Mafio-oligarkët të përballen me Ligjin për rrënimin e PTK-së

  • 18 October 2017 - 08:33
Mafio-oligarkët të përballen me Ligjin për rrënimin e PTK-së

Kompania që dikur vlente 1 miliard, sot ka vlerë dhjetëra milionë euro

Qeveritë e inkriminuara e zhvlerësuan kompaninë më fitimprurëse

 “Vendimtar ishte roli i grupeve të mafiooligarkëve të inkriminuar të politikës në institucionet e shtetit,  por që ishin të ndihmuar edhe nga mafio-oligarkët e bizneseve të pista e të inkriminuara që patën rolin vendimtar në gjunjëzimin e kompanisë që dikur vlente 1 miliard euro. Andaj, drejtuesit e Prokurorisë së Shtetit me heshtjen e tyre, por edhe zyrtarët e inkriminuar dhe mafio-oligarkët, duhet të japin llogari për situatën në të cilën e sollën PTK-në”, u shpreh analisti Florim Rrudhani

Askush nga institucionet shtetërore, përfshirë Prokurorinë Speciale, deri më sot nuk ka dalë me ndonjë deklaratë zyrtare publike se si dhe përse nëntoka së bashku me politikën dhe mafio-oligarkinë e gjunjëzuan dhe shkatërruan PTK-në, kompaninë që dikur vlente rreth një miliard euro. Për momentin mbetet një mister i madh se cili në të vërtetë  ishte roli dhe ndikimi i grupeve të mafio-oligarkëve të inkriminuar të politikës në institucionet e shtetit, por edhe roli i mafio-oligarkëve të bizneseve të inkriminuara të Kosovës. Shumë pikëpyetje mbeten për fatin e PTK-së dhe aferat që kanë ndodhur me këtë kompani publike. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të Qeverisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale, si dhe  MZHE-së dhe PTK-së, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën.  Eksperti i ekonomisë dhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Nazmi Mustafa, për “Kosova Sot” tha se është kompetencë e Qeverisë së Kosovës që të merret me zbardhjen e këtij rasti dhe devalvimin e vlerës së PTK-së. “Paraprakisht duhet që të bëhet hetimi dhe analiza e gjendjes reale dhe vetëm në bazë të asaj analize duhet që të vijmë deri tek konstatimi se a ka pasur nënvlerësime të qëllimshme të PTK-së apo ato vlerësime janë reale”, u shpreh ai.

Kuvendi duhet të debatojë për fatin e kompanisë së rrënuar

Deputeti aktual i përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës, Albert Kinolli, tha për “Kosova Sot” se gjithçka që është në dobi të qytetarëve dhe pasurisë së Kosovës do të ishte mirë që jo vetëm qytetarët, por edhe secili politikan të japë kontributin vetë që për të gjitha gjërat e dyshimta që janë bërë, pra që edhe këto afera në PTK duhet që të zbardhen.“Të gjitha institucionet tona, qofshin ato Qeveria, si themeluese dhe pronare e PTK-së, por edhe Kuvendi i Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit, duhet që të japin kontributin e tyre e mos të heshtin”, ka thënë ai. Ndërkaq, për heshtjen e deritashme të Kuvendit të Kosovës që të diskutojë e të debatojë për aferën e PTK-së, deputeti Kinolli tha se pas dy palë zgjedhjeve, ato parlamentare dhe lokale “besoj se përbërja e re e Kuvendit, por edhe Qeveria e re do të merren me ndriçimin e rastit të PTK-së”. Ndërsa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, tha për “Kosova Sot” se në rastin e PTK-së Kosova është dashur që të ndjekë rrugën e disa vendeve të rajonit. “Për aq sa kam njohuri, vetëm Shqipëria nga të gjitha vendet e rajonit e ka privatizuar telekomin më shumë se 51 për qind të aksioneve e si duket këtë shembull e ka ndjekur edhe Qeveria e Republikës së Kosovës, derisa shumica e vendeve të rajonit nuk i kanë shitur aksionet e tyre mbi 51 për qind, sepse me 49 për qind në vendet e tjera kanë operuar vetë qeveritë e atyre shteteve”, potencoi ai.“Edhe tek ne është dashur të ndiqen rrugët e suksesshme të disa vendeve që kanë përfituar me privatizimin e telekomit e jo sikur tek ne, që është shkatërruar tërësisht ky aset dhe si duket do të përfitojnë vetëm një grup i caktuar i njerëzve në Kosovë”, ka thënë Neziraj.

