Kuvendi të hetojë monopolet dhe privatizimet kriminale

  • 12 October 2017 - 08:38
Kuvendi të hetojë monopolet dhe privatizimet kriminale

Politika të vihet në shërbim të zhvillimit ekonomik

Tregu i lirë, peng i oligarkisë mafio-biznesore

Nt: “Ky hetim i Kuvendit dhe Qeverisë duhet që të bëhet sa më parë, sepse po u vazhdua edhe më tej me këtë formë të privatizimit, kjo do të jetë një pengesë e madhe edhe për zhvillimin ekonomik, por edhe në përgjithësi për zhvillimin e Kosovës”, ka thënë ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës në dy mandatet e kaluara, Salih Morina

Analistë të ekonomisë, përfaqësues të BSPK-së dhe shoqatave të bizneseve, kanë frikën se edhe përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, sikurse ajo e vjetra, por edhe vetë Qeveria e re do t’i ikin debatit rreth ndërprerjes së monopoleve të  kriminalizuara dhe procesit të privatizimit të kriminalizuar, ngase, sipas tyre, kjo po ndodh vetëm për shkak të interesave që kanë liderët tanë politikë që janë të lidhur me bizneset mafio-monopoliste dhe nga shkaku tjetër se shumë privatizime që janë bërë në vendin tonë, siç dihet ato kanë përfunduar në duart e familjarëve të pushtetarëve. Analistët në prononcimet e tyre kanë thënë se ata kanë dyshime të mëdha se Devollët po ua ”lagin fytin” të gjitha partive politike   me paratë e vjedhura nga ky popull, saqë asnjëra nuk po dëshiron as ta hapë këtë temë  të krimit të organizuar. Nënkryetari i BSPK-së, Alush Sejdiu, për gazetën”Kosova Sot” tha se përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, por edhe Qeveria e re, doemos se duhet që të debatojnë urgjentisht për këto tema që janë të pashmangshme dhe në këtë drejtim çdo vonesë që bëhet është e dëmshme për zhvillim ekonomik të Kosovës.“Dihet që përmes monopoleve përfitojnë vetëm bizneset e mëdha”, u shpreh ai.

Privatizimi shtoi radhët e të papunëve

Sipas Sejdiut, Kuvendi i ri dhe Qeveria e re duhet që të merren edhe me mostransparencë që ka qenë shumë e madhe gjatë tërë procesit të privatizimit. “Ndaj çështja e privatizimit duhet të ndriçohet, sepse nevojitet të gjendet një zgjedhje dhe të  përmirësohet ajo çfarë mund të përmirësohet”, u shpreh ai. Sipas Sejdiut, në vend të efektit të punësimit procesi skandaloz i privatizimit e ka dhënë kundërefektin dhe ka lënë pa punë mbi 70 mijë veta.“AKP-ja ka fonde të mëdha të procesit të privatizimit që do të mund të shfrytëzoheshin dhe të investoheshin për përmirësimin e gjendjes së rëndë ekonomike të qytetarëve tanë dhe përparimin e vendit, duke i investuar këta miliona në sektorin e energjetikës, bujqësisë dhe të IT-së, por edhe në sektorë të tjerë që do të ndikonin në këtë rritje ekonomike”, potencoi ai. Sejdiu është i mendimit se Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e re gjithsesi se duhet të debatojnë për këto çështje, atë të monopoleve dhe çështjen e privatizimit skandaloz dhe këto tema madje duhet që t’i kenë prioritare. Ndërkaq, për heshtjet e deritashme të institucioneve Sejdiu tha se këto shkojnë në dëm të Kuvendit dhe të Qeverisë dhe tregojnë joseriozitetin e punës së këtyre institucioneve.

Kuvendi të hetojë procesin

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës në dy mandatet e kaluara, Salih Morina (LDK), për gazetën”Kosova Sot” tha se çështja e heqjes së monopoleve dhe e procesit të deritashëm të privatizimit në vendin tonë duhet që doemos të diskutohen në Kuvendin e Kosovës dhe nga Qeveria e re, por edhe nga shoqëria civile dhe qytetarët tanë, sepse monopolet dhe procesi i  privatizimit ishin të dëmshme në ekonomi.“Kuvendi i Kosovës dhe qeveria e re në veçanti duhet që urgjentisht të debatojnë edhe për çështjen e privatizimit skandaloz që ka dhënë kundër-efekte, duke lënë pa punë mbi 70 mijë veta, duke qenë njëri nga shkaktarët që më së shumti u bëri dëm vendit tonë dhe ekonomisë, sepse vetë rrjedha e këtij procesi nuk ka ecur si duhet”, u shpreh ai. “Në çështjen e procesit të privatizimit ka  qenë i involvuar edhe faktori ndërkombëtar e më pas edhe ai vendor dhe si një proces që ishte ai nuk ka dhënë efektet e pritura në të mirën e shoqërisë kosovare në përgjithësi, sepse si procesi ishte fund e krye i dëmshëm dhe si i tillë ky proces duhet të rregullohet dhe atë sa më shpejt”, potencoi Morina. Ai tha se ky hetim i Kuvendit dhe Qeverisë duhet që të bëhet sa më parë, sepse po u vazhdua edhe më tej me këtë formë të privatizimit kjo do të jetë një pengesë e madhe edhe për zhvillimin ekonomik, por edhe në përgjithësi për zhvillimin e Kosovës. “Nuk dua që të besoj se kompanitë e mëdha po ua  ‘lagin fytin’ të gjitha partive politike”, theksoi Morina.

