Rritja misterioze e rrezatimit RADIOAKTIV VJEN NGA RUSIA

  • 12 October 2017 - 19:48
Rritja misterioze e rrezatimit RADIOAKTIV VJEN NGA RUSIA

Ekspertët thonë se një rritje e radioaktivitetit në ajër, në Evropën Perëndimore dhe Qendrore, mund të ketë ardhur nga Rusia. Nivelet e ngritura të izotopit Ruthenium-106 janë raportuar në Gjermani, Itali, Austri, Zvicër dhe Francë, që nga 29 shtatori. Shkencëtarët ende nuk janë të sigurt rreth shkaktarit të saktë të kësaj rritjeje, të raportuar për herë të parë gjatë javës së kaluar, por llogaritjet e reja bëjnë me dije se burimi i këtij rrezatimi gjendet diku në malet jugore të Uralit. Ekspertët gjermanë nga Zyra Federale për Mbrojtje nga Rrezatimi (FORP) tërhoqën vërejtjen të enjten, më 5 tetor, pasi që pesë stacione Shërbimit meteorologjik detektuan gjurmë të kësaj grimce. Kjo pasoi monitorimin e ajrit në stacione të tjera në tërë Evropën, ku u shënua një rritje e këtij izotopi. Analizat fillestare thoshin se burimi i këtij rrezatimi gjendej në Evropën lindore, më shumë se 1,000 kilometra larg Gjermanisë. Lokacioni i saktë i burimit të izotopit ruthenium-106 ende nuk dihet, por llogaritjet e reja thonë se grimcat mund të kenë ardhur nga Rusia jugore. Në një deklaratë të korrigjuar, zëdhënësi i FORP tha: 'Origjina e izotopit të detektuar ruthenium-106 ende është e paditur. Analizat e reja tregojnë se burimi i tij mund të gjendet në Uralet jugore, por nuk mund të përjashtohen as regjionet e tjera të Rusisë jugore". Nivelet e detektuara janë të ulëta, 17,000 herë më të ulëta sesa limiti i caktuar për këtë grimcë dhe, aktualisht, nuk paraqesin rrezik për shëndetin e njerëzve. Zyrtarët kanë deklaruar se burimi i këtij izotopi nuk mund të jetë ndonjë avari në ndonjë central bërthamor. Në deklaratën fillestare, zëdhënësi i FORP kishte thënë: 'Meqë është detektuar vetëm izotopi ruthenium-106, atëherë përjashtohet mundësia e aksidentit në ndonjë central bërthamor".

Image

 

Rrjedhja e rrezatimit radioaktiv në janar

Kjo nuk është hera e parë që, në ajrin e Evropës, detektohet materi al radioaktiv. Stacionet e kualitetit të ajrit në tërë kontinentin kishin detektuar gjurmë të jodit radioaktiv 131 në janar. Jodi-131 mund të shkaktoj dëme, për shkak të gjysmëjetës së shkurtër prej vetëm tetë ditësh, gjë që e bën atë tepër radioaktiv. Çka është izotopi Ruthenium 106? Rutheniumi është pjesë e grupit të metaleve të platinit. Është një metal i rëndë, me ngjyrë të argjendtë në të bardhë dhe me një sipërfaqe shkëlqyese. Pika e tij shkrirëse është midis 2,300 deri 2,450°C. Ky element është zbuluar nga kimisti polak Jedrzej Sniadecki, në vitin 1808. Kimistët nuk qenë në gjendje që ta konfirmonin punën e Sniadecki't dhe, si pasojë, ky element u rizbulua edhe dy herë tjera gjatë viteve në vijim. Përdorimi kryesor i rutheniumit është në legura dhe si katalizator për proceset industriale. Ruthenium-106 është izotop, ose variant i këtij elementi, me numër të ndryshëm të neutroneve në bërthamë dhe ai përdoret për terapi me rrezatim te të sëmurët nga tumoret e syrit. Ai në disa raste përdoret edhe si burim i energjisë për satelitët.

Image

 

(Kosova Sot)