Mijëra biznese falimentuan, fqinjët më joshës për investitorët

  • 11 October 2017 - 08:19
Mijëra biznese falimentuan, fqinjët më joshës për investitorët

Kosova ende pa politika të qarta dhe efikase për tërheqjen e investimeve

Kompanitë duan lehtësira konkrete, për ta konkurruar rajonin

“Ndër shkaqet kryesore të mbylljes së bizneseve janë kryesisht politikat fiskale joadekuate me 15 për qind, mungesa e subvencioneve nga donatorët me 12 për qind, normat e interesit bankar të larta me 11 për qind, energjia e shtrenjtë me 10 për qind, si dhe informaliteti dhe konkurrenca jokorrekte me 9 për qind”, potencoi kreu i AKB-së, Agim Shahini

Zyrtarë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare nuk kanë dhënë shifra se sa është numri i bizneseve të shuara në 9- mujorin e parë të vitit 2017, derisa kjo shifër në  vitin 2016 ishte 2.328 ndërmarrjeve të mbyllura. Ndërkaq, për shkaqet e mbylljes së këtyre bizneseve kanë folur drejtues të AKB-së, shoqatave të bizneseve dhe ekspertët të ekonomisë të cilët deri në detaje janë munduar të sqarojnë se cilët janë indikatorët kryesorë të shuarjes së bizneseve. Sipas tyre, veç mungesës së sundimit të ligjit, që në çdo raport ndërkombëtar që ka folur për Kosovën, është potencuar se janë edhe krimi i organizuar dhe korrupsioni. Ndërkaq, sipas AKB-së, ndër shkaqet kryesore të mbylljes së bizneseve janë kryesisht politikat fiskale joadekuate me 15 për qind, mungesa e subvencioneve nga donatorët me 12 për qind, normat e interesit bankar të larta me 11 për qind, energjia e shtrenjtë me 10 për qind, si dhe informaliteti dhe konkurrenca jofer me 9 për qind. Ndaj, sipas ekspertëve, vlerësohet se efektet dhe pasojat në mbylljen e një biznesi janë të mëdha, njerëzit që kanë qenë të punësuar do të mbesin pa punë, pa të ardhura personale, çdo zvogëlim i punësimit sjell pasojën tjetër, kërkesën më të vogël në treg për mallra të konsumit të gjerë

Shkaqet kryesore të falimentimit

Lideri i AKB-së, Agim Shahini, tha për gazetën “Kosova Sot ” se në bazë të një hulumtimi të AKB-së, të dhënat flasin se vetëm brenda dy vjetëve të fundit, 2015 dhe atë 2016, janë mbyllur 4400 biznese vendore. Ndërkaq, shifrat tregojnë se numri i bizneseve të mbyllura gjatë vitit 2016 ka arritur 2.328. “Në vitin paraprak 2015, janë mbyllur 2.156 biznese dhe këto të dhëna flasin se kjo shifër e bizneseve të mbyllura në vitin 2016, krahasuar me një vit më parë, kanë shënuar një rritje prej 8.14 për qind”, u shpreh ai. “Realisht, një rritje më e theksuar ishte në vitin 2016, ku janë mbyllur rreth 50 biznese të huaja, në krahasim me vitin paraprak ka rritje të mbylljes për 16.3 për qind. Ndërsa, mbyllja e bizneseve të huaja në proporcion me regjistrimin paraqet shifra të ulëta”, theksoi Shahini. “Ndër shkaqet kryesore të mbylljes së bizneseve janë kryesisht politikat fiskale joadekuate me 15 për qind, mungesa e subvencioneve nga donatorët me 12 për qind, normat e interesit bankar të larta me 11 për qind, energjia e shtrenjtë me 10 për qind, si dhe informaliteti dhe konkurrenca jofer me 9 për qind”, potencoi ai.

Prodhuesit ankohen për kushtet e pafavorshme

Ndërsa, afaristi Sylejman Konushevci, prodhues i vajit “Flori”, tha për gazetën “Kosova Sot”, se, ndër arsyet kryesore të mbylljes së bizneseve janë politikat fiskale joadekuate të deritashme të të gjitha qeverive, që po i detyrojnë shumë biznese të mbyllen, e disa sish edhe t’i transferojnë në shtete të tjera “sikurse që jemi detyruar ne që të ikim me biznesin tonë në Bullgari”. Sipas Konushevcit, arsyet janë të shumta, por disa sish janë më reale e më konkrete. “Janë politikat fiskale, janë numër një, ndonëse janë bërë disa lëvizje të vogla në Pakon Fiskale numër 1, që ka hyrë në fuqi në vitin 2016”, theksoi ai. “Këto ndryshime nuk kanë mjaftuar kur dihet se importi i lëndës së parë dhe taksat doganore nuk janë eliminuar dhe janë në fuqi dhe ato janë barriera që nuk  janë hequr dhe bizneset po shkojnë në falimentim e po detyrohen që të ikin në shtete të tjera, si në Maqedoni, në Bullgari, atje ku ka kushte më të mira, ngase regjioni ynë po ofron kushte më të mira sesa  Kosova”, vijoi më tej Konushevci. “Te ne lënda e parë ngarkohet edhe me TVSh, edhe me doganë, plus saj edhe disa repromateriale kanë edhe akcizë, kurse në shtetet e tjera këto janë baras me zero”, shpjegoi ai. “Te ne nevojiten ndryshime të reja në këtë Pako Fiskale, sepse neve si AKB dhe  Odat Ekonomike nuk kemi mundur që të gjejmë një gjuhë të përbashkët me qeveritë e deritashme”, tha Konushevci.

