"Autostrada Energjetike", e bllokuar nga Serbia

  • 24 October 2017 - 08:07

P as përfundimit të Autostradës së Kombit "Ibrahim Rugova", që e lidhi Kosovën me Shqipërinë, ka qenë projekti i radhës, ai i Transmisionit Energjetik "Kosovë - Shqipëri" që nga ekspertët e ekonomisë dhe specialistët e kësaj fushe është cilë- suar si "Autostrada Energjetike" në mes të dy vendeve shqipfolëse, në të dyja anët e kufirit dhe projekti më me rëndësi të madhe ekonomike për shqiptarët e rajonit. Mirëpo, për momentin ende nuk po dihet dhe mbetet një dilemë e madhe se përse nuk po funksionalizohet kjo linjë e largpërçuesit që e lidh Kosovën me Shqipërinë, për të cilin u investuan shumë miliona euro nga të dyja qeveritë shqiptare. Ndërkaq analistët e ekonomisë vlerësojnë se e tëra kjo po ndodh në saje të pengesave, si dhe kushtëzimeve dhe shantazheve që po vijnë nga Qeveria e Serbisë. Analistët me të drejtë thonë se këto pengesa të palës serbe po e pengojnë me të madhe zhvillimin energjetik dhe ekonomik të Kosovës, por edhe të Shqipërisë. Ata kanë vërejtje të mëdha në adresë të institucioneve shtetërore të Kosovës, duke i akuzuar ato se kështu si janë duke heshtur ato janë të nënshtruara ndaj Serbisë dhe se vetëm po rrinë dhe po bëjnë sehir si gjithnjë kur është në pyetje Serbia. Me gjithë premtimet përmes celularit të zyrtarëve të MZHEsë se ata do të japin përgjigje gjatë ditës së hënë në pyetjet e dërguara në adresën e tyre elektronike, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën lidhur me çështjen që po trajtohet. Ndërkaq, analistët ekonomisë dhe përfaqësuesit e bizneseve dhe deputetë të dikurshëm e të tashëm të Kuvendit të Kosovës njëzëri janë të mendimit se nëse pala serbe edhe më tej vazhdon me këto shantazhe, atëherë nuk po mbetet një rrugë tjetër veçse Qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë duhet që të aplikojnë urgjentisht masat e reciprocitetit ndaj Qeverisë së Serbisë.

Image

 

Kriza politike e shtyu zgjidhjen

Eksperti i ekonomisë dhe ligjëruesi universitar, Muhamet Mustafa, ishdeputet i Kuvendit të Kosovës, për gazetën "Kosova Sot" tha se kriza politike institucionale në Kosovë që zgjati tre-katër muaj e ka spostuar për një kohë këtë çështje me rëndësi ekonomike për Kosovën. Ai ndërkaq sqaroi se komisioni për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri në mandatin e kaluar e ka trajtuar me rëndësi shumë të madhe këtë çështje, të cilën e patën dërguar në forumet ndërkombëtare."Neve si komision i Kuvendit që ishim asokohe kemi kërkuar nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës që ndaj Serbisë duhet të merren masa reciprociteti në qoftë se Serbia vazhdon që ta dëmtojë ekonomikisht vendin tonë", u shpreh ai. Ai është i mendimit se Kosova duhet që të shqyrtojë masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, por në fusha të tjera në mënyrë që t'i përgjigjet dhe kundërpërgjigjet Serbisë që po vepron në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit për këtë fushë, por edhe kundër marrëdhënieve fqinjësore. "Në këtë drejtim edhe Republika e Shqipërisë duhet që të jetë më e zëshme, sepse kjo sjellje e Serbisë jo vetëm që po e pengon Kosovën, por po e pengon edhe Shqipërinë, si dhe ndërtimin e një sistemi operues integrues në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, që do të ndikonte dukshëm në uljen e çmimeve të energjisë elektrike", vijoi më tej Mustafa.