Prokuroria, e papërgjegjshme me neglizhencën e saj

Analisti Florim Rudhani për gazetën “Kosova Sot” tha se nga heshtja e deritashme e Prokurorisë së Shtetit nuk duhet të çuditemi fare që po heziton që të hulumtojë kontratën e PTK-së me “Z-Mobile”.“Siç dihet i tërë sistemi i drejtësisë në Kosovë që nga paslufta e deri më sot është i ndikuar nga politika, andaj edhe për këtë arsye e kemi heshtjen e Prokurorisë Speciale të Shtetit”, theksoi ai.“Kjo po ndodh ngase prokuroria nuk ka guxim që të hetojë zyrtarët e inkriminuar, duke i emërtuar të dyshuarit me emër e mbiemër se kush ishin politikanët që e dëmtuan qëllimshëm asetin e shtetit, PTK-në, që vlente mbi një miliard euro e tash nuk vlen as sa gjysma”, ka shtuar Rudhani.  Ai është i mendimit se është nëntoka kosovare bashkë me grupet e politikës dhe mafio-oligarkinë fajtorë, përse u gjunjëzua dhe u shkatërrua PTK-ja. “Vendimtar ishte roli i grupeve të mafio-oligarkëve të inkriminuar të politikës në institucionet e shtetit,  por që ishin të ndihmuar edhe nga mafio-oligarkët e bizneseve të pista e të inkriminuara e patën rolin vendimtar në gjunjëzimin e kompanisë që dikur vlente 1 miliard euro. Andaj drejtuesit e Prokurorisë së Shtetit me heshtjen e tyre, por edhe zyrtarët e inkriminuar dhe mafio-oligarkët duhet që të japin llogari për situatën në të cilën e sollën PTK-në”, u shpreh Rrudhani.

Rënia drastike e vlerës

Njohësi i fushë së telekomunikacionit, Aziz Sefedini, tha për  “Kosova Sot” se siç dihet botërisht puna primare e Prokurorisë Speciale është ndalimi i krimit të organizuar, luftimi i korrupsionit dhe shkatërrimi i tregut mafioz nëse këto gjëra ndodhin brenda territorit të Kosovës.“Prandaj, edhe heshtja e Prokurorisë së Shtetit në ndriçimin e rastit të kontratës së PTK-së me ‘Z-Mobile’ është e habitshme”, theksoi ai. Sipas Sefedinit, bizneset e grupeve të mafio-oligarkëve e kanë pasur për qëllim shkatërrimin e biznesit më të suksesshëm vendor të PTK-së, e cila si një kompani shtetërore dhe si biznesi vendor më i suksesshëm u bë viktimë e disa personave të papërgjegjshëm nga politika më e lartë e shtetit, duke e dëmtuar shumë rëndë këtë kompani si në aspektin financiar dhe aspektin tregtar. “Kjo po ndodh ngase sot PTK-ja është degraduar aq shumë dhe për fatin e keq sot PTK-ja në tregun vendor gati çdo ditë e më tepër po ka shumë më pak klientelë dhe po e humb vlerën e saj, ngase nga një kompani që dikur vlente 1 miliard euro e kanë ulur vlerën e saj në 200 milionë euro”, ka vlerësuar Sefedini.

Propozimi i “Konsumatorit” u injorua nga vendimmarrësit

Selatin Kaçaniku (‘Konsumatori’) për “Kosova Sot” tha se shumë pak reagime, aq më pak nga shoqëria civile, kemi parë rreth PTK-së.“Për t’i parandaluar veprimet e uljes së vlerës së PTK-së dhe të faljes, ne si organizatë jemi ofruar që bashkë me 1.2 milion qytetarë konsumatorë të VALA-s ta blejmë e ta shpëtojmë nga shitja për skrap. Ofertën ua kemi drejtuar edhe punëtorëve të PTK-së, edhe nëpërmes sindikatës”, theksoi ai. “Sikur askush më nuk interesohet për PTK-në ose nuk ka vullnet që ta kapë këtë patate të ngrohtë me dorë”, vijoi më tutje Kaçaniku. Sipas tij, është më se e habitshme përse askujt nuk i bën përshtypje fakti se askush nuk mund të ofrojë çmim më të mirë, perspektivë zhvillimore më të arritur dhe siguri më të madhe e mirëqenie sociale më dinjitoze se “Konsumatori” për konsumatorin e PTK-së dhe për vetë PTK-në - VALA-n. “Mendoj se ky legjislacion i Kuvendit e i Qeverisë së Kosovës dhe ministritë relevante duhet të dëshmojnë se shteti është gjallë”, ka potencuar kreu i “Konsumatorit” .

270 milionë euro kishte ofruar kompania gjermane AXOS, por më pas procesi u anulua dhe si rrjedhojë sot Kosova është në proces të arbitrazhit dhe rrezikon të dënohet me miliona euro.

“Unë po çuditem se përse nuk po vepron Prokuroria kur siç dihet ajo ka fakte të mjaftueshme se çka ka ndodhur deri më tani në këtë kompani dhe nuk është marrë asnjë veprim konkret, por besoj se së shpejti nga Qeveria ‘Haradinaj’ do të merren veprime konkrete, me qëllim që të shpëtohet diçka nga ky aset i fuqishëm i vendit”, ka thënë Xhevdet Neziraj 

“Me heshtjen e deritashme të Prokurorisë për këto afera na tregojnë se drejtësisë së shtetit po i mungon guximi për të hetuar aferat e grupeve të mafio-oligarkëve që janë të lidhur me politikën”, tha Florim Rrudhani

“Edhe nuk duhet që të çuditemi fare për heshtjen e deritashme të Prokurorisë Speciale, sepse po duket haptazi se Prokuroria e Shtetit është e ndikuar nga politika dhe si e tillë ajo po hesht dhe nuk po e sheh të arsyeshme ndjekjen e personave politikë që e kanë sjellë deri në këtë gjendje, buzë greminës”, tha Aziz Sefedini

(Kosova Sot)