjes regjionale vështirësitë më të mëdha janë në Prizren, Prishtinë dhe Gjilan.

Kompanitë prodhuese parashihet se në dy vitet e ardhshme  në masë të madhe do të kërkojnë diploma nga  institucionet e shkollimit profesional si dhe certifikata profesionale për pozitat e reja të punës.

Vështirësi në këtë aspekt ka edhe sektori i tregtisë ku komunat si Prizreni, Prishtina dhe Ferizaj ku kompanitë raportojnë se kanë vështirësi në gjetjen e  shkathtësive të shitjes, menaxhimit të Kohës dhe menaxhimi i brendit.

Sa i përket sektorit të shërbimeve që paraqet edhe indeksin më të madh nga të gjithë sektorët e analizuar. Menaxhimi i kohës, shkathtësitë e inovacionit, dhe planifikimi e parashikimi listohen si shkathtësitë më së vështiri për tu gjetur në këtë sektor.

Drejtori ekzekutiv i OEAK, Arian Zeka, tha se një prej ankesave kryesore që na vjen nga bizneset dhe nga investitorët e huaj është ndërlidhja më e mirë e ofertës me kërkesën.

(Kosova Sot)