Prokuroria e Shtetit nuk gjen prova për krime lufte për ministrin Rikalo

  • 01 November 2017 - 09:40
Prokuroria e Shtetit nuk gjen prova për krime lufte për ministrin Rikalo

Prokuroria Speciale e Kosovës, njofton se në bazë të raportimeve të mediave lidhur me pohimin e disa qytetarëve nga lagja “Dardania” në Prishtinë, për keqtrajtimet nga ministri i bujqësisë, Nenad Rikalo gjatë luftës në Kosovë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave të nevojshme.

Në bazë të rezultatit të hetimit preliminar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka vlerësuar se nuk ka prova të mjaftueshme për ekzistimin e veprës penale për krime lufte.

Në rast paraqitjes eventuale të provave të reja prokuroria mund të hapë një hetim të ri.
Disa banorë të Prishtinës kishin rrëfyer për mediat vendore për “torturat që ua ka bërë ministri Nenad Rikalo”.

Sipas njërit prej tyre, Nenadi bashkë me vëllain e tij Goranin janë mobilizuar sapo ka filluar lufta.

Ndërkohë, Nenad Rikalo, Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes një reagimi kishte mohuar informacionet se ai ka qenë i përfshirë gjatë luftës në dhunën ndaj shqiptarëve, duke i quajtur të pasakta dhe qëllimkëqija dhe të cilat sipas tij kanë për qëllim diskreditimin e tij, të Listës Serbe, si dhe Qeverisë së Kosovës.

(Kosova Sot)