Nxënësit detyrohen t’i paguajnë vetë prishjet në shkollat e Prishtinës

  • 18 October 2017 - 23:15
Nxënësit detyrohen t’i paguajnë vetë prishjet në shkollat e Prishtinës

Shkollat e mesme në kryeqytet e madje edhe në tërë territorin e Kosovës, përveç që kanë problem me hapësirat dhe numrin e madh të nxënësve, kanë edhe problem tjetër.

Nxënësit detyrohen të japin para në administratat shkollore për rregullimin e prishjeve që ndodhin në ambientet shkollore.

Dy nga nxënësit e njërës shkollë në kryeqytet thanë që shpesh detyrohen të japin para për ndonjë prishje

Një gjë të tillë pohoi edhe vetë Drejtori i shkollës së mesme “Sami Frashëri“ në kryeqytet, Ferat Zejnullahu.

Ai tha se si shkollë kanë mungesë të buxhetit, e që shpesh detyrohen të kërkojnë para nga nxënësit për ndonjë prishje eventuale edhe pse me pajtim të këshillit prindëror.

E Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Alush Istogu tha se buxheti për shkolla ndahet varësisht nga planet zhvillimore të shkollës, por, drejtorët nuk guxojnë të kërkojnë para nga nxënësit.

Sipas të dhënave të vitit 2017, në Kosovë ekzistojnë gjithsej 66 shkolla profesionale, ku vijojnë mësimin 46 mijë nxënës.

(Kosova Sot)