Deputetët e PDK-së s’po e dëgjojnë shefin për Specialen, shtyhet mbledhja e Grupit Parlamentar

  • 28 July 2015 - 12:04
Deputetët e PDK-së s’po e dëgjojnë shefin për Specialen, shtyhet mbledhja e Grupit Parlamentar

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, siç duket assesi nuk po mund të bind anëtarët e partisë së tij, konkretisht deputetët kundërshtues që të votojnë pro themelimit të Gjykatës Speciale, edhe përkundër shkrimeve në medie se janë siguruar votat.

Sot ishte paraparë që Grupi Parlamentar i kësaj partie të mblidhet për të diskutuar për Specialen, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ajo, është shtyrë për ditën e nesërme. Çarjet dhe përplasjet në këtë subjekt politik po shtohen çdo ditë e më shumë, konkretisht pakënaqësitë ndaj liderit Hashim Thaçi i cili po mundohet me ‘kërcënime’, të bind grupin kundërshtues të partisë së tij t’i thonë po kësaj gjykate.

Se diçka po ‘zihet’, e tregojnë më së miri edhe deklaratat kundërthënëse të bëra sot nga kryetari i GP të PDK-së Adem Grabovci dhe Labinotë Demi-Murtezi e Partisë së Drejtësisë, subjekt ky në koalicion me PDK-në, rreth takimit për Specialen, transmeton “Kosova Sot ONLINE”.

Derisa, Grabovci ka deklaruar për media se për sot nuk është thirrur kurrfarë mbledhje e GP të partisë, të kundërtën e ka thënë poashtu për medie, Demi-Murtezi, duke shtuar se mbledhja ka qenë e paraparë të mbahet sot në ora 11:00, por i kanë lajmëruar se është shtyrë për ditën e nesërme.

Vullneti i deputetit është i lirë dhe ai/ajo, duhet të votojë ashtu si dëshiron, përkundër ‘kërcënimeve’, që mund t’iu vijnë nga shefi i partisë.

(Kosova Sot)