Arsimi katastrofal profesional godet rëndë tregun e punës

  • 19 October 2017 - 08:36
Arsimi katastrofal profesional godet rëndë tregun e punës

Pasojat e keqqeverisjes 17- vjeçare në zhvillimin e vendit

Ekonomia e dobët, me mijëra të papunë, pa profesione

“Sistemi ynë i arsimit në Kosovë nuk është në harmoni me tregun e punës dhe i tërë koncerti i shkollave profesionale është tërësisht i gabuar, ngase nuk ka tekste mësimore, sepse kurikulat janë katastrofale qoftë të atyre për zanate ku shkojnë për tre vjet, qoftë në fusha të tjera”, potencoi eksperti i arsimit, Halim Hyseni

Ekonomia kosovare po vuan jo vetëm për shkak të monopoleve, kontrabandës, korrupsionit, por edhe për mungesë të fuqisë së kualifikuar punëtore. Analistë të fushës së arsimit, ekonomisë dhe shoqërisë civile, janë të mendimit se kanë qenë politikat e kriminalizuara të qeverive të Kosovës që e sollën vendin në këtë derexhe, duke mos investuar në shkolla profesionale, për të cilat koha tregoi se vendi ka aq shumë nevojë. Po sipas këtyre specialistëve, thuhet se sot Kosova ka aq shumë   të “diplomuar”, që në fakt janë gjysmanalfabetë. Shumë kompani të sektorit privat e kanë problem që të gjejnë kuadrot e nevojshme e të duhura e në veçanti ato nga fusha e inxhinierisë. Eksperti i fushës së arsimit, prof. Halim Hyseni  tha për gazetën “ Kosova Sot”  se që të kemi një përmirësim të kësaj situate na nevojitet një ndryshim radikal, sepse askund në botë nuk ka kështu si është arsimi tek ne. “Sistemi ynë i arsimit në Kosovë nuk është në harmoni me tregun e punës dhe i tërë koncerti i shkollave profesionale është tërësisht i gabuar, ngase nuk ka tekste mësimore, sepse kurikulat janë katastrofale qoftë të atyre për zanate ku shkojnë për tre vjet, qoftë në fusha të tjera”, potencoi ai.

 

Deficit profesionistësh në çdo sektor

 

Analisti i marrëdhënieve të punës, juristi, Adil Fetahu  tha për “ Kosova Sot”  se nuk ka fije dyshimi se në Kosovë ka mungesë të kuadrove cilësore dhe kjo vjen si pasojë nga defektet që janë bërë pas lufte në sistemin tonë të arsimit, që nuk po përgatit  kuadro në profile të ndryshme, por prodhon kuadro analfabetë edhe me fakultet, ngase nuk janë në gjendje ta kryejnë asnjë punë profesionale, për të cilat i kanë marrë diplomat e tyre. “Kjo vlen për të gjithë lëmenjtë jo vetëm në ekonominë administratën, ku ka mungesa të kuadrove profesionale, ndonëse personat me fakultet po sillen rrugëve”, vlerësoi ai. Sipas Fetahut, MASHT-i duhet që të bëjë një reforma urgjente, sepse na nevojiten kuadro profesionale në secilën fushë dhe drejtim në nivelin e mesëm apo akademik. “Paraprakisht duhet që të bëhet një analizë e nevojave të ekonomisë sonë se sa ka nevojë ekonomia jonë, ku duhet të marrin pjesë edhe bizneset tona në financimin e këtyre kuadrove përmes bursave dhe punëve praktike, në mënyrë që ato kuadro, kur të punësohen, të jenë të përgatitura e jo si është vepruar deri më tani, që porsa dalin nga bankat e shkollës të futen në punë pa asnjë përgatitje paraprake, sepse ato kuadro të tilla nuk e çojnë shoqërinë dhe ekonominë përpara dhe këtu po humbasin të gjithë, edhe shteti edhe gjyqësia,shëndetësia, administrata”, theksoi Fetahu.

 

Akreditimi të harmonizohet me nevojat e tregut

 

Bankieri Milazim Abazi tha për gazetën “Kosova Sot”, se si shumë gjëra që kanë shkuar mbrapsht në Kosovën e pasluftës, edhe arsimi nuk ishte përjashtim. “Bile, arsimi dhe shëndetësia kanë shkuar më keq se çdo gjë tjetër”. Ai thotë se është më se e vërtetë se janë prodhuar shumë kuadro të profileve që nuk mund t’i absorbojë ekonomia dhe administrata kosovare, por njëkohësisht po ndihet një mungesë e thellë e profesioneve që i duhen ekonomisë.  “Akreditimi dhe licencimi i kolegjeve të reja dhe akreditimi i programeve të kolegjeve ekzistuese duhet që të bëhet vetëm në harmoni me nevojat e tregut të punës. Për këtë arsye duhen analiza dhe hulumtime të gjëra para marrjes së një vendimi për licencim apo akreditim”, ka theksuar ai.

