Detaje nga arrestimi i policit që u kap me 14.7 kilogramë drogë

  • 11 October 2017 - 21:10
Detaje nga arrestimi i policit që u kap me 14.7 kilogramë drogë

Gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore të Mitrovicës ka aprovuar kërkesën e prokurores Zejnije Kela për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj policit të Njësive të Specializuara, Arben Bytyqi dhe dy personave të tjerë, të arrestuar më 8 tetor rreth orës 23:00 nën dyshimin për bartje të lëndëve narkotike.

Në një kopje të kërkesës për paraburgim, tregohet në detaje aksioni i Policisë së Anti-Drogës të Veriut të Mitrovicës gjatë të cilit, në afërsi të Mitrovicës, u arrestuan Arben Bytyqi dhe Avdyl e Safet Hoxha.

“Sapo janë parkuar të parkingu i “Viva Fresh” më qëllim qe t’i transportojnë narkotikët jashtë shtetit dhe menjëherë me të vërejtur policinë i pandehuri Arben Bytyqi ka filluar që të ikte në këmbë nga vendi i ngjarjes dhe nga largësia e ka mbyllur veturën “Audi A6””, thuhet në kërkesën e Prokurorisë së Mitrovicës.

Kërkesa gjithashtu sqaron së polici Bytyqi më pas ishte arrestuar në fshatin Smrekonicë të Vushtrrisë dhe ishte kthyer përsëri në vendin e ngjarjes.

“I njëjti është arrestuar ne fshatin Smrekonicë nga patrulla policore dhe kur i është afruar automjetit të tij në fshatin Shupkovc i njëjti sipas kërkesës ka hapur automjetin dhe në bagazhin e automjetit në një çantë të madhe të udhëtimit janë vërejtur paketa të mbështjella me folie dhe ngjitës të tejdukshëm në formë shiriti”, përshkruan kërkesa, transmeton Kallxo.com.
Njësia e Forenzikës ka hapur çantën dhe ka vërejtur së në të janë 27 paketime me substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë dhe me peshë të përgjithshme prej 14 kilogramë e 722 gramë.

Prokuroria ka kërkuar paraburgim për të tre të dyshuarit duke u bazuar në peshën e veprës penale që këta dyshohen së e kanë kryer.

Gjithashtu, për të pandehurin Bytyqi ka përshkruar se i njëjti është person zyrtar, i cili ka keqpërdorur pozitën dhe autorizimet e tij, andaj konsideron se i njëjti nëse mbrohet në liri ekziston frika se mund të përsërisë veprat e njëjta penale.

Të hënën, Gjykata për të tre ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

(Kosova Sot)