Sejdiu: Privatizimi shtoi radhët e të papunëve

  • 12 October 2017 - 23:18
Sejdiu: Privatizimi shtoi radhët e të papunëve

Nënkryetari i BSPK-së, Alush Sejdiu, për gazetën"Kosova Sot" tha se përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, por edhe Qeveria e re, doemos se duhet që të debatojnë urgjentisht për këto tema që janë të pashmangshme dhe në këtë drejtim çdo vonesë që bëhet është e dëmshme për zhvillim ekonomik të Kosovës."Dihet që përmes monopoleve përfitojnë vetëm bizneset e mëdha", u shpreh ai. Sipas Sejdiut, Kuvendi i ri dhe Qeveria e re duhet që të merren edhe me mostransparencë që ka qenë shumë e madhe gjatë tërë procesit të privatizimit. "Ndaj çështja e privatizimit duhet të ndriçohet, sepse nevojitet të gjendet një zgjedhje dhe të përmirësohet ajo çfarë mund të përmirësohet", u shpreh ai. Sipas Sejdiut, në vend të efektit të punësimit procesi skandaloz i privatizimit e ka dhënë kundërefektin dhe ka lënë pa punë mbi 70 mijë veta."AKP-ja ka fonde të mëdha të procesit të privatizimit që do të mund të shfrytëzoheshin dhe të investoheshin për përmirësimin e gjendjes së rëndë ekonomike të qytetarëve tanë dhe përparimin e vendit, duke i investuar këta miliona në sektorin e energjetikës, bujqësisë dhe të IT-së, por edhe në sektorë të tjerë që do të ndikonin në këtë rritje ekonomike", potencoi ai. Sejdiu është i mendimit se Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e re gjithsesi se duhet të debatojnë për këto çështje, atë të monopoleve dhe çështjen e privatizimit skandaloz dhe këto tema madje duhet që t'i kenë prioritare. Ndërkaq, për heshtjet e deritashme të institucioneve Sejdiu tha se këto shkojnë në dëm të Kuvendit dhe të Qeverisë dhe tregojnë joseriozitetin e punës së këtyre institucioneve.

(Kosova Sot)