Zafir Berisha dënohet me 1800 euro nga PZAP-ja

  • 11 October 2017 - 21:13
Zafir Berisha dënohet me 1800 euro nga PZAP-ja

Nismës për Kosovën i është shqiptuar dënim prej 1800 eurove për spotin e Zafir Berishës ku shihen fëmijë.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka gjetur të bazuar ankesën e BIRN dhe IKS lidhur me spotin e kandidatit të Nismës për Kosovën në Prizren, Zafir Berisha, për përdorim të fëmijëve në fushatë.

Kësisoj, Nisma për Kosovën, dega në Prizren është gjobitur me 1800 euro për shkak për përfshirjes së fëmijëve në spotin e Zafir Berishës.

Kjo gjobë, Nismës për Kosovën i është shqiptuar përkundër faktit se në përgjigjen e saj në ankesë, përfshirjen e fëmijëve në fushatë e konsideron si një lëshim teknik dhe të paqëllimshëm në momentin e montimit të spotit.

Nisma më tutje në ankesë thotë se nuk ka pasur qëllim të keqpërdorimit të fëmijëve.

Në vendimin e PZAP-it bëhet e ditur se Nisma ka ndërmarrë masat përmirësuese duke e larguar spotin me sekuenca ku shihen fëmijët për të dëshmuar evitimin e shkeljes.

Evitimi i shkeljes sipas vendimit të PZAP-it ka ndikuar në lartësinë e gjobës por ishte i pamjaftueshëm për të evituar edhe gjobën.

(Kosova Sot)