Tanaskoviq: Pranimi i Kosovës në UNESCO, një hap drejt anëtarësimit në OKB

  • 28 July 2015 - 09:46
Tanaskoviq: Pranimi i Kosovës në UNESCO, një hap drejt anëtarësimit në OKB

Nëpërmjet anëtarësimit në organizatat sportive ndërkombëtare dhe 16 agjencitë e veçanta, të tilla, si UNESCO, Prishtina planifikon të parandalojë refuzimin e anëtarësimit në Kombet e Bashkuara!

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, me ndihmën e shteteve të Perëndimit po përpiqen që t’ia sigurojnë një ulëse në OKB shtetit të Kosovës, të cilën gjë po ua pamundëson aktualisht Rezoluta 1244.

Ambasadori serb në UNESCO, Darko Tanaskoviq thotë se zyrtarët e Kosovës kanë marrë të gjitha masat e mundshme për t'iu bashkuar OKB-së.

“Pranimi i Kosovës në OKB do të jetë një tjetër konfirmim i shtetësisë, ndërsa kosovarët po ndërmarrin të gjitha hapat e mundshëm që të sigurojnë një vend. Pranimi në UNESCO është vetëm një hap drejt asaj rruge”, thotë Tanaskoviq.

“Unë besoj se shumë vende nuk janë në favor të Kosovës që kjo e fundit të pranohet në UNESCO, për shkak të precedentit, i cili do të shkaktonte që edhe vende tjera të bëjnë një kërkesë të tillë”, shton Tanaskoviq,  transmeton Telegrafi.

Ndërkaq, kreu i ekipit të Serbisë në negociata me BE-në, Tanja Mishçeviq, thotë se Serbia duhet të shtoj aktivitetin e saj në UNESCO, duke u shpjeguar shtetet anëtare se sa e dëmshme është anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë të OKB-së.

“Çfarë Serbia mund të bëjë është që të shtoj aktivitetin diplomatik, diskutimin dhe shpjegimin se pranimi i Kosovës në UNESCO do të jetë një precedent dhe si i tillë do të jetë i dëmshëm”, thotë kreu i ekipit të Serbisë në negociata me BE-në, Tanja Mishçeviq.