Bajram Gecaj - Halil Matoshit: U shite në AAK

  • 13 October 2017 - 14:05
Bajram Gecaj - Halil Matoshit: U shite në AAK

​Polemikat mes bashkëpunëtorëve të ish-kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj dhe Faton Abdullahu, me shefin e zyrës për informim të kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshi kanë vazhduar edhe të premten. 

Zyrtari i LDK-së që ishte zëvendësministër në Qeverinë Mustafa, Bajram Gecaj, ka thënë se ish-analisti Halil Matoshi është shitur në zgjedhjet e fundit në AAK, pasi sipas Gecajt Matoshi deri pak para 11 qershorit ishte anëtar i LDK-së. 

“Halil, edhe pse debati im nuk ishte me ty fare, dhe se ti tani njëanshëm ke vendosur me e mbyllë, atëherë po e “mbylli” edhe unë. Por jo pa ta bërë të ditur se une kam qenë, jam dhe gjitherë mbetem LDK. Nuk shitem e as nuk blihem unë për interese materiale. Ndërsa ti e di mirë se ishte mu interesi material që në zgjedhjet e fundit të largoj nga antarësimi në LDK. Gjithashtu, debatet ke mund ti mbyllësh kur ke qenë jasht qeverisjes, tani nuk ta lejon pozita një gjë të tillë”, ka shkruar Gecaj në Facebook. 

Pak minuta më parë edhe Faton Abdullahu kishte reaguar ndaj Matoshit, duke e quajtur snajperist opozitar ish-gazetarin.  

Shkak i përplasjes mes Abdullahut, Matoshit e Gecajt janë bërë disa deklarata të Presidentit të vendit, Hashim Thaçi, dhe çështja e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

(Kosova Sot)