Kelmendi: Standardet e dyfishta të BE-së

  • 14 October 2017 - 16:42
Kelmendi: Standardet e dyfishta të BE-së

Barrën kryesore për këtë izolim të Kosovës e ka politika kosovare, edhe sipas profesorit të së drejtës, Muhamet Kelmendit, ndonëse ai mendon që kushti specifik i vendosur për kosovarët, që është demarkimi i kufirit me Malin e Zi, është i padrejtë, i shpikur nga BE-ja, pas të cilit pastaj po fshihet edhe dështimi i politikës kosovare në mosplotësimin e kushtit kryesor, që është sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit e korrupsionit. "Natyrisht se është bërë një kohë e gjatë pas pavarësisë që Republika e Kosovës ka vështirësi të mëdha në plotësimin e standardeve për ta bërë liberalizimin e vizave. Kushtet e caktuara nga ana e BE-së, përveç luftës kundër korrupsionit dhe krimit, që është edhe demarkacioni, është jo i drejtë dhe tejet i njëanshëm. Në anën tjetër, edhe në fushën e krimit dhe të korrupsionit ka pakënaqësi dhe vend për të kritikuar, por edhe vendet e tjera, si Mali i Zi, Serbia e Maqedonia, nuk janë më mirë se ne. Sidoqoftë, vend për të kritikuar dobësitë e pushtetit ka mjaft. Kemi nepotizëm, vjedhje, korrupsion, familjarizim, lokalizëm e shumë e shumë izma antidemokratike të tjera. Dhe këto duhet që të luftohen. Por, dukuritë e tilla janë në shumë vende, gjë që tregon një politikë jo të barabartë të BE-së kundruall Kosovës dhe shqiptarëve", theksoi ai."E dimë se Demarkacioni varet shumë dhe nga pala tjetër, ajo malazeze, mirëpo lufta kundër dukurive të tjera, përkatësisht standardet e kërkuara nga BE-ja, sa u takon krimit të organizuar e korrupsionit, rendit e ligjit, mund dhe duhet të plotësohen, me një luftë të pa kompromis kundër të gjitha këtyre dukurive të dëmshme. Konsideroj se tani me ngulm duhet që i tërë aktiviteti të përqendrohet në prokurori dhe në gjyqësor, sikundër edhe në polici që të veprojnë pa asnjë hezitim ndaj çdo abuzimi me ligjin dhe dukurinë e krimit e korrupsionit. Pa këto organe të shëndosha dhe të afta e profesionale nuk plotësohen standardet e kërkuara nga BE-ja", vijoi më tej Kelmendi për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)