Mehmeti: LUKSI KORPORATIVO-KRIMINAL E DEGRADOI ÇDO PARTI NË VEND!

  • 12 October 2017 - 21:54
Mehmeti: LUKSI KORPORATIVO-KRIMINAL E DEGRADOI ÇDO PARTI NË VEND!

Analisti politik Faton Mehmeti, keqqeverisjen e Prishtinës nga VV-ja dhe ekipi i Shpend Ahmetit, Dardan Sejdiut, Liburn Aliut e Dardan Molliqajt e krahason akoma më të keq se klanin famoz "Pronto" për faktin se VV-ja e solli dhe e bëri pothuajse pronar të plotë të Prishtinës dhe aseteve më të vlefshme të kryeqytetit , edhe me letra, kompaninë "Devolli", për çka do të duhej një hetim i thellë e tepër serioz nga Prokuroria Speciale e Shtetit për të parë se si dhe pse ka ndodhur ashtu. "Nuk më habit fare fakti tragjik se Devollët e kanë kapur kriminalisht Prishtinën dhe tërë Kosovën. Kosova pa u çliruar definitivisht nga Devollët nuk mundet kurrë të ecë tutje përpara e në zhvillim e mirëqenie të saj.Të gjitha partitë politike, pa përjashtim, janë marioneta të tyre në këtë krim të organizuar, e të cilët çdo pasuri e kanë siguruar vetëm përmes bizneseve të pista dhe të dyshimta e kriminale. Janë disa klane që e udhëheqin Kosovën, ndër më të mëdhatë janë Devollët dhe " Pronto", të cilët kanë kapur çdo gjë në duart e tyre, dhe përmes tyre funksionon çdo gjë gjithandej e kriminalisht. S'duhet të habitemi pse Devollët edhe në Prishtinë kanë arritur të depërtojnë, askush nuk mund t"i ndalë ata, pasi kanë korruptuar tërë sistemin shtetëror e institucional, dhe kur korrupton sistemin nuk e ke problem fare që edhe njerëzit nëpër institucione të shtetit të korruptohen", u shpreh ai. "Korrupsioni dhe krimi nuk ka të bëjë vetëm me emra të përveçëm, por me një sistem të tërë, i cili është i kalbur dhe i tejkriminalizuar. Devollët kanë jaht dhjetëramilionësh, avion dhe çdo luks tjetër të ndërtuar mbi kurrizin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, prandaj të gjithë politikanët shijojnë dhe ndajnë të mirat e krimit bashkë me Devollët, si shpërblim për tenderët që ua japin atyre kriminalisht. Unë gjithnjë kam qenë dhe jam i prirë të besoj dhe lutem se duhet që Prokuroria Speciale e Shtetit të hetojë të gjitha këto dyshime, të mbikëqyrë punën e çdo kryetari në vend, çdo tender që jepet të shikohet kujt i është dhënë dhe mbi bazë të çfarë kriteresh i është dhënë. Nëse nuk ndërtojmë mekanizma që ruajnë konkurrencën e ndershme dhe sigurojnë barazi para të gjithëve, vështirë të pritet që të ndodhë diçka ndryshe e pozitive", potencoi më tej Mehmeti. "Devollët, përveç politikës, kanë edhe mediet e tyre, të cilat propagandojnë 24 ore pandalshëm dhe bëjnë jehonë për politikanët e blerë e servilë të tyre, e të dëgjuarit e tyre. Duhet verifikuar një për një nga Prokuroria e Shtetit lidhjet në mes të VV-së dhe Devollëve të inkriminuar, e nëse ka diçka të vërtetë, atëherë të anulohen të gjithë tenderët që i kanë marrë Devollët, derisa të verifikohen të gjitha procedurat. Kosova duhet të ndërtojë sistem të drejtë dhe shtet ligjor", vlerëson në fund për gazetën analisti Faton Mehmeti.

(Kosova Sot)