< A do ta pranojë Shpend Ahmeti duelin me Arban Abrashin? - Lajme - Kosova Sot
A do ta pranojė Shpend Ahmeti duelin me Arban Abrashin?

A do ta pranojė Shpend Ahmeti duelin me Arban Abrashin?

Kandidatët për kryetar të Prishtinës nga 5 partitë politike, Shpend Ahmeti, Arban Abrashi, Lirak Çelaj, Arbër Vllahiu, Shyqyri Bytyçi dhe Selim Pacolli mbrëmë kanë zhvilluar një debat të ashpër në Klan Kosova, në garën e tyre për të parin e kryeqytetit. Kandidati i LDK-së, Arban Abrashi, e ka sfiduar publikisht Shpend Ahmetin që të ballafaqohen në një debat “një me një”.

Por a do ta pranojë Shpend Ahmeti një ballafaqim të tillë?

Abrashi e ka sfiduar atë sidomos rreth çështjes së ndërtimit të shkollave, çerdheve publike, qendrave të mjekësisë dhe çështjeve tjera, gjatë udhëheqjes së kryeqytetit. Po ashtu, nuk kanë munguar tonet e ashpra edhe rreth çështjes së autobusëve.

Kandidatët janë përplasur rreth çështjes së garancisë së sovranitetit në raport me Bankën Ekonomike për Rindërtim dhe Zhvillim për t’i sjellë autobusët në Prishtinë. Ahmeti ka thënë se garancia e sovranitetit ishte vonuar qëllimshëm nga Qeveria që drejtohej nga LDK-ja. 

Ndërsa, Abrashi është përgjigjur se këtë ka mundur ta bëjë Kuvendi Komunal i Prishtinës duke i thënë Ahmetit se “këto punë i di më mirë se ti”. Po ashtu, Abrashi është përplasur me Ahmetin edhe rreth buxhetit, duke thënë se ai e ka ulur buxhetin për kryeqytetin nga mbi 80 milionë euro në 65.

Ahmeti ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se Prishtina asnjëherë nuk i ka pasur mbi 80 milionë buxhet, duke theksuar se ato para kanë ardhur nga “bartja” e parave që kanë tepruar. Abrashi është përgjigjur se për këtë do të thërrasë konferencë për media për ta vërtetuar specifikisht këtë çështje. Pikërisht këtu ai i ka bërë thirrje Ahmetit që të ballafaqohen publikisht në debat rreth temës së buxhetit.

Ahmeti e ka ftuar në Komunë për ta diskutuar buxhetin, ndërkaq Abrashi i ka kërkuar ballafaqim publik. “Unë ty të ftoj në debat, veç unë e ti edhe folim veç për buxhet, veç për banesat dhe mbeturinat”, ka thënë Abrashi. 

Ndërsa, Ahmeti është përgjigjur: “Po more kur të duash”. Por, mbetet të shihet nëse Ahmeti do ta pranojë këtë ftesë për t’u përballur me sfiduesin e tij kryesor për garën e Prishtinës.

(Kosova Sot)

7 orë e 4 minuta më parë