Image

 

Shpresat te mbledhja e përbashkët e qeverive

Lideri i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB-së), Agim Shahini, lidhur me çështjen tha për "Kosova Sot" se 'Autostrada Energjetike' Kosovë-Shqipëri ende i ka problemet e veta, ngase në funksionalizimin e saj, ndonëse janë shpenzuar me miliona euro nga të dyja vendet, ende po ka pengesa nga shtetet Ballkanike që janë shumë të mëdha në këtë drejtim."Kam besim se Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë në mbledhjen e përbashkët, që do ta mbajnë në muajin nëntor në Korçë, do ta zgjedhin këtë problem njëherë e përgjithmonë. Dhe me këtë ky do të jetë një hap që i shkurton shpenzimet dhe do ta ketë koston më të lirë të energjisë elektrike", potencoi ai. "Këto pengesa të palës serbe doemos se po reflektohen si pengesa dhe reflektim të zhvillimit ekonomik të të dyja shteteve që ballafaqohen me mungesë të energjisë elektrike", shprehet Shahini. Lideri i AKBsë sugjeron se nëse pala serbe vazhdon me këto pengesa, institucionet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë duhet që t'i kenë parasysh edhe masat e tjera sikurse që mund të jenë masat e reciprocitetit ndaj shtetit serb në fusha të tjera.

Image

 

Institucionet kosovare e neglizhuan çështjen

Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe anëtari Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri, Enver Hoti (Nisma për Kosovën), tha për gazetën "Kosova Sot" se edhe në këtë rast kemi të bëjmë me një neglizhencë të organeve shtetërore të Kosovës dhe dorëzimin e tyre përballë organeve të Serbisë. "Si kundërmasë të këtyre shantazheve të Qeverisë serbe, edhe Kosova nuk duhet të qëndrojë duarkryq, por duhet që të ndërmarrë masa të reciprocitetit, ngase Qeveria e Kosovës duhet që të ndërmarrë vendime që duhet të jenë të qarta të padiskutueshme dhe të panegociueshme ndaj Serbisë, kur është në pyetje interesi i vendit", vlerësoi ai. "Me një fjalë, për këto veprime të Qeverisë serbe faji është tek të dyja shtetet shqiptare këndej dhe andej kufirit për të gjitha këto lëshime që po ia bëjnë Serbisë", u shpreh Hoti.

Image

 

Eksploatimi i ekonomisë kosovare

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, tha për "Kosova Sot" se Serbia është duke vepruar në të gjitha sferat që ta pengojë Republikën e Kosovës."Nuk është për t'u befasuar në këto veprime të Serbisë, sepse ajo është haptas e qartë se në momente të caktuara po të ketë mundësi Serbia do të kishte aneksuar vendin tonë", u shpreh ai."Politika e vendit tonë duhet që të jetë syçelur dhe mos të lejojë që këto shtete fqinje të na bëjnë shantazhe në asnjë lëmi të jetës në vendin tonë", theksoi Neziraj."Siç dihet në ish-Jugosllavi mbi 90 për qind të ekonomisë së Kosovës ka qenë e lidhur me ekonominë e Serbisë dhe këtë e ka bërë që ta eksplatojë ekonomikisht, andaj edhe tani është duke bërë përpjekje që ne të jemi të varur nga ky shtet e sidomos në fushat strategjike sikurse që është edhe energjetika", shpjegoi ai. Sipas analistit Neziraj, Serbia duke u ledhatuar edhe nga BE-ja po tenton të bëhet një fuqi në rajon si në aspektin ushtarak, ashtu edhe atë ekonomik, por edhe energjetik."Për këtë arsye ajo do të bëjë të gjitha përpjekjet që mos të lejojë që edhe Republika e Kosovës të jetë e pavarur në aspektin energjetik dhe do të përdorë të gjitha mjetet në pengimin e vendit tonë edhe në këtë lëmi të rëndësishëm", tha ai. "Është për habi përse ka vonesa në këtë drejtim të lidhjes së vendit tonë me Shqipërinë dhe pse po vonohemi në ndërtimin e Termocentralit të ri në Kosovë që flitet që nga paslufta, ndërsa ne kemi rezervat më të mëdha të linjitit jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë", ka shtuar Neziraj. "Kam besim se Qeveria 'Haradinaj' do të veprojë dhe do të investojë në fushat strategjike të ekonomisë së vendit, e sidomos në energjetikë, ngase vendi ynë ka potencial për këtë lami, si edhe në mënyrë urgjente në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare të fillojnë ndërtimin e Termocentralit të ri në Republikën e Kosovës", ka thënë ai

(Kosova Sot)