Mustafa: Shpend Ahmeti s’punoi asgjë, VV bëri vetëm propagandë

  • 13 October 2017 - 22:51
Mustafa: Shpend Ahmeti s’punoi asgjë, VV bëri vetëm propagandë

Ish-kryetari i Prishtinës Isa Mustafa thotë se Shpend Ahmeti nuk ka punuar asgjë në Prishtinë. Ai ka numëruar projektet që thotë se në qeverisjen e tij ishin nisur e të cilat u përfunduan në mandatin e Ahmetit. Thotë se VV bëri vetëm propagandë. Thekson se Arban Abrashi do të jetë i pari i kryeqytetit pas 22 tetorit.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa është i bindur se Shpend Ahmeti do të humbas zgjedhjet e 22 tetorit. Thotë se Arban Abrashi do të jetë kryetar i Prishtinës pas zgjedhjeve të tetorit.

“Po të kishte punuar Shpend Ahmeti ose Vetëvendosje mirë do të ishte më e vështirë të argumentosh para qytetarëve se t’i do të punosh më mirë. Por meqenëse s’kanë punuar asgjë, fare, kurgjë s’kanë punuar do të thotë vetëm kanë bërë fushatë”, tha Mustafa për televizionin publik.

Thekson se Vetëvendosje nuk ka me çka të kërkojë votën e qytetarëve. Sipas Mustafës Ahmeti dhe VV nuk kanë kryer as edhe një projekt të që nuk ishte nisur nga qeveria paraardhëse e udhëhequr nga ai. 

“Asgjë themi në kuptimin e projekteve të mëdhaja, sepse me ndejt 4 vjet diçka punon. Por asgjë nuk është punuar jashtë asaj që ne kemi lënë si projekte të mëdha sepse ne si LDK e kemi lënë të përgatitur projektin e Fabrikës së Ujit, ka qenë kontratë e kryer, e kemi lënë projektin e koogjenerimit ose ngrohjen e qytetit nga Termocentrali Kosova B. I kemi krye të gjithë infrastrukturën, boshtin e qytetit, të gjitha objektet arsimore. S’ka asnjë projekt të rëndësishëm gjatë kësaj periudhë. S’di me çfarë mund të dalë Vetëvendosje përveç em parulla dhe Facebook se çka kanë punuar. Të gjitha këto priojekte që janë punuar janë projekte që ne i kemi filluar atëher dhe s’ka asnjë projekt të ri”, tha Mustafa.

Ish-kryeministri thotë se prishtinasit do të përfitojnë shumë nga udhëheqja e Arban Abrashit.

“Unë pres që Abani ta fitojë Prishtinën dhe pres që Prishtina do të përfitojë shumë me të”, theksoi Mustafa.

(Kosova Sot)