Kadrijaj: Tenderi anulohet nëse nuk fitojnë të afërmit e pushtetit

  • 13 October 2017 - 14:17
Kadrijaj: Tenderi anulohet nëse nuk fitojnë të afërmit e pushtetit

Analisti për çështje të politikave ekonomike, Mustafë Kadrijaj, tha për "Kosova Sot" se është një e keqe e madhe që po i ndodh Kosovës me këtë mentalitet keqqeverisës. "Me keqardhje më duhet të them dhe konstatojmë së bashku se tenderomania dhe korrupsioni më nuk janë dukuri, por sistem që për ekonominë e Kosovës është shkatërrim", theksoi ai. Kadrijaj thotë për "Kosova Sot" se deri në këtë gjendje ka ardhur vendi për shkak se së pari mendohet se kujt t'i jepet tenderi, sa është përfitimi i dikujt nga përqindja në atë tender, se sa është interesi kombëtar dhe i komunitetit të caktuar, ku do të realizohet ai apo ky projekt. "Sa për dëshmi, shumë tenderë anulohen vetëm pse kompania e afërt me pushtetin nuk është dalë mirë me letra kështu që gjejnë argumente nga balta dhe vrima ligjore që të anulojnë tenderin dhe si rezultat i kësaj dukurie, që tanimë është sistem, shumë komuna kanë edhe suficit buxhetor, vetëm pse janë vonuar me procesin e tenderimit", vijoi më tutje ai."Për të dalë nga gjendje e pashpresë, ka vetëm një rrugë, e ajo është ngritja e vetëdijes tek qytetari, e që testi më i mirë është edhe tash në këto zgjedhje lokale, që të mendojnë mirë se kush do të jetë kryetari i ardhshëm dhe përfaqësuesi i ardhshëm në komunën ku jeton", u shpreh Kadrijaj për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)