Badallaj-Zhuriani: "Rrokada në krye të Doganave, në interes të bandave politike"

  • 23 October 2017 - 16:23
Badallaj-Zhuriani:

Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani theksoi për "Kosova Sot" se mjeranët, qyqarët, naivët dhe kokëshkretët mendojnë se krerët e Doganave nuk janë të lidhur tepër ngushtë me banditët që nga majat e larta të shtetit dhe kryebanditët e bandave politike. "Këta janë dhe bëjnë pjesë në rrjetin më kriminal kundër shtetit që e kanë shkatërruar buxhetin me miliarda euro. Pra, është i freskët rasti i fundit se si u bë rrokada në krye të Doganave, në interes të bandave politike dhe banditëve e kryebanditëve. Jo vetëm sot, por ata që nuk e dinë, këta matrapazë dhe hajna në krye të Doganave, që nga paslufta e deri më sot, ndajnë pazarin bashkë me këta banditë të strukturave të larta shtetërore", është shprehur ai. "Shikoni sa është e zhvilluar nëntoka kriminale në veri të vendit dhe në pikat e tjera kufitare. Nafta ruse nga larg importohet për në Serbi dhe banditët këndej falsifikojnë letrat, me arsyen se kjo naftë futet nga motrat e saj, Serbia dhe Bullgaria, në Kosovë. Kjo është vështirë të kuptohet, se nuk janë të lidhura me kryebanditët dhe banditët që nga majat e shtetit deri te kryebanditët e haraçexhinjtë e bandave politike. Vetëm një Zot i madh e di sa e sa miliona litra futen ilegalisht, pasi bëhet fjalë për kontrabandistët e majave të larta të shtetit dhe mafio-oligarkët", është shprehur Badallaj. Ai thotë se e keqja më e madhe për vendin tonë është se askush nuk e trazon këtë bandë kriminale të nëntokës, se këtu nuk ka sistem gjyqësor, përkatësisht prokurori. "Këta janë bashkëpunëtorë rusoserbë kundër shtetit të Kosovës", është shprehur ai

 

(Kosova Sot)