Politika sharlatane na zhyti në izolim e skandale

  • 19 October 2017 - 08:32
Politika sharlatane na zhyti në izolim e skandale

Një diplomaci për t’u harruar

Partitë në pushtet e degraduan imazhin e Republikës

“Si pasojë e politikës së stërkequr kosovare, kemi ngrirje të njohjeve ndërkombëtare të shtetit tonë dhe se Kosova ka mbetur vendi më i izoluar në Evropë. Po ashtu me një president të mbyllur në vend, të cilin askush nuk dëshiron ta takojë, Kosova po e humb hapin në pikëpamje diplomatike dhe me një ministër të jashtëm si Pacolli, i cili fokusin e ka se si t'i rritë bizneset e veta e jo të thyejë barrikadat e vëna kundër shtetit të Kosovës”, tha Florim Zeqa

Që nga shpallja e pavarësisë, më 17 shkurt të vitit 2008, Kosovën e kanë njohur 114 shtete, por vendi mbetet i izoluar dhe ende larg disa organizatave të rëndësishme ndërkombëtare. Analistët vlerësojnë se dështimi në politikën e jashtme e ka përcjellë Kosovën gjatë të gjitha qeverive të pasluftës, pasi që fokusi ka qenë si të dërgohen të afërm, militantë dhe njerëz të papërgatitur profesionalisht për të marrë titullin ambasador, e që realisht nuk punojnë asgjë! Sipas analistëve, dështimi më i madh po finalizohet  në dy vitet e fundit, ngase Kosova nuk arriti të bëhet anëtare e UNESCO-s (Agjencisë për Kulturë, Shkencë dhe Arsim e Kombeve të Bashkuara), as anëtare e Këshillit të Evropës dhe as INTERPOL-it (Policisë Ndërkombëtare). Kosovën po e izolon  politika e stërkequr kosovare, vlerësojnë njohësit e politikës së jashtme. Sipas tyre, Kosova është vendi më i izoluar në Evropë, me një president që është i mbyllur në vend dhe askush nuk dëshiron ta takojë. Kosova po e humb hapin në pikëpamje diplomatike dhe me një ministër të jashtëm si Pacolli – palaço i politikes, që fokusin e ka se si të rrisë bizneset e veta, nuk ka shans të çahen muret e ngritura ndaj Kosovës!

MPJ-ja, ndër dikasteret më të stërkequr

Analisti politik, Florim Zeqa, pohon se shkaqet e dështimit të diplomacisë kosovare janë të shumta. “Pa dyshim, Ministria e Punëve të Jashtme është njëra nga pikat më të dobëta të të gjitha qeverive nga shpallja e pavarësisë së 17 shkurtit 2008 e këndej. Fokusimi i pushtetarëve, gjegjësisht i Ministrisë së Punëve të Jashtme nuk ka qenë në kualitet, gjegjësisht në emërimin e stafit diplomatik profesional, por në dërgimin e të afërmeve të tyre, militantëve partiakë dhe dashnoreve të tyre nëpër ambasada dhe konsullata pa ndonjë përgatitje paraprake apo përvojë diplomatike dhe pa përmbushur asnjë kriter elementar për fushën e diplomacisë”, u shpreh ai.“Kështu, emërimi i ambasadorëve, konsujve dhe stafit diplomatik, është bërë sipas preferencave të sipërpërmendura. E gjithë kjo për të kënaqur egon e të preferuarve të tyre, pa llogaritur në pasojat që mund t'i shkaktojnë shtetit. Si pasojë e politikës së stërkequr kosovare, kemi ngrirje të njohjeve ndërkombëtare të shtetit tonë dhe se Kosova ka mbetur vendi më i izoluar në Evropë. Po ashtu me një president të mbyllur në vend, të cilin askush nuk dëshiron ta takojë, Kosova po e humb hapin në pikëpamje diplomatike dhe me një ministër të jashtëm si Pacolli, i cili fokusin e ka se si t'i rritë bizneset e veta e jo të thyejë barrikadat e vëna kundër shtetit të Kosovës”, tha Zeqa për “Kosova Sot”. Ai po ashtu vlerëson se tani dështimi i diplomacisë kulmoi edhe me mosaplikimin për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare për të cilat aq shumë pati trumbetuar vetë presidenti aktual Hashim Thaçi, ndonëse përgjegjësia bie mbi gjithë spektrin politik kosovar, pozitë dhe opozitë. “Si pasojë e këtyre barrikadave, në dy vitet e fundit, Kosova nuk arriti të bëhet anëtare e UNESCO-s (Agjencisë për Kulturë, Shkencë dhe Arsim e Kombeve të Bashkuara), Këshillit të Evropës dhe as INTERPOL-it (Policisë Ndërkombëtare) dhe as të shtojë numrin e njohjeve. Kësaj situate është duke i ndihmuar për të keq edhe bllokimi i punës së Kuvendit nga partitë politike pa dallim, pushtet dhe opozitë, shkaku i fushatës zgjedhore, me qëllim të grabitjes së pushtetit lokal. Është e pajustifikueshme heshtja e presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj ndaj bllokadës së paligjshme dhe të pandershme të punës së Kuvendit”, potencoi Zeqa për “Kosova Sot”.

