Drejtësia e politizuar, në shërbim të korporatokracisë kriminale

  • 11 October 2017 - 08:17
Drejtësia e politizuar, në shërbim të korporatokracisë kriminale

Pasojat e shtetit të kapur në sundimin e ligjit

Oligarkët u shpëtojnë gjithnjë ndëshkimeve ligjore

“Një drejtësi e kapur si kjo në vendin tonë druaj se do të vazhdojë të veprojë e diktuar nga urdhrat e politikës së inkriminuar dhe korporatokracisë kriminale, duke mos dënuar mafio-oligarkët e politikës, korporatokracisë dhe asaj të nëntokës kriminale kosovare, gjithnjë përderisa të mos futen edhe tek ne reforma të njëmendta dhe të thella në drejtësi, për pastrimin definitiv të administratës shtetërore, gjyqësorit dhe prokurorisë së kapur të shtetit, njëjtë si Vetting-u në Shqipëri”, u shpreh analisti Gani Qarri

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se në shtetin tonë të ri, fatkeqësisht, drejtësia ende punon nën urdhrat e politikës së inkriminuar dhe i nënshtrohet korporatokracisë kriminale, ndaj, sipas tyre, bandat e krimit të organizuar jo vetëm se ndihen vazhdimisht të trimëruara përballë shtetit, por në një vend si ky yni, që dominohet nga oligarkomafia, kriminelët gjejnë hapësirë të mjaftueshme për të vepruar të lirë dhe pa e ndier asnjëherë dorën e shtetit dhe veprimin e ligjit mbi ta. Ndaj ata kanë shtruar edhe çështjen për diskutim se deri kur drejtësia në Kosovë do të punojë nën urdhrat e politikës së inkriminuar dhe të korporatokracisë kriminale, duke i shpëtuar drejtësisë kështu mafio-oligarkët e politikës dhe mafio-oligarkët e korporatokracisë dhe të nëntokës kriminale kosovare, duke mos u marrë prokuroria fare me shumicën absolute prej tyre, pastaj edhe me ata që merren, shpëtojnë me dënime të buta, apo duke i shfajësuar gjyqësori edhe për vjedhjet edëshmuara me miliona euro të buxhetit dhe aseteve të shtetit. Për atë se pse drejtësia ka vepruar dhe po vepron me kute të ndryshme dhe duke  dalë mbi ligjin kur ështëfjala për politikanët e inkriminuar dhe në mbrojtjen e nëntokës kriminale, ajo i "dënon" vetëmsa për sy e faqe dhe sa për të thënë se ka vendime gjyqësore për vjedhjen e parasë publike, duke mbyllur edhe formalisht rastet e tyre penale e  tepër kriminale, flet shkrimi në vijim.

Nënshtrimi ndaj korporatokracisë

Analisti Gani Qarri, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se në shtetin tonë të ri, fatkeqësisht, drejtësia ende punon nën urdhrat e politikës së inkriminuar dhe i nënshtrohet korporatokracisë kriminale. Ndaj, sipas tij, bandat e krimit të organizuar jo vetëm se ndihen vazhdimisht të trimëruara përballë shtetit, por në një vend si ky  yni, që dominohet nga oligarkomafia, kriminelët gjejnë hapësirë të mjaftueshme për të vepruar të lirë dhe pa e ndier asnjëherë dorën e shtetit dhe veprimin e ligjit mbi ta.“Për t’i mbajtur gjallë veprimet e tyre korruptive dhe kriminale, grupet e inkriminuara gjithsesi duhet të koketojnë ngushtë me politikën dhe të ruajnë lidhjet e përhershme me politikëbërjen në vend, si dhe udhëheqësit më të lartë, të cilët mbajnë nën kontroll monopole të fuqishme shtetërore dhe kontrollojnë elemente të caktuara të shoqërisë”, ka thënë ai.“Përkundër të gjithave sa ndodhin, fatkeqësisht një drejtësi e kapur si kjo në vendin tonë druaj se do të vazhdojë të veprojë e diktuar nga urdhrat e politikës së inkriminuar dhe korporatokracisë kriminale, duke mos dënuar mafio-oligarkët e politikës, korporatokracisë dhe asaj të nëntokës kriminale kosovare, gjithnjë përderisa të mos futen edhe tek ne reforma të njëmendta dhe të thella në drejtësi, për pastrimin definitiv të administratës shtetërore, gjyqësorit dhe prokurorisë së kapur të shtetit, njëjtë si Vetting-u në Shqipëri”, u shpreh analisti Gani Qarri.

