Reshiti: Lufta brenda llojit prodhoi Tribunalin

  • 13 October 2017 - 14:16
Reshiti: Lufta brenda llojit prodhoi Tribunalin

Analisti Ymret Reshiti vlerëson se frika e disa politikanëve kosovarë nga Gjykata Speciale është më se evidente. "Nëse jo për "krimet" të cilat nuk i kanë kryer, ata kanë frikë për kohën të cilën mund ta kalojnë si të akuzuar, sepse do të ndahen nga luksi dhe sundimi i tyre mafioz mbi Kosovën", thotë ai. Reshiti potencon se sa i takon formatit të Gjykatës Speciale, ai është i dizajnuar nga ndërkombëtarët, por sikur të ishin pyetur qytetarët e Kosovës, jemi të sigurt që qytetarët do të kishin kërkuar një Gjykatë tjetër Speciale, për gjykimin e të korruptuarve dhe krimit të politikanëve dhe pushtetarëve. "Edhe pse kishte mundësi që kjo Gjykatë të mos krijohej, por "lufta në mes llojit" e mafisë politike nxiti më të fortët e grupit që të mbështesë idenë e formimit të Gjykatës Speciale, në mënyrë që të "eliminojnë konkurrencën" brenda llojit. Deklarata zhgënjyese dhe akuzuese e Hashim Thaçit ndaj miqve ndërkombëtarë për disa "premtime të dhëna ", më së miri flet se "disa punë janë kryer me porosi në dëme të Kosovës" . A mos është njëra nga ato punë edhe formimi i Gjykatës Speciale? Hashim Thaçi, si njeriu kryesor dhe politikisht më i fuqishëm në Kosovë, bëri presion te bashkëpartiakët e tij dhe te partnerët e koalicionit qeverisës që të votojnë formimin e Gjykatës Speciale. Shtrohet pyetja, çfarë i kanë premtuar Thaçit miqtë ndërkombëtarë? Çfarë i kanë kërkuar miqtë ndërkombëtarë Thaçit që të bëjë? Pse tani Thaçi ka kaq zhgënjim ndaj miqve të tij? A mos Thaçi ka informacion se, edhe përkundër punëve që i kreu në kurriz të Kosovës me "porosi" të miqve ndërkombëtarë , nuk ka arritur ta heqë as emrin e tij nga lista e të akuzuarve të Gjykatës Speciale ?!", pyet Reshiti. "Qytetarët duhet të kenë kujdes, të mos bien pre e kurtheve, që mund të ngritë mafia politike kosovare për të shkaktuar trazira në Kosovë, emrat e të cilëve gjenden në listat e të akuzuarve të Gjykatës. Qytetarët nuk duhet që të marrim pjesë në ndonjë proteste apo demonstratë të organizuar nga kushdo qoftë, kundër arrestimeve të Gjykatës Speciale", tha Ymret Reshiti për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)