KPK-Kupola e Pushtetit të Korporatokracisë kriminale!

  • 13 October 2017 - 08:02
KPK-Kupola e Pushtetit të Korporatokracisë kriminale!

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se KPK- ja në Kosovë nuk i publikon emrat e prokurorëve që dështojnë në rastet e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, pasi çdo dosje apo lëndë e tillë është e paravendosur që të mos gjykohet ose të mbyllet si hetim. Sipas tyre, drejtësia e korruptuar vepron si sistem piramidal në të gjitha shkallët e saj, derisa, sipas tyre, dosjet e krimit të autorëve, të cilët kanë mbështetje politike dhe pushteti, si dhe ato të cilat i urdhëron edhe korrupsioni dhe paraja, ato nuk gjykohen fare ose manipulohet dhe shpallet pafajësia. Ndaj, ata kanë shtruar edhe çështjen se a ka rrezik që prokuroritë e prokurorët janë shndërruar në filiale të mafio- politikanëve në pushtetet dhe të mafio-oligarkëve, korporatokracisë së inkriminuar, që paguajnë e bllokojnë lëndët nëpër prokuroritë themelore dhe sidomos në PSRK! Për atë se si mund të tolerohet një veprim kaq i degraduar, i kundërligjshëm e kundërkushtetues, por edhe në kundërshtim me Konventën evropiane për të drejtat e liritë e njeriut së pakut nga organi më i lartë i Prokurorisë, KPK-ja, dhe pse po heshtin në vazhdimësi institucionet e drejtësisë dhe gjyqësisë kundrejt praktikimit të llogaridhënies, ngase, siç dihet, mungesa e llogaridhënies dhe përgjegjësisë është instaluar në Kosovën e pasluftës në të gjitha instancat dhe institucionet e shtetit, përfshirë edhe drejtësinë dhe gjyqësinë e që janë vërejtje të përhershme të Komisionit Evropian dhe të DASH-it në adresë të pushtetarëve tanë, fatkeqësisht, të inkriminuar thellë në krim të organizuar, flet shkrimi në vijim.

Image

 

Biznes kriminal me drejtësinë

Analisti Skënder Kapiti, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se KPK- ja në Kosovë nuk i publikon emrat e prokurorëve që dështojnë në rastet e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, pasi çdo dosje apo lëndë e tillë është e paravendosur që të mos gjykohet ose të mbyllet si hetim, pasi drejtësia e korruptuar vepron si sistem piramidal në të gjitha shkallët e saj. Pra, sipas tij, dosjet e krimit e autorëve, të cilët kanë mbështetje politike dhe pushteti, si dhe ato të cilat i urdhëron edhe korrupsioni dhe paraja, ato nuk gjykohen fare ose manipulohet dhe shpallet pafajësia. "Fatkeqësia më e madhe drejtësisë i vjen prej asaj se ajo është shndërruar në një institucion apriori i pahetueshëm, që ka të drejtën ta përdorë drejtësinë si biznes për favore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të asaj se ata e trajtojnë ligjin dhe drejtësinë si pronë private dhe palët ndërgjyqëse si klientë të tyre", u shpreh ai. "Gjyqtarët dhe prokurorët si meritokraci për të ushtruar profesionin e tyre shërben meritokracia e paaftësisë, joprofesionalizmi, servilizmi dhe shërbimi i verbër për politikën, e cila i cakton ata në postet e gjyqtarit dhe prokurorit. Kështu, e tillë është drejtësia në Kosovë, e cila ka marrë në perfeksion fatkeqësisht yrnekun dhe modelin e drejtësisë në Shqipëri. E tillë është drejtësia, sepse kështu dhe e tillë është edhe politika, edhe pushteti dhe qeverisja e të gjitha niveleve te pushtetit", u shpreh për gazetën "Kosova Sot" analisti Skënder Kapiti.

Image

 

Masat e duhura nuk po ndërmerren

Hasan Preteni, nga Qendra për Etikë, Transparencë dhe Integritet, thotë se qytetari i vendit nuk ka nevojë për emra, por për punë, derisa, sipas tij, titullarët e "gjyqësorit" nuk duhet t'i publikojnë emrat, por të veprojnë, të pastrojnë institucionet, të matin performancën e secilit prej tyre, ku të suksesshmëve t'iu vazhdojnë kontratat, t'iu ndërpresin punësimet e shumëfishta, të kërkojnë llogaridhënie nga ata, të publikojnë vetëm këto vendime. Por, mjerisht nuk ka kush t'i ndërmarrë këto masa, sepse edhe ata vetë janë të tillë", theksoi për gazetën "Kosova Sot" Hasan Preteni, nga Qendra për Etikë, Transparencë dhe Integritet. Ndërsa, eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, ka veçuar se KPK-ja po sikur KGJK-ja duhet të ketë mbikëqyrjen për punën që ushtrojnë prokurorët dhe gjyqtarët, derisa, siç tha, KPK-ja duhet të ketë sistem të brendshëm të monitorimit të punës së prokurorëve, që ata si prokurorë obligohen të raportojnë, andaj duhet të ketë të dhëna se çfarë po ndodh dhe nëse eventualisht rastet po mbesin një kohë në sirtarë duhet të thirren në përgjegjësi. "Pra, kërkohet një monitorim dhe mbikëqyrje edhe e drejtpërdrejt e shtuar e punës së këtyre njerëzve, duhet të kuptohet dhe të shihet efikasiteti i tyre se sa veprojnë, sa aktakuza kanë nxjerrë, si e kanë ushtruar punën e tyre, a ka ndonjë ndikim apo interferim e shumë gjëra të tjera, që është detyrë e kryeprokurorit , por edhe e KPK-së si organi më i lartë e superior, që të vërtetojë dhe kuptohet të nxjerrë edhe një reformim apo masa disiplinore që duhet aplikuar, pra është një sistem pune që duhet të instalohet, e jo vetëm të ketë kritika apo opinione të jashtme për punën e tyre. Kjo çështje është kompetencë ekskluzive e KPK-së", spikati për gazetën "Kosova Sot" eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani.

Image

 

As KPK-ja nuk është e pastër

Analisti Naim Miftari ka nënvizuar se duhet cekur se dështimi dhe betonimi i KPK-së nuk është rastësi, por ai është një sinjal i qartë se KPK-ja nuk është imune nga korrupsioni dhe aty janë vetëm për t'i mbuluar dështimet e gjyqësisë."Këta njerëz po ashtu janë të vendosur aty në KPK nga politika, pra nga pushteti dhe aty janë që t'i mbulojnë vetëm dështimet dhe korrupsionet e prokurorëve, prandaj edhe sistemi i tërësishëm i drejtësisë është i dështuar, ku aty funksionon puna si lojë e shahut, dhe dihet se mbretin, mbretëreshën dhe elitën s'i nguc askush, pasi detyra e tyre është mbrojtja e dështimit dhe zakonisht tentohet që të hutohet opinioni me shifra e numra statistikor të lëndëve kinse të shqyrtuara, por nuk ceket se sa lëndë i fitoi Prokuroria", theksoi ai. "Drejtësia ekziston dhe implementohet vetëm kur i akuzuari është 'peshk' i parëndësishëm ose kur shteti i korruptuar përdor aparatin e gjyqësisë për t'i shtypur kundërshtarët politikë dhe konkurrentët ekonomikë", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari.

(Kosova Sot)