Mbi 70 të vrarë në sulme vetëvrasëse ndaj dy xhamive afgane

  • 22 October 2017 - 12:08
Mbi 70 të vrarë në sulme vetëvrasëse ndaj dy xhamive afgane

Kamikazët me bomba i kanë sulmuar dy xhami në Afganistan këtë të premte, duke i vrarë të paktën 72 persona, përfshirë fëmijë, njoftojnë zyrtarët dhe dëshmitarët okularë.

Një kamikaz u fut në një xhami shiite në kryeqytetin afgan, Kabul, gjersa besimtarët po e falnin namazin e të premtes dhe e detonoi eksplozivin e tij, sipas besimtarit Mahmood Shah Husaini, i cili ishte prezent në xhami në atë kohë, raporton Reuters, përcjell Express.

Të paktën 39 persona u vranë në këtë shpërthim në xhaminë “Imam Zaman” në qytetin perëndimor të distriktit Dasht-e-Barchi, njogton zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Afganistanit, Najib Danish.

Shteti Islamik (ISIS) e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por nuk ka ofruar dëshmi për ta përkrahur këtë pohim në komunikatën e publikuar në uebsajtin e saj.

Myslimanët shiit kanë vuajtur në një seri sulmesh në Afganistan në muajt e fundit, përgjegjësinë për shumicën e të cilave e kanë marrë militantët myslimanë suni të ISIS-it.

Në sulmin tjetër vetëvrarës në një xhami në qendër të provincës Ghor u vranë të paktën 33 persona, njofton policia.

 (Kosova Sot)