< A e ka takuar Tahirin? Si përgjigjet mamaja e Habilajve dhe rrëfimi për djemtë: Janë marrë me… - Lajme - Kosova Sot
A e ka takuar Tahirin? Si pėrgjigjet mamaja e Habilajve dhe rrėfimi pėr djemtė: Janė marrė me…

A e ka takuar Tahirin? Si pėrgjigjet mamaja e Habilajve dhe rrėfimi pėr djemtė: Janė marrė me…

Mëngjesin e së martës, Gjykata e Rivlerësimit në Katania mori në shqyrtim animimet e bëra nga 6 prej 7 të arrestuarve të të ashtuquajturit “Grupi Habilaj”, mbi të cilët rëndon akuza e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Por për lidhjet e Habilajve me ish-ministrin Tahiri, avokati Catalano, i cili është dhe avokati i Meridan Sulajt dhe Fatmir Minajt, nënvizon se një gjë të tillë nuk e ka parë në akte, raportoi Top Channel.

Gazetarët per Top Story kanë shkuar në fshatin Babicë për të parë nga afër shtëpinë e tij dhe për të biseduar me të afërmit.

Nëna e Moisi Habilajt ka rrëfyer mes lotëve se djemtë e saj janë të pafajshëm dhe se deri më tani ajo dhe bashkëshorti kanë punuar me dy sera dhe ata kanë punuar me trageti perimesh.

“Djemtë e mi, në radhë të parë, janë të pafajshëm dhe të tëra i kanë me djersën e ballit. 10 vjet në det ata me maune, perime , fruta, të gjitha… Unë vetë si Zenepe, bashkë me burrin tim, kam punuar 10 vjet me dy serra, edhe me dy dylym bizele që ma di fshati. Kam punuar bashkë me djemtë. Djemtë të tre kishin firmën e tyre dhe unë me burrin punoja në dy serra. Unë kaq di për ta”, thotë nëna.

Ditën kur djali i saj Mosiu u arrestua në Itali, gruaja 69-vjeçare ndodhej në Greqi: “Unë faktikisht isha në Greqi, kisha tre javë, isha e sëmurë. Kur ka ndodhur kjo punë, nuk kam qenë këtu. Kur erdha, më thanë kështu-kështu. Për mua si nënë, ata janë të pafajshëm. Me mua kanë jetuar këtu. Tërë ditën gërryej dhe ja, e heq stresin vetëm me punë. Për mua është një e pavërtetë sepse hahen qeveritë me njëra-tjetrën nuk më intereson fare. Zihen për karrike ata, nuk zihen për mua”.

Por, a e njeh ajo ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin?

“Unë nuk e njoh. Gjyshja ime e ka një kushëri të largët fare. Nuk e kam takuar kurrë, të betohem. Ka Zot. Unë si Zenepe nuk e njoh”, thotë nëna e Habilajve.

Telefoni i saj nuk resht së rëni, pak minuta pasi kamera jonë kaloi para syve kureshtarë pas dyerve në shtëpitë e fshatit Babicë.

Nëna e Habilajve e ka një shpjegim se përse djemtë e saj janë përfshirë në këtë histori: “Një të do, 100 s’të duan. Do jetë ndonjë dhe kot ka folur për mendimin tim ai që ka spiunuar a ça ka bërë. Drejtësia do vejë patjetër në vend”.

Zenepja ngulmon duke thënë se djemtë e saj kanë punuar me fruta-perime dhe na tregon serrat edhe kopshtin ku nisi gjithçka.

(Kosova Sot)

 

9 orë e 1 minuta më parë