Aktakuzë kundër dy personave që tentuan ta vrasin me sëpatë dëshmitarin për fajde

  • 11 October 2017 - 14:44
Aktakuzë kundër dy personave që tentuan ta vrasin me sëpatë dëshmitarin për fajde

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur aktakuzë kundër N.P dhe L.K, për vepër penale "tentim vrasjeje" ndaj dëshmitarit Ibrahim Kazazi. Ky i fundit ishte dëshmitar ndaj gjyqit për fajde kundër Bernard Perlazrit. Të akuzuarit kanë tentuar ta vrasin me sëpatë dëshmitarin Kazazi, një natë para se ta japë ai dëshminë. Të fundit, gjithashtu, e kanë rrahur dëshmitarin Ibrahim Kazazi të cilin e kanë plagosur. 

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve N.P. dhe L.K., për veprën penale të vrasjes në tentativë nga neni 178 lidhur me nenin 28 dhe 31, të KP-së, ndërsa për të akuzuarin N.P., edhe për veprën penale "mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve" nga Neni 374 paragrafi 1 i KP-së.

Sipas aktakuzës, e dërguar në komunikatë për media, thuhet se N.P. dhe L.K., më 11.01.2017, me dashje tentojnë të privojnë nga jeta të dëmtuarin I.K., i cili në ato momente ishte duke punuar në punëtorinë e tij pranë shtëpisë së tij në Prizren, me qëllim që të mos dëshmojë si dëshmitar në një proces gjyqësor.

I akuzuari Gj.P., i cili për momentin është në arrati dhe i akuzuari L.K. kanë hyrë brenda dhe e kanë sulmuar të dëmtuarin I.K.. I akuzuari Gj.P e ka sulmuar me sëpatë në trup dhe krahë duke i shkaktuar plagë, ndërsa i akuzuari L.K. ka nxjerrë armën e zjarrit – pistoletë dhe ka shtënë dy herë nga afërsia në drejtim të dëmtuarit, me ç’rast i shkakton lëndime të rënda trupore.

Ndërkaq, i akuzuari N.P. bënte roje në afërsi të vendit të ngjarjes dhe më pas që të tre largohen nga vendi i ngjarjes. I akuzuari N.P. akuzohet edhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga Neni 374 paragrafi 1 i KP-së.

Me këto veprime në bashkëkryerje të akuzuarit kanë kryer veprën penale të vrasje në tentativë nga Neni 178, lidhur me Nenin 28 dhe 31 të KP-së. 

(Kosova Sot)