Donald Trump nuk është Donaldi më i pasur amerikan

  • 12 October 2017 - 20:27
Donald Trump nuk është Donaldi më i pasur amerikan

Kur flitet për pasurinë në fushën e patundshmërive, atëherë fitues i qartë është Donaldi. Por, jo Donald Trump. Donald Bren, i lindur në Kaliforni, është baroni më i pasur amerikan në fushën e patundshmërive, me një pasuri neto prej afër 17 miliardë dollarë, që është një pasuri sa rreth gjashtë herë pasuria e presidentit Trump. Për dallim nga Trump, i cili pasurinë e tij e ka trashëguar, Bren atë e ka fituar vetë, duke u nisur nga një hua bankare me vlerë prej vetëm 10,000 dollarësh. Kompania private e patundshmërisë e Brenit, "Irvine Company", është poseduesi më i madh i tokës në Kaliforni.

Bren, ish- marins amerikan

Patundshmëritë e Brenit përfshijnë edhe apartamente, zyra, si dhe hotele, ku shumica e tyre gjenden në Qarkun piktoresk Orenxh. Në përgjithësi, Bren posedon një të pestën e këtij qarku, një zonë sa pesë herë Menhetni. Edhe pse ka mbushur 85 vjet, Bren, ish marins amerikan, vazhdon që ta udhëheqë kompaninë të cilën e formoi vet. Donald Bren lindi në Los Anxheles në vitin 1932. I ati i tij, producent filmash dhe e ëma, artiste, ishin ndarë kur ai kishte vetëm dhjetë vjet. I ati i tij më pas u martua me një aktore, derisa nëna e tij u martua me një industrialist të pasur. Bren dhe vëllai i tij kryen shkollën e mesme në Beverlli Hills, ku gjatë verës punonin si zdrukthëtarë në biznesin e patundshmërive të babait të tyre.

Bren jep donacione të rregullta për shkolla, fakultete...

Bren mori një gjysmë burse sportive për të studiuar në Universitetin e Uashingtonit, meqë merrej me skijim. Ai duhej të merrte pjesë në Olimpiadën e vitit 1956, por për shkak të thyerjes së zogut të këmbës, nuk arriti ta bënte këtë. Pasi kishte diplomuar, ai shërbeu në Marinë për tri vjet. Në vitin 1958, kur kishte vetëm 25 vjet, Bren mori një hua bankare prej 10,000 dollarësh, për ta themeluar Kompaninë "Bren" dhe për ta ndërtuar shtëpinë e tij të parë në Lido Ajl në Njuport Biç, Kaliforni. Kështu, ai filloi të ndërtonte dhe shiste shtëpi gjatë bumit të patundshmërive në Qarkun Orenxh gjatë viteve 1960. Bren jep donacione të rregullta për shkolla, fakultete, por edhe për kërkime shkencore, art, etj.

(Kosova Sot)