< Kelmendi: 20 dështimet e presidentit - Lajme - Kosova Sot
Kelmendi: 20 dėshtimet e presidentit

Kelmendi: 20 dėshtimet e presidentit

Eksperti i së drejtës, Muhamet Kelmendi, njëherësh edhe veprimtar i çështjes kombëtare, tha se është ndier shumë keq dhe shumë i befasuar kur e ka dëgjuar dy ditë më parë Hashim Thaçin duke u ankuar e duke thënë se e kanë 'mashtruar' për Gjykatën Speciale, me ç'rast ka thënë se fajtorët kryesorë për ndërtimin e Gjykatës Speciale për Kosovën dhe shqiptarët vijnë nga faktorët ndërkombëtarë, e që sipas tij na mashtruan ndërkombëtarët."Konsideroj se me deklaratën e tillë z. Thaçi po mundohet të heqë përgjegjësinë për dëmet e mëdha që ky i ka sjellë UÇK-së dhe Kosovës që nga viti 1998, kur doli si drejtor i Drejtorisë së UÇK-së. Po me këtë kuptohet se bashkëpërgjegjës është edhe faktori i jashtëm. Po kjo nuk jep asnjë arsyetim për punën e z. Thaçi në dëm të Republikës së Kosovës", u shpreh ai. Për ta dokumentuar këtë më saktë, ai ka sjell një listë prej 20 pikësh të veprimeve për të cilat është përgjegjës Hashim Thaçi. "1. Hashim Thaçi shkatërroi UÇK-në; 2. Keqpërdori mjetet financiare të UÇK-së; 3. Likuidoi UÇK-në dhe atë e shndërroi në organizatë humanitare; 4. Ndau dhe përçau skenën politike që doli nga LPK dhe UÇK; 5. Pranoi pa kritere ndërtimin e komunave tipike shoviniste serbe; 6. Krijoi Kosovën Veriore në bashkëpunim me Francën; 7. Bëri amnistimin e kriminelëve serbë në veri; 8. Kurrë nuk e akuzoi shtetin serb për gjenocide; 9. Bëri barazimin e gjenocidit serb me luftën çlirimtare të UÇK-së; 10. La nën mëshirën e fatit njerëzit, ushtarakët dhe kuadrin e UÇK-së; 11. Me dhjetëra ushtarakë të UÇK-së u dënuan pa bazë juridike; 12. Detyroi deputetët me shantazhe dhe presion të formojnë në Kuvendin e Kosovës Gjykatën Speciale, vetëm për ushtarët dhe luftëtarët e lirisë; 13. Kurrë nuk u angazhua në ndjekjen e kriminelëve serbë për dhunën dhe gjenocidin serbomadh; 14. Bëri Marrëveshje për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë; 15. Pa kritere dhe me nënshtrim të ashpër filloi dhe vazhdoi bisedimet gjoja me shtetin serb; 16. U takua dhe komunikoi me kriminelët e kalibrit të Vuçiqit dhe të Daçiqit;17. Tash po vazhdon marifetet e veta herë me akuza e herë me bashkëpunim me shtetin serb, madje edhe me ndërkombëtare, pa mbajtur qëndrime; 18. Ndërtoi sistem politiko-shoqëror të krimit dhe të korrupsionit; 19. Nënshkroi marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi dhe 20. Bëri rehabilitimin e të gjithë elementeve dhe të shërbyesve të regjimit serbo-jugosllav dhe ata i vendosi në udhëheqje, si në polici, në gjykata e në prokurori; nëpër agjenci shtetërore etj. I përmenda këto 20 pika që janë vetëm disa fakte qenësore që e bëjnë Hashim Thaçin përgjegjës për gjendjen që e kemi. Ne mund të akuzojmë të tjerët, por kurrë nuk duhet të ikim nga auto-përgjegjësia. Pse? Sepse këtu konsiston përgjegjësia më e madhe për çështjen", përfundon listën Kelmendi.

(Kosova Sot)

16 orë e 38 minuta më parë