 

Mundësia më e lehtë për punësim

 

Anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve, Ramadan Maloku tha për gazetën “Kosova Sot” se në shumicën e shteteve të BE-së, si në Gjermani, Francë, etj., përfshirë edhe Zvicrën, që nuk është anëtare e BE-së, vetëm një shifër e vogël e nxënësve superiorë vijojnë shkollat e larta, ndërsa të tjerët orientohen në shkolla profesionale, që i mundësojnë më lehtë gjejnë një vend pune. “Kjo ide duhet të jetë edhe te ne, nëse të rinjtë dëshirojnë një vend pune”. Afaristi Maloku thotë se, sipas ekspertëve të ekonomisë, mësohet se tregut të punës në Kosovë për çdo vit i shtohet nga 6 mijë të rinj të diplomuar, kurse madje 95 për qind e tyre nuk po arrijnë që të gjejnë një vend pune. “Derisa gjetja e një vendi pune konsiderohet si mision i vështirë, autoritetet dhe ekspertët e ekonomisë iu rekomandojnë të rinjve, që t’i zgjedhin shkollat profesionale si mundësi më e lehtë për punësim. Shumica e të diplomuarve  nga shkollat e mesme e kanë përfunduar gjimnazin, dhe vijojnë fakultetin që duan, mjekësi, juridik, shkenca politike etj. Pra, edhe më tej në Kosovë mbizotëron ideja, se nxënësit e mirë shkojnë në gjimnaz, e ata të dobëtit në shkolla profesionale: teknikë, juridik, ekonomi, bujqësi, etj. Por ky është një gabim i madh dhe sa më parë duhet që të forcohen shkollat profesionale”, potencoi ai.

 

 

 Parakusht për investimet e jashtme

Eksperti i ekonomisë dhe ligjërues në Universitetin Publik të Pejës, Ibish Mazreku tha për gazetën,”Kosova Sot” se Kosova ka shumë nevojë për shkollat profesionale që janë bazamenti i zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, për të cilat Kosova ka shumë nevojë. “Në Kosovë ka shumë punëkërkues, por e keqja është se shumica e tyre janë të pakualifikuar. Shi për këtë, shkollat profesionale janë një mundësi e mirë për kualifikimin e fuqisë punëtore, rritjen e punësimit tek të rinjtë dhe zhvillimin e vendit në përgjithësi ”, vlerëson ai. Mazreku konsideron se shkollat profesionale janë një nga parakushtet për inkurajimin e investimeve të jashtme, sepse pa një fuqi punëtore të kualifikuar, investitorët nuk do të vijnë për të investuar në vendin tonë. “Shifrat e të rinjve, që diplomojnë në universitetet publike dhe private të vendit, janë alarmante, por ata, fatkeqësisht, nuk gjejnë punë, ose po detyrohen që të bëjnë punë që nuk kanë lidhje me profesionin e tyre. Në rastin e shkollave profesionale, punësimi është gati 100 për qind, siç është rasti me Shkollën Profesionale në Prishtinë”, theksoi ai. Sipas tij, ka ardhur koha që në të gjitha komunat e Kosovës duhet të ketë së paku një shkollë profesionale që i përshtat rrethanave të komunës. “Në Kosovë mungon një orientim profesional në nivel nacional, nëpërmes të cilit u tregohet të rinjve se sa punëtorë i kërkon nëse e kryejnë një fakultet ose shkollë profesionale. Kjo, sepse përmes orientimit profesional ne u ndihmojmë të rinjve që ta zgjedhin më lehtë profesionin e tyre dhe që ata paraprakisht t’i dinë gjasat për punësim”, potencoi Mazreku.

 

60 për qind është papunësia në radhët e të rinjve.

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku (“Konsumatori|) tha për “Kosova Sot” se niveli dhe mënyra e arsimimit të zyrtarëve institucionalë e politikë është faktor ndikues te caktimi i standardeve të arsimit. “Ata, aq sa dinë, aq sa munden, aq edhe duan dhe veprojnë. Shumica prej tyre janë produkt nga PISA, të cilët edhe e prodhuan turpin  PISA, blerjen e diplomave e doktoratave, moszbatimin e obligimit për kontrollin e cilësisë së produkteve dhe të performancës së shërbimeve të arsimit”, u shpreh ai

 

“Derisa në Kosovë nuk rregullohet çështja e arsimit profesional, nuk do të ketë zgjidhje as të problemeve ekonomike, as atyre të punësimit. Ende te ne ka më shumë nxënës në gjimnaz sesa që ka në shkolla profesionale”, është shprehur Halim Hyseni

 

“MASHT-i duhet të bëjë reforma, por dhe analizën e defekteve të sistemit të deritashëm të arsimin, në mënyrë që të evitohen mangësitë e deritashme në arsimin tonë të pasluftës”, u shpreh Adil Fetahu

 

“Sot, në Kosovë ka shumë kompani të sektorit privat që po e kanë probleme të gjejnë kuadrot e nevojshme e të duhura, por ato kuadro duhet të merren nga vendet e tjera që janë edhe shumë të kushtueshme. Ndaj, kam frikën se nga mungesa e këtyre  kuadrove të duhura,  edhe në vitet në vijim do të ngecë ekonomia e Kosovës”, tha Ramadan Maloku

 

(Kosova Sot)