< Zeqa: Pazare me certifikatën e veteranit të luftës - Lajme - Kosova Sot
Zeqa: Pazare me certifikatėn e veteranit tė luftės

Zeqa: Pazare me certifikatėn e veteranit tė luftės

Analisti politik Florim Zeqa tha se abuzimi me listat e veteranëve të UÇK-së nuk është ndonjë risi. "Ofrimi i librezave partiake gjatë fushatave zgjedhore në këmbim të statusit të veteranit, përveçse dukuri shqetësuese, është një sfidë e rëndë dhe e mundimshme për shumicën e veteranëve, ish- luftëtarë të vërtetë të lirisë sonë, të cilët luftën e bënë për çlirimin e vendit, e jo për partitë politike dhe as për liderët që sot luajnë më fatin e tyre. Atyre që nuk u përgjigjën ftesave për marrjen e librezave partiake, jo vetëm që u rrezikohen vendet aktuale të punës, u rrezikohet edhe statusi i veteranit të luftës çlirimtare!", u shpreh ai. "Vendet e tyre, me lehtësi mund t'i zënë "veteranët" e veshur me rroba të grave gjatë periudhës së luftës apo pseudopatriotët, të cilët asnjëherë s'kanë qenë pjesë e luftës dhe as e rezistencës paqësore,... përfitojnë spiunët dhe bashkëpunëtorët e regjimit pushtues serb,...veglat e shërbimeve sekrete të luftës dhe pas luftës në Kosovë!", tha Zeqa për "Kosova Sot". "Mos t'i i lëmë veteranët të bëhen "mish për top" i uzurpatorëve të lirisë sonë, të atyre që u pasuruan duke u thirrur në emër të vlerave sublime të kombit, të luftës e të paqes", vijoi më tutje Zeqa. "Përkundër provave të shumta për abuzimin me listat e veteranëve, gjegjësisht shit-blerjes së certifikatave të veteranëve, Prokuroria dhe Gjykatat vazhdojnë të heshtin ndaj fenomenit të "veteranomanisë" apo fryrjes së listave të veteranëve! Ashtu sikurse shitësit e certifikatave të veteranëve, edhe blerësit janë abuzues të luftës çlirimtare, abuzues të gjakut të dëshmorëve,...të shndërruar në trafikantë dhe mercenarë të paqes. Sikurse të parët (shitësit), ashtu edhe të dytët (blerësit) e certifikatave të veteranëve do t'i mallkojë gjaku i dëshmorëve dhe martirëve të lirisë sonë", deklaroi Zeqa për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)

21 orë e 45 minuta më parë