Haziri: Reagimi im bëri që të mos ndalet projekti për autostradën Prishtinë-Gjilan

  • 18 October 2017 - 23:08
Haziri: Reagimi im bëri që të mos ndalet projekti për autostradën Prishtinë-Gjilan

Kryetari i Gjilanit, njëherësh kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për edhe një mandat në krye të komunës, Lutfi Haziri, ka thënë se reagimi i tij gjatë ditës ka bërë që Qeveria e Kosovës të mos anulojë tenderin për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë.

“Pas reagimit tim dhe LDK’së së Gjilanit, nuk guxuan ta ndalin Autostradën Gjilan-Prishtinë”, ka thënë Haziri.

Haziri e ka bërë këtë deklaratë gjatë një debati televiziv përballë kundërkandidatëve të tij.

Më herët, gjatë ditës, ai kishte reaguar ashpër ndaj asaj që ai i ka konsideruar deklarata hezituese nga ana e Qeverisë së Kosovës lidhur me fillimin e Autostradës, duke thënë se “ose ka me u nis Autostrada, ose do ta rrëzojmë qeverinë më 23 tetor”.

Hazirit disa orë më vonë i është kundërpërgjigjur ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, duke mohuar zërat për anulimin e tenderit të rrugës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë.

Lekaj ka thënë se Qeveria është e vendosur që projekti të ndodhë.

(Kosova Sot)