Mbaroi faza e përkëdheljes ndërkombëtare

Izolimi ndërkombëtar i Kosovës është produkt i politikës  vendore edhe sipas analistit Blerim Burjani. “Izolimi po ndodh si rezultat i  një politike egoiste që po udhëheqin pozita dhe opozita, pra kjo klasë politike e papërgjegjshme që është duke u përcjell me dështim pas dështimi, heqje dorë e vazhdueshme, tregues kryesor i paaftësisë dhe jo interesimi dhe jo seriozitetit”, theksoi ai. “Vetë politika po e izolon vendin nga bashkësia ndërkombëtare dhe tani është një moment kritik që vetëm nëse duan këto parti politike të merren vesh për të kaluar demarkacionin, mund të fillohet thyerja e kësaj bllokade dhe vetë izolimi, ndryshe le ta lënë akoma vendin kështu në pozitën që e kanë sjellë këto vitet e fundit. Tani Kosova si shtet i ri është në një fazë tjetër kur ka përfunduar mirëkuptimi dhe përkëdhelja ndërkombëtare”, vijoi më tej Burjani. “Mirëpo është koha që politike të kthjellet dhe të tregohet më bashkëpunuese, sepse fatmirësisht Kosova i ka miqtë e vet kudo dhe duhet që me çdo kusht me i ruajt ata miq, duke respektuar dhe çuar përpara edhe kauzën tonë të përbashkët me ndërkombëtarët. Përfundimisht duhet vepruar duke pastruar edhe oborrin e vet secila parti për të ndalë dukuritë negative që po mbretërojnë: pabarazia, nepotizmi dhe korrupsioni, diplomacia e dobët formale, me dajë e kunata, me gradime pa lidhje, me diplomatë partiakë, me një diplomaci joekzistente dhe tërësisht e pahairit”, tha Burjani për “Kosova Sot”.

Shërbimi i jashtëm joprofesional

Analisti Ali Hertica pohon se me sistemimin e analfabetëve me diploma në diplomacinë e një shteti, nuk mund të flitet dhe as të paramendohet ecja e shtetit përpara në organizatat ndërkombëtare. “Që nga shpallja e pavarësisë, më 17 shkurt, dhe prej themelimit, diplomacia kosovare me lidershipin e saj e ka humbur hapin në  krijimin e një ministrie të jashtme për të reflektuar diplomaci të fuqishme, stabile dhe profesionale. Pra, diplomacia e re kosovare për gjithë këto vite akoma nuk arriti ta përmbushë misionin që ka,  sepse në këtë ministri ishin deri dje dhe janë prapë edhe sot njerëzit më të dobët politikisht dhe profesionalisht. Sidomos tani kur agjenda diplomatike e Kosovës ka një peshë akoma më të madhe kemi një ministër të jashtëm që është hiq më shumë e hiq më pak se një fatkeqësi e madhe politike. Deri më tani diplomacia e Kosovës pati një numër të skandaleve, e hiq më mirë nuk do të zhvillohet as nga këta matrapazë politikë dhe analfabetë, të cilët jo pak kanë zënë vend edhe në mediet botërore”, tha Hertica. Sipas tij, në këtë mandat të ri qeverisës të posafilluar, me ministrin Pacolli, diplomacia kosovare jo vetëm që nuk siguroi vota shtesë nga vendet që nuk e kanë njohur ende Kosovën, por fatkeqësisht kjo diplomaci nuk arriti të bindë për të votuar edhe ato vende që na kanë njohur si shtet.“Kjo situatë vjen e bëhet e tillë nga skandalet e shumta, emërimet politike, joprofesionale, mungesa e llogaridhënies, sepse këto janë karakteristikat që e përshkruajnë diplomacinë kosovare që prej themelimit të saj, kur Kosova shpalli pavarësinë e saj”, potencoi analisti Hertica.

“Gjatë kësaj kohe të shkurtër, që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, jo pak herë diplomacia vendore ka qenë pikë e zezë në mediet botërore, herë për dështime e herë për skandale”, tha Ali Hertica

 

“Siç duket nuk ka kush që guxon t'ia prishë gjumin ‘mbretit të xhunglës politike’, siç e quajta kohë më parë kryeparlamentarin Veseli, i cili është përgjegjësi kryesor i mosthirrjes së seancave të Kuvendit të Kosovës. Përderisa ligjvënësit kosovarë vrapojnë pas fushatave të zgjedhjeve lokale dhe përgjumosjes së diplomacisë kosovare, diplomacitë e shteteve fqinje po avancojnë me agresionin politik ndaj shtetit tonë”, tha Florim Zeqa

(Kosova Sot)