Fluks i madh me fruth, vdes fëmija i komunitetit RAE

  • 12 October 2017 - 10:49
Fluks i madh me fruth, vdes fëmija i komunitetit RAE

Vdekja e foshnjës 15 muajshe në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga fruthi ka ngritur alarmin lidhur me përhapjen dhe rrezikun nga kjo epidemi në vend. Me dhjetëra pacientë vazhdojnë të kurohen në Klinikën e Infektive në QKUK të prekur nga gripi, disa me gjendje të rëndë. Me dhjetëra pacientë janë trajtuar në këtë klinikë që nga qershori i këtij viti, ku pjesa më e madhe e tyre kanë qenë të pavaksionuar për të luftuar epideminë fruthit. Zyrtarë të Klinikës Infektive në QKUK kanë konfirmuar për “Kosova Sot”, vdekjen e foshnjës së një familje të komuniteti RAE nga Fushë Kosova, sipas të cilëve foshnja është shtruar në spital katër ditë më parë në një gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas tyre, rreziku nga kjo sëmundje vazhdon të mbetet në nivel duke pasur parasysh edhe sezonalitetin e saj.   

Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Hamdi Ramadani, ka thënë për “Kosova Sot”, se foshnja që ka ndërruar jetë gjatë ditës së djeshme ishte shtrirë në klinikë 48 (nga dita e pardjeshme), në një gjendje të rëndë, dhe pavarësisht përkushtimit të stafit fëmija nuk ka mundur t’ i rezistojë sëmundjes dhe ka ndërruar jetë.  “Edhe përkundër përkushtimit të stafit  pas 48 orësh rasti ka përfunduar me vdekshmëri. Pacienti ka ardhur në gjendje shumë të rëndë,  me temperatura mbi 39, me manifestime të rënda të bronkitit dhe duket se ishte i keq ushqyeshëm,  dhe ka pasur një imunitete të dobët edhe ashtu të lindur”, ka thënë dr. Ramadani, duke shtuar se janë edhe 4 pjesëtarë të së njëjtës familje të cilët po trajtohen në klinikë nga e njëjta sëmundje. Po sipas tij, një numri i madh pacientësh që po trajtohen në këtë klinikë të prekur nga fruthi vijnë nga komuniteti RAE nga Fushë Kosova.

Më tej drejtori Ramadani ka thënë se situata aktuale në Klinikën Infektive është mjaft e ngarkuar për shkak të sëmundjes epidemike të fruthit e cila e ka sezonalitetin e saj e cila manifestohet me komplikimet dhe pasoja deri në vdekshmëri. Ai ka thënë se zakonisht kjo sëmundje shfaqet në ato situata ku numri i të vaksionuarve është i vogël, dhe pastaj një rast vepron dhe e bartë atë  sëmundjen tek personat tjerë. Ai ka pohuar klinika është duke u përballur me një fluks të madhe të të sëmuarve nga gripi nga regjione të ndryshme të Kosovës, ku prijnë Lipjani dhe Fushë Kosova, sidomos nga komuniteti RAE. Pjesë dërmues e tyre të pavaksionuar. “Nga 100 rastet e trajtuara që nga qershori i këtij viti aktualisht në Klinikën infektive janë duke u trajtuar 28 pacientë të prekur nga fruthin, me pasqyrë klinike të rëndë, temperatura të larta,  nga disa edhe me komplikime tjera. Nga gjithë ky numër (mbi 100)i regjistruar –protokoluar në klinikën të prekur nga fruthi vetëm tri raste kanë qenë të vaksinuara”, ka thënë dr. Ramadani.

(Kosova Sot)