Mungoi llogaridhënia për dështimin

Ndërsa eksperti fushës së ekonomisë, Adil Fetahu, tha për gazetën ”Kosova Sot” se nuk ka asnjë fije dyshimi se çështja e monopoleve duhet që të debatohet doemos në Kuvendin e Kosovës dhe të vërehet çdo paligjshmëri, të anulohen ato vendime dhe të kthehet ekonomia e lirë e tregut. “Kjo vlen edhe për procesin e privatizimit, ku nga ana e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës duhet që të bëhen hetime, sepse deri më tash ky proces e ka dhënë kundër-efektin, duke lënë më shumë se 70 mijë veta pa punë, sepse në vend se të punësonte mbi 130 mijë veta, sa premtoheshin se do të hapen vende të reja pune me këtë proces dhe se nuk do të ngel askush pa punë, tash edhe ata që ishin dikur të punësuar para privatizimit të tyre kanë ngelur pa punë”, u shpreh Fetahu.“Për këto shifra enorme të të papunëve nuk është përgjigjur askush, as nga AKP-ja, por as nga qeveritë e mëhershme. Andaj, barra e diskutimit për këto çështje u mbetet përbërjes së tashme të Kuvendit të Kosovës, por edhe kësaj qeverie që të ndërmarrin diçka”, vijoi më tej ai.

Aferat duhet të zbardhen

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, tha për “Kosova Sot” se ka besim të plotë se Qeveria ‘Haradinaj’ dhe përbërja e re e Kuvendit të Kosovës do të ndërpresin monopolet në shumë fusha të ekonomisë. “Ajo që është më kryesorja besoj se kjo Qeveri dhe ky Kuvend i ri do të zbardhin deri në detaje rrjedhën e deritashme të procesit të privatizimit, që lë shumë për të dëshiruar, sepse u përcoll me shumë afera”, potencoi ai. Kurse analisti Florim Rrudhani tha për “Kosova Sot” se debati rreth ndërprerjes së monopoleve të kriminalizuara mund të mbahet në 6-mujorin e parë të vitit 2018. “Kam besim se Qeveria ‘Haradinaj’ veç faktit se do të ndërpresë këto monopole, ajo edhe do të fillojë madje me arrestimin e bartësve të këtyre monopoleve”, theksoi ai.“Veç saj, Kuvendi i ri do të duhet që të debatojë edhe për procesin skandaloz të privatizimit dhe njëherësh edhe të propozojë largimin nga Kuvendi i Kosovës të disa politikanëve që janë nën hetime nga Gjykata Speciale”, vlerësoi më tutje Rrudhani

“Pas këtyre hetimeve të plota nga ana e deputetëve të Kuvendit t’u propozohet organeve të drejtësisë që të bëjnë arrestimin e personave që janë të involvuar në privatizimet e kriminalizuara”, theksoi Florim Rrudhani

“Një proces i tillë i verifikimit të procesit të privatizimit nuk është bërë as nga Kuvendi i Kosovës, por edhe nga Qeveria, andaj kjo është një çështje që duhet të hetohet dhe të zbardhet nga gjykata dhe prokuroria e vendit, e cila duhet të merret dhe të konstatojë dhe vërtet nëse ka pasur situata të tilla dhe ndikime nga ana e pushtetarëve të të gjitha ngjyrave”, tha Sali Morina

“Kam frikën dhe nuk besoj se as ky Kuvend, por edhe as kjo Qeveri nuk do të ndërmarrin diçka në atë drejtim, sepse as këta pushtetarë në qeverinë e tashme, por as përbërja e Kuvendit, pra edhe deputetët, nuk janë të pastër në atë drejtim, përfshirë këtu edhe qeveritarët dhe strukturat udhëheqëse të larta nëpër kompanitë publike që janë të emëruara prej këtyre pushtetarëve”, tha Adil Fetahu 

(Kosova Sot)