Drejtësi me standarde të dyfishta

Analisti Skënder Kapiti thotë se në Shqipëri dhe në Kosovë krimi i nëntokës së politikës, drejtësisë, si dhe korrupsioni gjithë-institucional, shtetëror, si dhe ai shoqëror kanë sjellë atë të cilin mund ta quajmë edhe Apokalipsi i padrejtësisë në të dy shtetet, derisa siç tha kjo për vetëm një fakt të besueshëm dhe që e vërteton plotësisht është realiteti se në të dy shtetet shqiptare kudo bisedohet dhe synohet largimi nga atdheu, si shpëtim prej atyre se çfarë iu ndodh shqiptarëve nga padrejtësia. Tutje ai nënvizon se padrejtësia, mosfunksionimi i ligjit dhe shtetit ligjor, krimi dhe korrupsioni oligarkiko-mafioz dhe i korporatokracisë hajdute e ka dërrmuar psikologjikisht, moralisht dhe shpirtërisht, popullin shumë rëndë. “Pra, aq e rëndë është situata saqë i ka humbur vlera dhe kuptimi i nocionit drejtësi dhe si normalitet drejtësie po pranohet padrejtësia, korrupsioni, të cilët kanë fituar imunitetin e pandëshkueshmërisë dhe janë shtrirë dhe po kultivohen edhe si kulturë kolektive. Ky është absurditeti më i madh që po ligjësohet prej drejtësisë, sistemit të saj në Kosovë”, theksoi Kapiti.“Drejtësia vepron në Kosovë me kute të ndryshme. Ky fakt tregon se ajo nuk është drejtësi, por funksionon si padrejtësi, si vetëgjyqësi, si krim dhe korrupsion. Në Shqipëri është miratuar VETTING-u dhe në Kosovë publiku i gjerë dhe opinioni atje kërkon të miratohet një ligj si ky në Shqipëri”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Skënder Kapiti.

Instalimi i krimit

Politologu Adnan Bajrami ka nënvizuar se në Kosovë deri më sot ka dështuar sistemi i drejtësisë, si nga gjyqtarët tanë po ashtu edhe nga ata ndërkombëtarë, derisa politikanët kosovarë kanë arritur që edhe gjyqtarët ndërkombëtarë t’i korruptojnë, ndonëse këta të fundit, siç tha, kanë qenë një shpresë se do ta luftojnë korrupsionin, por që ka ndodhur e kundërta, pasi vetëm sa është instaluar më shumë ky sistem.“Pra, përderisa një numër i prokurorëve e gjyqtarëve dyshohet se janë të përfshirë në korrupsion, duke i mbyllur sytë para politikanëve, nuk pritet të ketë drejtësi të mirëfilltë dhe meritore, përderisa është vjedhur dhoma e dëshmive dhe ende nuk është zbardhur ai rast, nuk pritet që të dënohet ndonjë politikan, vetëm rrëzimi nga pushteti, edhe duke u emëruar prokurorë e gjyqtarë të rinj atëherë mund të shihet një shpresë në fund të tunelit!”, spikati për gazetën “Kosova Sot” politologu Adnan Bajrami. Ndërsa analisti Naim Miftari shprehet se drejtësia te ne nuk do të veprojë asnjëherë kur janë në pyetje politikanët që e mbajnë pushtetin, pasi njerëzit që veprojnë në drejtësi janë të zgjedhur pikërisht nga politikanët e korruptuar deri në fyt. Prandaj, sipas tij, është normale mospasja e vullnetit dhe as e guximit që këta prokurorë dhe këta gjyqtarë të merren me luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe dukurive të tjera negative, pasi dihet fort mirë se prapa krimit të organizuar fshihet vetë politika e korruptuar.“Pra, fshihen vetë punëdhënësit e prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilët zgjidhen si në bursë tregtare, pra akoma pa ia filluar punës janë të kushtëzuar dhe të korruptuar, pra janë të zënë nga krimi i organizuar i instaluar në politikë, ku ligjin e bëjnë para-sistemet politike dhe kriminale të instaluara në partitë politike”, deklaroi për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Miftari. 

“Ne kemi sistem juridik, por nuk kemi drejtësi as korrektësi, pasi drejtësia vepron vetëm kur ‘klientë’ i kanë qytetarët e thjeshtë para vetes, ndërsa kur janë në pyetje peshkaqenët drejtësia nuk ka guxim as që t’i ftojë në bisedë informuese, pasi mbesin pa punë dhe rrezikojnë edhe jetën e vet, plus aty kur shkojnë që t’ia fillojnë punës në “drejtësi” shkojnë të kushtëzuar dhe të korruptuar akoma pa ia filluar punës në organet e drejtësisë”, tha Naim Miftari

“Nuk pritet që prokurorët vendorë t’i dënojnë politikanët e korruptuar”, tha Adnan Bajrami

“Urojmë që VETTING-u të kryejë misionin e tij dhe jo të jetë e të shërbejë si fasadë dhe maskë, sa për zëvendësim, sa për të ndërruar pushtet e vende pune në drejtësi me emra dhe persona të rinj dhe të vazhdojnë me avazin e vjetër, por me melodi të re”, tha Skënder Kapiti

(Kosova Sot)