Zeqa: Gjasa të vogla për rinegociim

  • 01 November 2017 - 14:25
Zeqa: Gjasa të vogla për rinegociim

Sipas Zeqës, shpërfaqjen më të keqe ua bëri tema e Demarkacionit me Malin e Zi, ku partnerët e koalicionit mbajnë qëndrime diametralisht të kundërta. "Përderisa lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli e thotë hapur se Demarkacioni me Malin e Zi nuk negociohet më, njëjtë siç e ka thënë presidenti Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj cakton Komision të ri dhe ka 'shpresa' se pas gjetjeve të reja të Komisionit kufiri do të lëvizë në drejtim të Çakorrit. Në fakt, çështja e Demarkacionit me Malin e Zi, përveçse hipokrizi dhe punë e kryer, është edhe humbje kohe shkaku i gabimeve trashanike të Qeverisë së vjetër e drejtuar me hipokrizi nga Hashim Thaçi me sejmenët e tij", ka thënë Zeqa. "Qeveria 'Haradinaj' nuk mund të rinegociojë një marrëveshje ndërkombëtare të nënshkruar nga dy kryeministrat paraprakë (Thaçi e Mustafa), këtë gjë e di mjaft mirë edhe kryeministri aktual Haradinaj, i cili vetëm sa do të mundohet të prolongojë çështjen e Demarkacionit duke ua vonuar pa nevojë kosovarëve liberalizimin e vizave. Edhe sikurse të ishte çdo gjë në rregull, Haradinaj nuk mund të bëjë asgjë me 61 vota, pasi nuk e ka të sigurt as PDK-në në votimin e versionit tjetër, siç e pretendon Haradinaj. Epilogun përfundimtar të Demarkacionit mund ta bëjë vetëm një Qeveri stabile, me shumicë absolute shqiptare në Kuvendin e Kosovës, që i bie, një legjislaturë e re në Kuvendin e Republikës së Kosovës", ka pohuar Florim Zeqa.

(Kosova Sot)