Mungesa e sundimit të ligjit, me efekte të rënda

Përfaqësuesi i Shoqatës së Naftëtarëve, Ramadan Maloku, ka thënë për “Kosova Sot’ se indikatori kryesor i mbylljes së bizneseve te ne edhe më tej mbetet mungesa e sundimit të ligjit në vendin tonë. Sipas tij, kjo po i tremb investitorët vendorë e të huaj që të investojnë këtu te ne dhe po i detyrojnë ata që t’i mbyllin bizneset e tyre, andaj për pasojë tonën e kemi edhe këtë rritje të shifrave të mbylljes së bizneseve nga viti në vit. “Në çdo raport ndërkombëtar, që ka folur për Kosovën, është potencuar mungesa e sundimit të ligjit, por edhe krimi i organizuar dhe korrupsioni shumë i madh nëpër të gjitha nivelet e institucioneve, ndër indikatorët kryesorë që po i detyrojnë bizneset që të shuajnë veprimtarinë  e tyre ”, u shpreh më tej Maloku. “Bizneset, në veçanti ato të vogla dhe të mesme, shumë herë tregojnë se një arsye tjetër që vjen deri te falimentimi, është edhe krijimi i monopolit të kompanive të mëdha”, theksoi Ramadan Maloku.

Politikat e gabuara ekonomike

Ndërsa, Halit Shabani, ekspert i ekonomisë dhe ligjëruesi i Universitetit Publik, “Haxhi Zeka” në Pejë, për gazetën” Kosova Sot “ tha se ka shumë faktorë që lidhen  me shuarjen e bizneseve, por në radhë të parë këtu bëjnë pjesë politikat e deritashme të gabuara fiskale dhe monetare, që mbesin njëri nga faktorët kryesorë që po i detyrojnë bizneset tona të mbyllin dhe të shuajnë veprimtarinë  e tyre. “Indikatorë tjetër është edhe mungesa në implementimin e ligjeve ekzistuese, përkatësisht keqinterpretimi i ligjeve që sërish mbetet njëri nga indikatorët që po i detyrojnë këto biznese të shuajnë veprimtarinë  e tyre, ngase kjo po u sjell vështirësi dhe telashe në afarizmin  e tyre”, theksoi Shabani. Ai tregon se pasojat janë tejet të larta, kur kihet parasysh se një biznes, i cili ka vepruar me vite dhe ka pasur të punësuar shumë njerëz, ata do të mbesin pa punë.  Përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se politikat e pafavorshme fiskale, ekonomia joligjore, kamatat e larta të kredive, mungesa e një angazhimi më serioz i autoriteteve kompetente për sektorin privat, janë vetëm disa nga arsyet e shuarjes së bizneseve. Ndaj,  Selatin Kaçaniku (“Konsumatori”) tha për gazetën”Kosova Sot” se të gjitha këto do të duhej t’i dinin ARBK-ja dhe infrastruktura e cilësisë brenda MTI-së e brenda ministrive tjera; BQK-ja, ATK-ja, Dogana, PTK-ja, Asociacionet biznesore, Departamentet ekonomike të komunave dhe inspeksionet. “Nëse institucionet, asociacionet dhe mekanizmat e shtetit do të ishin të interesuara, konform ligjit, mandatit, etikës profesionale, këtë punë do të mund ta dinte edhe qytetari konsumator, taksapagues, partneri themelues më i mundshëm, më korrekt dhe më i sinqertë i shtetit”, ka vlerësuar ai.  

Sipas Selatin Kaçanikut, buxheti i Kosovës aktualisht është trefish më i vogël, se që mundet dhe duhet të jetë

Agim Shahini tha se nga indikatorët e tjerë, që po i detyrojnë bizneset të mbyllen, janë edhe këto pengesa:Vështirësitë e lëvizjes së lirë në tregjet e BE-së, taksat e larta komunale, mungesa e subvencioneve nga donatorët, shpenzimet më të larta se fitimet, monopolet e krijuara nga korporatat, burokracia për leje ndërtimi dhe licenca, si dhe humbja e tregjeve të reja:

“Bizneset, në veçanti ato të vogla dhe të mesme, shumë herë tregojnë se një arsye tjetër që vjen deri te falimentimi, është edhe krijimi i monopolit të kompanive të mëdha”, theksoi Ramadan Maloku

“Efektet dhe pasojat në mbylljen e një biznesi janë të mëdha, njerëzit që kanë qenë të punësuar do të mbesin pa punë, pa të ardhura personale, çdo zvogëlim i punësimit sjell pasojën tjetër, kërkesën më të vogël në treg për mallra të konsumit të gjerë”, potencoi Halit Shabani

 

(Kosova Sot)