Kaçaniku: Konsumatorët, të rrezikuar e të nëpërkëmbur

  • 13 October 2017 - 17:20
Kaçaniku: Konsumatorët, të rrezikuar e të nëpërkëmbur

Selatin Kaçaniku (Konsumatori) për gazetën "Kosova Sot" tha se nuk duhet harruar as faktin se Kosova mbi 30 për qind ka nevoja importi të grurit, ndërsa industria e bluarjes ka kapacitete trefish më të mëdha të bluarjes, shitjes e eksportit sesa që janë nevojat për ushqim."Por është çështje tjetër nëse cilësia e grurit, afati i skadencës dhe çmimi me të cilin importohet janë për t'u diskutuar. Atëherë duhet kërkuar më shumë kujdes nga Dogana, nga AVUK-u dhe nga mekanizmat e tjerë të Shtetit për mbikëqyrjen e inspektimin e tregut dhe mbrojtjen e qytetarit konsumator taksapagues. Krahas kësaj kërkese, si sovran themelues të shtetit dhe si qytetarë konsumatorë taksapagues - financues të funksioneve të shtetit, kemi obligim mbikëqyrjeje e bashkëpunimi me to", u shpreh ai. "Sa u përket manipulimeve me çmime duhet aplikuar dispozitat e Ligjit antidamping; për monopolizimin e tregut, konform Ligjit të konkurrencës së lirë, në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Konkurrencës duhet kërkuar ndërmarrjen e masave adekuate. Kurse për manipulimet që i bëjnë eksportuesit nga Serbia duhet vepruar kundër falsifikimit, mashtrimit, dampingut e sabotimin e ekonomisë dhe të tregut, si dhe të të drejtave e interesave të qytetarit konsumator taksapagues", vijoi më tutje Kaçaniku. "Në këtë kontekst, nëse ekzistojnë provat, pas këtij shkrimi, edhe pas shkrimeve të tjera mediale, prokuroritë gjegjëse kanë obligim reagimi ex-officio", u shpreh Kaçaniku.

(Kosova Sot)