Afera e drogës prek edhe Kosovën

  • 24 October 2017 - 08:05
Afera e drogës prek edhe Kosovën

Ndonëse në opinion është përfolur se edhe disa individë nga Kosova, në bazë të përgjimeve të bëra, janë të lidhur me mafiozët nga Shqipëria, përkatësisht me grupin tashmë të njohur Habilaj, dhe jo vetëm, kjo për momentin mbetet një mister i madh dhe të paktën opinioni nuk ka njohuri te mjaftueshme se kush janë grupet kriminale nga Kosova të lidhura në trafiqet me drogën, armët, kontrabandën me mega- grupin kriminal te Habilajve. Ndaj, analistët me të drejtë pyesin se a ka shkëmbyer Policia e Kosovës informata me policinë italiane për personat eventualë kosovarë të dyshuar që janë ose mund të jenë të lidhur me trafik droge, kur tani dyshohet se kosovarët ishin dhe janë në trafikim të drogës në kosovë dhe në shtetet në regjion e mbase edhe më gjerë. Në vijim po japim opinionet e analistëve dhe njohësve të kësaj fushe lidhur me çështjet e ngritura në fjalë. Profesori universitar Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se është vështirë për t'iu përgjigjur kësaj çështjeje dhe kjo jo pse nuk do apo nuk ka guxim, por, siç tha, nga fakti se dhënia e një përgjigjeje të qartë kërkon prova dhe hetime të gjata dhe faktike. "Por, është gjë normale që në gjendjen që e kemi të ekzistojë një kriminalitet i theksuar dhe shumë mirë i organizuar dhe i varur e i kontrolluar nga vetë (pu)shteti. Pasurimi i madh i një grupi të madh te njerëzve nuk ka dilemë që vjen nga krimi dhe korrupsioni në shumë fusha, e prandaj edhe në tregti të palejuar me drogë. Kosova është e lidhur me Shqipëri, me Serbi, me Mal të Zi e me Maqedoni. Sidomos me krimin ekonomik e politik serb ka lidhje të mëdha dhe këtë e dokumentojnë mallrat që janë në Kosovë", u shpreh ai. Sipas tij, të dhëna mbi këtë ka Agjencia e Antikorrupsionit, e cila është mirë t' i qetë në shesh dhe sigurisht dalin figurat politike që janë pasuruar dhe s'kanë mbulesë te justifikueshme.

Image

 

Policia dhe Prokuroria jonë rrinë strukur

Analisti Naim Kelmendi thotë se, ndonëse në opinion është përfolur se edhe disa individë nga Kosova, në bazë të përgjimeve të bëra, janë të lidhur me mafiozët nga Shqipëria, përkatësisht me grupin tashmë të njohur Habilaj, kjo për momentin mbetet një mister i madh dhe të paktën opinioni nuk ka njohuri se kush mbase janë grupet kriminale të organizuara nga Kosova të lidhur në trafiqet me drogën, armët, kontrabandën me mega- grupin e Habilajve. "Prandaj, në këtë drejtim shtrohen pyetjet, e që janë me interes për publikun, se a ka shkëmbyer Policia e Kosovës informata me policinë italiane për personat eventualë kosovarë të dyshuar që janë ose mund të jenë të lidhur me trafik droge, kur tani dyshohet se kosovaret ishin dhe janë në trafikim të drogës në Kosovë dhe në shtetet në regjion, e mbase edhe më gjerë", potencoi ai. "Edhe përkundër asaj se policët italianë na e zbardhën trafikun e drogës, ndërsa Policia e Prokuroria jonë Speciale rrinë e soditin të strukur dhe mbase nuk marrin guximin që të zbardhin skemat e tilla tepër kriminale në trafiqet e drogave përmes transporteve me dërgesa të ndryshme, të cilat dyshohet se kalohen lehtë e pa kontroll tani e disa vjet rresht nëpër disa terminale doganore", theksoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Kelmendi.

Image

 

Institucionet të mobilizohen kundër trafikut të drogës

Profesori universitar Mazllum Baraliu ka veçuar se trafikimi me mjete narkotike është fenomen global, dhe nuk është se i takon vetëm një vendi dhe vetëm institucioneve të atij vendi. Sipas tij, fatkeqësia e gjithë botës është edhe e shteteve tona në rajon këtu, si edhe në Kosovë e në Shqipëri, që ka marrë përmasa të mëdha narkotrafikimi ose trafikimi me mjete narkotike dhe psikotropike. "Është detyrë e institucioneve përkatëse dhe shërbimeve të specializuara që të parandalojnë transitin, e sidomos vendin e origjinës të këtyre mjeteve", u shpreh ai. "Do të duhej që veçanërisht në dritën e hetimeve të organeve italiane lidhur me grupin e fundit që është përmendur atje Habilaj dhe që kinse sipas atyre dokumenteve të publikuara ndërlidhja është edhe kinse me disa segmente në Kosovë dhe disa individë, pra të segmenteve të krimit dhe individë, atëherë gjithsesi se do të duhej të shërbente ky rast si një alarm dhe mjet ose rast mobilizimi për institucionet tona", vijoi më tutje Baraliu. "Kjo vlen veçanërisht për organet e ndjekjes, edhe policinë dhe institucionet e tjera, që të parandalohet përhapja e të ndërpriten ato kanalet e trafikimit me mjete narkotike dhe të jenë më efikase institucionet tona në parandalimin dhe në zbutjen e këtij problemi ose zhdukjen e tij", spikati për gazetën "Kosova Sot" Profesori universitar Mazllum Baraliu.

Image

 

Lidhjet mafioze amnistohen nga shteti

Analisti Naim Miftari ka konsideruar se nuk është me rëndësi se kush janë grupet që merren me tregti të palejuar, po ashtu me kontrabandë armësh, droge, cigare, kafe, por, siç tha, me rëndësi është se dyshohet që këto gjëra bëhen me mbrojtje nga politika dhe shteti. Sipas tij, policia dhe dogana i mbyllin sytë ndaj firmave të caktuara që merren me kontrabandë qindra- milionëshe, të cilat pronarët e vërtetë, pra realë, janë politikanët që përdorin njerëz afaristë ose biznesmenë vetëm si figura, pasi prapa tyre fshihen politikanët e shtetit. "Mos harroni këtë se policët, që i zbatojnë ligjet dhe dalin kundër këtyre veprimeve, përfundojnë keq, mbesin pa punë ose kërcënohen dhe rrezikojnë edhe jetën e vet. Përndryshe, plot raste tregojnë se kush e zotëron dhe e kontrollon kontrabandën nga mallrat, droga, armët, nafta, rroba te bardha (femra) emigrantë, dhe krejt janë politikanë dhe udhëheqës shtetërorë që qëndrojnë prapa tyre. Asnjë lidhje mafioze e kësaj përmase nuk funksionon në Kosovë e në Shqipëri pa dijen dhe ndihmën e shtetit dhe institucioneve shtetërore, pra kjo tregon se mafia dhe pushteti janë bashkë", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari.

(Kosova Sot)